Zoti Lame, si lindi ideja për një ekspozitë të tillë me flamuj shqiptarë?
Përgatitjet për ekspozitën e “Flamurit Shqiptar” kanë filluar që para një viti. Në kuadër të festimeve u mendua që të organizohej një aktivitet që të linte me të vërtetë mbresa tek shqiptarët. Në fund të fundit, 28 Nëntori është një festë popullore, ndoshta më e rëndësishmja për shqiptarët, por në thelb është ditëlindja e Shtetit Shqiptar. Për këtë arsye, u munduam ta trajtojmë pikërisht si festë të Shtetit Shqiptar, dhe në këtë aspekt të sillnim elementë të Shtetit në këto 100 vjet. Dhe element më i bukur se sa flamuri, si simbole të Shtetit Shqiptar nuk mund të gjendeshin. Ekspozita përmban 30 flamuj të të gjithë kohëve të këtij 100-vjeçari, flamuj zyrtarë shtetërorë të të gjitha epokave. Përmban 50 fotografi në format të madh, siç dhe e keni parë, si dhe një sërë dokumentesh autentikë të cilët kanë lidhje me këtë epokë.
Ç’rrugë përshkuat deri në Vlorë?
Gjatë këtij ekspozimi në lëvizje u pa që suksesi i saj ishte i tillë që na erd hën kërkesa të shumta për ta organizuar edhe në vende të tjera. Përfundimisht, trajektorja e përshkruar fillonte me Prishtinën, pra nga Tirana ekspozita udhëtoi në Prishtinë; nga Prishtina në Gjakovë; nga Gjakova në Preshevë; pastaj nga Presheva në Tetovë; nga Tetova në Durrës; dhe nga Durrësi në Vlorë ku u mbyll natyrshëm.
Si u prit në trojet jashtë Shqipërisë? Dhe a hasët ndonjë pengesë?
Pritja, veçanërisht nga shqiptarët në trojet jashtë atdheut ishte e jashtëzakonshme, ata janë mësuar gjithmonë të mirëpresin çdo gjë që vjen nga atdheu i tyre. Por, kjo i shtoi dhe faktin e trajtimit shkencor të materialit të ekspozuar, i cili në shumë raste ishte një material i panjohur më parë. Natyrisht, pati probleme për ta kaluar. Ishte hera e parë që një grumbuj flamujsh shqiptarë shkonte në Serbi. Sepse Presheva është në Serbi, dhe, patëm dhe probleme me doganierët në kufi me Serbinë. Por, pavarësisht kësaj, të gjitha u kaluan dhe ekspozita realizoi itinerarin e saj të lëvizjes. Por, di të them që në çdo qytet që shkonim, vinin njerëz nga qytete të tjera dhe kërkonin që ekspozita të zhvillohej dhe atje ku ata banonin. Na kërkuan që ta zhvillonim ekspozitën në Prizren, në Kërçovë të Maqedonisë, e kështu me radhë, por që nuk na premtonte koha dhe ishte fizikisht e pamundur që të kryhej kjo lëvizje, në mënyrë që ekspozita të organizohej edhe në qytete të tjera.
Dhe në fund, me përmbylljen në Vlorë, nuk munguan surprizat...
Ndodhi një surprizë shumë e këndshme këtu në Vlorë. Në momentet e hapjes së ekspozitës na erdhi një grua vlonjate, e cila ruante një flamur shumë të vjetër, të cilin e kishte të trashëguar në familje, dhe që e shpalosi edhe ajo atë flamur në ekspozitën tonë.