Veprimet dhe mosveprimet e uniformave blu janë vënë nën “sitën” e policisë, të konsideruara se i dhanë përparësi autorëve për të realizuar ekzekutimin mafioz të bankierit 58-vjeçar Artan Santo me gjashtë plumba në drejtim të tij, por që njëri rezultoi fatal duke i shkaktuar vdekjen e menjëhershme.
Në një mbledhje urgjente të kryesuar nga vetë Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Artan Didi, dhe zv/drejtori Sokol Bizhga, njëherësh përgjegjës i departamentit të hetimit është bërë analiza e veprimeve policore dhe ecurisë së hetimeve për biznesmenin Santo.
Këtu përfshihen, veprimet e policëve rrugorë në ditët që pretendohet se dy vrasësit kanë ndjekur dhe fiksuar oraret dhe intinerarin e lëvizjeve të bankierit, duke lëvizur me të njëjtin motor pa targa, me të cilin ishin dhe ditën që e vranë. Ky fakt u pohua në një deklaratë bombë të shoferit të bankierit, i cili tregoi për policinë se ky motor i ka ndjekur prej mëse dy javësh.
Duke iu referuar kësaj dëshmie, motori pa targa prej dy javësh ka lëvizur lehtësisht pranë institucioneve të rëndësisë të veçantë (duke iu referuar itinerarit të përditshëm që Santo kryente nga banesa pranë Liceut Artistike për në zyrën e tij në bankës Credins në zonën e ish-bllokut).
Atentatorët kanë lëvizur me motor, pranë ambasadës amerikane, përballë Televizionit Publik Shqiptar dhe ambasadës italiane, përbri Ministrisë së Integrimit, Kryeministrisë, kryesisë së Kuvendit, Presidencës dhe institucione të tjera të rëndësishme shtetërore.
Janë kërkuar informacionet dhe raportet e Gardës së Republikës apo Shërbimit Informativ Shtetëror, dhe arsyet pse ka mungesa të këtyre informacioneve, ndonëse motori i dyshimtë pa targa ka lëvizur pranë institucioneve të rëndësisë së veçantë duke u bërë objekt për sulm edhe ndaj tyre, qofshin përfaqësi diplomatike të huaja, apo institucione të rëndësishme shtetërore.
Janë kërkuar filmimet e kamerave të sigurisë për të parë nëse motori edhe në ditët e mëparshme ka lëvizur pa targa, dhe për të fiksuar veprimet e policisë rrugore që kanë për detyrë bllokimin e të tilla mjeteve.
Përsa i takon ditës së krimit, janë zbardhur veprimet e policit që ndodhej në kryqëzimin tek Vila 31 në Bllok, ku ndodhi atentati.
Mësohet se efektivi i policisë ndodhej në kryqëzim për të lehtësuar lëvizjen e Obusmanëve të Rajonit që kishin një takim të organizuar nga Avokati i Popullit në një hotel aty pranë.
Pak momente para krimit, polici që ka inicialet T.Q, i është afruar motorrit për t’i larguar, por sipas raportit në polici, njëri prej personave që ndodheshin në motor i ka drejtuar armën. Në atë moment kanë qëlluar dhe ndjekur bankierin.
Sipas të njëjtit raport, polici rrugor ka marrë motorin e tij për t’u vënë në ndjekje të autorëve, një motor Scooter 125 kubik i dhuruar një muaj më parë Ministrisë së Brendshme. Ka qenë e pamundur për policin të arritinte dhe t’i qëndronte pas motorit Suziku V-Storm të atentatorëve që mund të ishte 650-1000 kubik.
Motori i fuqishëm i autorëve i ka ikur policit në zonën e Komunës së Parisit, ndërkohë që shërbimet e Policisë Rrugore janë vendosur në postblloqe tek TEG dhe në Sauk.
Motori ka kaluar nëpër rrugica nga Pallati me Shigjeta, në Yzberisht- Nënkalimi te kthesa e Kamzës duke u drejtuar për në Veri të Vendit.
Në vendin e quajtur “Hurmat” në Rinas, është pikasasur nga një tjetër shërbim policie, gjithashtu I pajisur me motor Scooter 125 kubik dhe që ka mundur t’i ndjekë autorët deri në Urën e Gjolës. Motorri i policisë ka nxjerrë 120 km/orë kur autorët ishin të paktën me një shpejtësi 200 km/orë.
Tek Ura e Gjolës, motori i autorëve është kthyer majtas për në rrugën e Bubqit duke hyrë në një terren të vështirë ku kishte përparësi, i pamundur për t’u ndjekur nga motori Scooter i policisë.
Këtu punonjësi i policisë Rrugore ka komunikuar në radio duke dhënë koordinatat dhe zonën ku kishte hyrë motori i atentatorëve dhe ka qëndruar në pritje të përforcimeve.
Në sitën e analizës për veprimet e policisë, janë edhe koha që u është dashur shërbimeve të policisë së Rendit dhe shërbimeve të tjera të Policisë Rrugore për të ngritur postblloqe dhe reaguar për kapjen e autorëve gjatë ikjes.
Ndërsa polici që duket në foton e nxjerrë nga kamerat e sigurisë, tek kryqëzimi i Librit Universitar, sipas burimeve nuk ka pasur radio dhe nuk ka qenë i informuar për dy atentatorët që lëviznin me motor, të cilët kanë kaluar menjëherë pas vrasjes, në kryqëzimin që ai monitoronte. Mungesa e radios është problemtatikë në Policinë e Shtetit pasi mbi 60 % përqind e efektivëve nuk e kanë një të tillë.