Telegrami për ngritjen e flamurit në Elbasan që iu dërgua Ismail Qemalit ishte firmosur nga shumë patriotë të qytetit dhe krahinave përreth, mes të cilëve spikaste emri i Aqif Pashë Biçakçiut (Elbasani), bashkëpunëtor i ngushtë i Ismail Qemalit. Prof. As. Dr, Kujtim Bevapi, pedagog dhe historian i njohur në Elbasan, tregon dëshmi historike lidhur me Shpalljen e Pavarësisë Kombëtare. "Shpallja e Pavarësisë së vendit tonë më 28 nëntor të vitit 1912 ishte një kurorëzim i të gjitha përpjekjeve të patriotëve, atdhetarëve dhe gjithë popullit për të hequr qafe zgjedhën turke, për të qenë i lirë i pavarur dhe për të pasur shtetin e tij, ashtu si dhe fqinjët e tjerë ballkanikë".
Por, vijon historiani, për të arritur deri në këtë moment patriotët u përballën me shumë vështirësi, pasi fati i kombit shqiptar kishte kaluar nëpër disa orbita me të vërtetë dramatike. "Kryengritjet e njëpasnjëshme të shqiptarëve në vitet 1910 dhe 1911 ishin preludi i asaj ngjarjeje madhore që do të vinte më pas. Viti 1912 ishte një vit i mbushur me ngjarje të trazuara për shqiptarët", shprehet Bevapi. Historiani elbasanas ndalet në aleancat ballkanike ndërmjet Serbisë, Malit të Zi, Greqisë, Bullgarisë, për të cilat shprehet se "synonin ta fshinin nga harta emrin e Shqipërisë. Këto vende i shpallën luftë Perandorisë Osmane. Më 8 tetor Mali i Zi, më 17 tetor Serbia dhe Bullgaria dhe një ditë më vonë Greqia. Ato nuk mund të pranonin Shqipërinë aleate, sepse kishin qëllime aneksioniste ndaj trojeve shqiptare". Ndaj dhe shtypi i kohës do të publikonte thirrje që i drejtoheshin shqiptarëve "... të marrim armët dhe të mbrojmë kufinjtë e mëmëdheut tonë". "Fitoret e njëpasnjëshme të fqinjëve ballkanikë ndaj perandorisë osmane krijuan kushte të reja për patriotët shqiptarë që ndodheshin jashtë atdheut", vijon historiani Bevapi, sipas të cilit "ata vendosën të ndërrmernin një veprim të ri politik, qëllimi i të cilit të ishte shpëtimi i Shqipërisë nga copëtimi, ruajtja e tërësisë tokësore të saj dhe mbledhja e një kuvendi kombëtar që do të vendoste për fatin e vendit".
Sipas dëshmive historike nismën për këtë veprim të ri politik e morën Ismail Qemali dhe Luigj Gurakuqi, të cilët ndërmorrën dhe një tur diplomatik në disa kryeqytete europiane si në Bukuresht dhe Vjenë, ku patën bisedime me diplomatë të këtyre vendeve. E vetmja zgjidhje e drejtë e çështjes shqiptare ishte Shpallja e Pavarësisë. "Ideja e pavarësisë së Shqipërisë dhe lajmi i mbledhjes së Kuvendit Kombëtar u prit me entuziazëm të madh në Shqipëri. Grupi i kryesuar nga Ismail Qemali arriti në Durrës në 21 nëntor dhe prej andej do të shkonte në Vlorë. Janë të njohura tashmë pengesat dhe vështirësitë që në përgjithësi delegatët shqiptarë dhe ato nga Kosova hasën gjatë rrugës për në Vlorë", thotë historiani Bevapi. "Ushtria serbe po përparonte me shpejtësi të rrufeshme në tokat shqiptare. Ajo po i afrohej Elbasanit dhe në këto kushte, rrethet patriotike të qytetit u vunë përballë detyrës urgjente të shpalljes së pavarësisë, me qëllim që autoritetet ushtarake serbe të viheshin para një fakti të kryer", thotë Bevapi. Sipas tij, në 25 nëntor të vitit 1912 Elbasani shpalli i pari pavarësinë, duke vënë kështu gurin e parë në themelet e Pavarësisë Kombëtare. Pas këtij akti, në telegramin që i dërgohej Ismail Qemalit, në emër të popullit të Elbasanit thuhej se "gjithë populli i Elbasanit, myslimanë dhe të krishterë, me një zë kanë pranuar indipendencën e Shqipërisë".
Firmëtarët e këtij telegrami ishin Aqif Pashë Elbasani, Abdulla Bej Tirana, Venemin Deliana, Ali Agjahu, Refik Myftiu, Sheh Mahmut Guma, Sheh Hysen Sulova, Ruzhdi Alushi, Alush Saraci, Venemin Nosi, Kolë Papajani, Emin Haxhiadem Shijaku, Ymer Peni, Hysen Dakli, Hysen Hostopalli, Serafin Jorgaqi, Dhimitër Paparisto, Shefqet Bej Vërlaci, Hasan Bej Biçakçiu, Fuat Bej Kahremani, Servet Bej Zylfi, Demir Bej Sulçebeu, Sheh Xhaferr Pasmaqi, Taqi Buda, Haxhi Nikolla Jorgaqi, Rrapush Demeti, Mahmut Hakani, Isuf Bej Taushani, Hasan Çiftja, Demir Zenelhoxha, Hafëz Sulejman Kungulli dhe Dhimitër Dhimitruka. Ngritja e Flamurit Kombëtar në Elbasan konsiderohet një moment shumë i rëndësishëm, ku veçanërisht shquhet Aqif Pashë Elbasani, për të cilin, sipas historianit Bevapi, Ismail Qemali do të shprehej "ç'vend do të kem unë në histori nuk e di. Sa për ju, Aqif Pashë Elbasani, emri juaj do të jetë i shquar nëpër faqet e ndritura të historisë". Historiani Bevapi shton se ky vlerësim i patriotit Ismail Qemali për Aqif Pashën nuk ishte i rastit.
Shpallja e Pavarësisë Kombëtare. Një ditë pas shpalljes së pavarësisë në Elbasan, të njëjtën gjë do të bënin patriotët e Tiranës dhe Durrësit dhe në 27 nëntor ata të Kavajës, Peqinit dhe Lushnjës. Të gjitha këto përpjekje do të kurorëzoheshin në 28 Nëntor në Vlorë, me ngritjen e Flamurit Kombëtar dhe Shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë nga Ismail Qemali. Në kuvendin historik të Vlorës, në 28 Nëntor të vitit 1912, Elbasani do të përfaqësohej nga Lef Nosi, Shefqet Daiu, Mit'hat Frashëri, Qemal Karaosmani, ndërsa Dervish Biçaku shkoi si delegat i Peqinit. "Qeveria e dalë nga kuvendi i Vlorës kishte në përbërje të saj Lef Nosin, si ministër i Post Telegrafëve, Shefqet Daiun si shkronjës të dytë, krahas Luigj Gurakuqit si shkronjës i parë, dhe Ahmet Daklin si këshilltar në Ministrinë e Financës", vijon historiani Kujtim Bevapi. Sipas tij emërmi i patriotëve elbasanas në qeveri ishte një nder për zonën që ata përfaqësonin, por edhe e drejtë legjitime për vendin që zuri dhe rolin që luajti ky qytet në Shpalljen e Pavarësisë Kombëtare. "Shpallja e Pavarësisë ishte një akt fatlum për Shqipërinë e shqiptarët, por jo për fqinjët ballkanikë. Me aktin e 28 nëntorit të vitit 1912 sanksionohej e drejta e pamohueshme historike e kombit shqiptar për të qenë i bashkuar, i lirë dhe i pavaruar në trojet e veta. Pavarësisht se si do të rridhnin ngjarjet më vonë, Kuvendi i Vlorës hodhi themelet e shtetit të ri sovran shqiptar", përfundon pedagogu dhe historiani i njohur elbasanas.
Marre nga : Gazeta Shqiptare