Ekzekutimi ne shkolle. Rrefehet autori 15-vjecar E vrava se me shau

Ekzekutimi ne shkolle. Rrefehet autori 15-vjecar: E vrava se me shau

Ekzekutohet në klasë nxënësi i shkollës profesionale në Shkozet. Dorëzohet pas 7 orësh autori i vrasjes, 15-vjeçari që ndiqte të njëjtën shkollë: “E vrava se më shau”. Grindja në fushën e sportit javën e shkuar. Vetëm një nxënës dëshmoi në polici mbi autorin.

“Adriatikun e vrava se më shau”
Rrëfehet pas dorëzimit 15-vjeçari: S’e kapërdiva dot

“Unë jam personi që kërkoni. Unë e vrava Adriatikun, sepse më shau nga motra. Jam gati të vij me ju”.

Me këto fjalë i është drejtuar patrullës më të afërt të Policisë 15-vjeçari E.V., i cili mësohet ta ketë pranuar autorësinë e krimit. Rreth orës 16:45 ai ka ndaluar në sheshin “Liria”, para Bashkisë së qytetit të Durrësit, duke pranuar se ishte ai i shumëkërkuari që prej mëngjesit, kur ekzekutoi në sy të shokëve dhe mësuesit 16-vjeçarin Adriatik Tota. Ka qenë dëshmia e një prej nxënësve të praktikës, që ka bërë identifikimin e autorit në polici, duke i hapur rrugë zbardhjes së plotë të ngjarjes.

“Pak ditë më parë patëm një konflikt verbal me Adriatikun, i cili më ka fyer rëndë duke më sharë nga motra. Këtë gjë nuk munda ta përtypja dot dhe vendosa ta qëlloja. Kështu u përgatita për të bërë atë që bëra. Mora armën, e modifikova, në mënyrë që të mos binte në sy gjatë kohës që do ta fusja në ambientet e shkollës, por edhe më pas në ofiçinë, ku kryejmë orën e praktikës. Gjeta momentin që pranë tij nuk kishte persona të tjera dhe e qëllova”, ka treguar 15-vjeçari pas përfundimit të arratisë 7-orëshe.

Burime të Policisë së Durrësit që i kanë vënë prangat adoleshentit dhe e kanë shoqëruar në komisariat për krimin në shkollë, tregojnë mbi dëshminë e dhënë prej të riut nga fshati Xhafzotaj i Shijakut. E.V. ka treguar se me Adriatikun ishte zënë në fundjavën e shkuar, në fushën e sportit të shkollës së mesme, ndërsa ishin duke luajtur secili me shokët e vet. E nisur për shkak të lojës, grindja ka përfunduar në fyerje, ku sipas dëshmisë së 15-vjeçarit ka qenë viktima ai që e ka sulmuar.

Ashtu si dhe miqtë e Adriatikut, edhe autori që pranoi krimin, ka mohuar të ketë pasur ndonjë shkak tjetër të sherrit që përfundoi tragjikisht për djalin e vetëm të familjes Tota. Sipas 15-vjeçarit, ai ka menduar për planin për disa ditë, derisa ka ndërmarrë veprimin ekstrem paraditen e djeshme, në orën e mësimit dhe në prani të mësuesit të lëndës. “Pasi e qëllova, u largova në mënyrë të pavetëdijshme. U hutova fare dhe nuk dija se çfarë të bëja. Më vonë u pendova shumë dhe vendosa që të dorëzohem në polici, duke marrë përsipër edhe krimin që kreva”, mësohet të jetë shprehur për Policinë dhe në prani të një psikologu 15-vjeçari.

Ai është larguar pa një drejtim të caktuar, derisa policia është vënë në ndjekje të tij falë dëshmisë së një prej djemve që po bënin praktikën. Dorëzimi i tij ka qenë dhe një formë çlirimi për familjarët e të afërmit, të cilët kishin ankth për jetën e 15-vjeçarit E.V. Deri në momentin e arrestimit të autorit, familjarët e viktimës Adriatik Tota deklaronin se do ta gjenin vetë personin që i mori jetën njeriut të tyre për t’u hakmarrë për atë që ndodhi. Ata thanë se nuk kishin asnjë njohje me autorin e akuzuar dhe as me familjen e tij, duke u shprehur se Adriatiku ishte djalë i qetë dhe që nuk konfliktohej me askënd.

Policia: Krimi me paramendim


Akuza e ngritur nga ana e Policisë së Durrësit për 15-vjeçarin E.V. paraprakisht është ajo e vrasjes me paramendim, nisur nga rrethanat në të cilat ndodhi krimi ndaj Adriatik Totës. Pritet që gjykata të vendosë për adoleshentin dhe vendin ku do të mbahet i izoluar ai në të ardhmen.

Drejtori
“Nuk kemi dëgjuar për ndonjë konflikt”


Bashkim Shkëmbi, drejtori i shkollës profesionale “Beqir Çela”, pohoi dje në telefon se nuk ka pasur sinjale më parë për konflikt mes dy nxënësve. Sipas tij, të dy nxënësit ishin të mirë dhe të rregullt në shkollë. “Ngjarja është shumë e rëndë dhe më vjen keq për të dyja familjet. Unë isha në një seminar në Tiranë ditën e djeshme kur ndodhi krimi në shkollë”, tha Shkëmbi. Ai ka shtuar se menjëherë është nisur për në Shkozet, duke mbledhur stafin për të raportuar mbi atë që kishte ngjarë. Vetë drejtori mohon të ketë pasur dijeni për konflikt mes 15-vjeçarit E.V. dhe viktimës Adriatik Tota. Në fakt, ditën e martë, një tjetër sherr ndodhi në oborrin e kësaj shkolle mes dy djemve, duke bërë që të ndërhyjë policia, por që mësohet se nuk kishte lidhje mes autorit dhe viktimës. Në këtë shkollë mësojnë 1340 nxënës në 4 degë: Automekanikë, Elektroteknikë, Hidraulikë dhe Informatikë. Të gjithë nxënësit janë meshkuj, të ardhur jo vetëm nga Durrësi dhe rrethinat e tij, por edhe nga rrethe të tjera të vendit.

Nxënësit e dy klasave në polici: S’pamë gjë, u shtrimë nga frika


Në cilësinë e dëshmitarit të ngjarjes së rëndë të ndodhur në klasën e praktikës, 22 nxënësit e vitit të parë dhe të dytë të shkollës profesionale janë marrë në pyetje thuajse të gjithë ditën e djeshme. Prej orës 10:00 kur ndodhi vrasja e moshatarit të tyre e deri në orën 19:30, adoleshentët kanë dhënë dëshmitë e tyre mbi ngjarjen në policinë e Durrësit. Zyrtarisht konfirmohet nga ana e Policisë se për dokumentimin e plotë të rastit janë shoqëruar e po merren në pyetje një numër i madh personash, të cilët kanë dijeni mbi rrethanat e kësaj ngjarjeje, si nxënës të dy klasave, shokë të palëve (viktimës dhe autorit), stafi pedagogjik, familjarë e të afërm, si dhe po punohet në vijim për të identifikuar persona të tjerë të cilët mund të kenë pasur dijeni mbi rrethanat e ngjarjes. Për shkak të moshës ata janë pyetur në prani të psikologes dhe janë ndjekur nga prokurorja për sektorin e të miturve. Ata u lanë të lirë pak kohë pas dorëzimit të autorit të krimit, ndërsa kanë deklaruar se nuk kanë parë asgjë pasi janë shtrirë barkas nga frika e të shtënave.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama