Kish lindur tre fëmijë të tjerë të maternitetin e fshatit, pa e menduar se të katërtin do ta lindte gjatë një udhëtimi për në qytetin e Elbasanit. I shoqi i ishte lutur të shkonte në Elbasan, pasi për çdo emergjencë aty kishin afër një shtëpi lindjeje shumë herë më të mirë së në Gramsh. Por gjithçka ka vajtur përtej parashikimeve. Jo më shumë se 100 metra larg shtëpisë së lindjes në Elbasan, gruaja ka lindur në taksinë me të cilën udhëtonte. Ngjarja e rrallë ka ndodhur pasditen e djeshme, rreth orës 16:30 në qytetin e Elbasanit. Sipas burimeve nga vendi i ngjarjes, 39-vjeçarja Nafie Kotorri nga fshati Kotorr i Gramshit nuk ka arritur dot në maternitetin e Elbasanit për nga ku ishte nisur, por ka lindur një vajzë gjatë udhëtimit. Fëmija peshon 3450 gramë. Tentativat për ta ngjitur 39-vjeçaren në dhomën e lindjeve kanë qenë të kota, pasi vajza e katërt e çiftit Kotorri ka ardhur në jetë në taksinë me të cilën ajo ka udhëtuar nga qyteti i Gramshit për në Elbasan, për të qenë nën shoqërinë e të afërmve të bashkëshortit të saj. Një numër i madh i personelit të këtij spitali, së bashku me bashkëshortin e 39-vjeçares, kanë ndjekur me shqetësim lindjen në makinë, një lindje që për fat ka qenë pa probleme. Bashkëshorti, Shkëlqimi, edhe pse i trishtuar, ka paguar pijet për miqtë dhe mjekët që iu ndodhën pranë në këtë lindje të pazakontë. Ai është infermier, ndërsa gruaja mësuese. Në të gjithë zonën ku banojnë, Shkëlqimi njihet si shpëtimtar i grave që nuk kanë arritur t‘i lindin fëmijët në spital. Edhe në lindjen e fëmijës së tij të katërt ai ka asistuar si mjek në makinën ku e shoqja lindi.