Ceremoni e veçantë diplomimi për studentët e Fakultetit Ekonomik
ELBASAN, 20 Tetor /ATSH-Miranda Sadiku /.- Fakulteti Ekonomik i Universitetit "Aleksandër Xhuvani" në Elbasan, pas dy vitesh mungesë për shkak të kartonave, ka organizuar ceremoninë e diplomimit për 1028 studentë, që kanë përfunduar studimet në vitin akademik 2013-2014 dhe 2014-2015.
Të pranishëm në këtë ceremoni ishin Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, Ilir Meta, Kryetari i Bashkisë Elbasan Qazim Sejdini, Ministrja e Arsimit Lindita Nikolla, Ministri i Transporteve, deputetë, pedagogë, studentë, familjarë etj.
Kryetari i Parlamentit Ilir Meta, duke uruar studentët e diplomuar dhe punën e pedagogëve të Fakultetit Ekonomik, u shpreh se dijet e studentëve do të shërbejnë për të përballuar sfidat e Shqipërisë në rrugën e anëtarësimit në Bashkimin Evropian.
"Vendi ynë është në një rrugë të rëndësishme të rrugëtimit europian. Por vendi ynë në BE do të jetë kontribut i punës dhe vlerave tona. Qëllimi kryesor i reformës në sistemin arsimor është rritja e cilësisë së institucioneve arsimore. Sfidat tona janë të mëdha dhe duhet të jemi të ndërgjegjshëm se ekonomia jonë ka mundësi të rritet. Investimi në arsim duhet konsideruar si investim i mirëfilltë. Përballimi i sfidave kombëtare është i lidhur ngushtë me sfidat vendore. Ndaj edhe organizimi i ri vendor duhet të shoqërohet me rritje të kapaciteteve të njësive vendore", tha Meta.
Ndërsa Ministrja e Arsimit dhe Sporteve, Lindita Nikolla, u shpreh se Universiteti i Elbasanit është djep i dijes, ndaj dhe të rinjtë duhet të zgjedhin të studiojnë në këtë universitet. "Ne kemi besim se duke kthyer sytë nga arsimi i lartë, do t'ju japim garanci për Shqipërinë Europiane. Qeveria shqiptare, Aleanca për Shqipërinë Europiane janë të angazhuar për të rritur cilësinë e arsimit. Cilësia , akreditimi, futja e institucioneve tona arsimore në hapësirën europiane janë arsyet që ne i thamë jo, diplomave dhe universiteteve pa vlerë", tha Nikolla.
Duke iu drejtuar të sapodiplomuarve Nikolla tha se "shkollimi juaj duhet të jetë cilësor, ndaj dhe ligji i ri ju ofron me tregun e punës". "MAS do të mbështesë pa asnjë kusht kërkesën për cilësi të institucioneve arsimore. Kemi marrë angazhim për të ngritur nivelin e studentëve duke i drejtuar ata drejt prioriteteve dhe tregut të punës", tha Nikolla.
Në fjalën e tij, Kryetari i Bashkisë Qazim Sejdini, falenderoi zyrtarët e lartë për pjesëmarrjen në ceremoninë e studentëve, ç'ka sipas tij, "tregon dhe mbështetjen e qeverisë për Elbasanin, si qytet të dijes dhe arsimit, si edhe një vlerësim që i bëhet këtij universiteti i cili e meriton të jetë në vëmendjen e qeverisë shqiptare".
Dekani i Fakultetit Ekonomik, Altin Idrizi mes emocionesh u shpreh krenar për arritjet e studentëve, ndërsa Rektori Liman Varoshi garantoi se diploma e tyre është e vlefshme për tregun e punës.
Në fund, ceremonia është mbyllur me dorëzimin e diplomave për disa prej studentëve ekselentë, një prej të cilave është edhe Ledia Canga, studentja e degës së Financës, e cila u vlerësua me Medalje Ari për rezultate të shkëlqyera. Pas dorëzimit të disa diplomave për studentët, në fund të ceremonisë të gjithë studentët e pranishëm në sallën e Teatrit Skampa, kanë hedhur kapelën tradicionale të diplomimit.
Fakulteti Ekonomik në Universitetin "Aleksandër Xhuvani", është një nga 5 njësitë më të rëndësishme shkencore të universitetit të Elbasanit, ku dallohet jo vetëm numri i programeve të studimit, numri i studentëve, por edhe cilësia e mësimdhënies dhe pregatitja e shkencore e stafit të tij. Rrugëtimi i këtij fakulteti nisi vetëm pak vite më parë në fillim si departament dhe më vonë u bë fakultet, duke u zgjeruar vit pas viti aq sa sot numëron 5 departamente me profile të ndryshme studimi.z.t//m.m/