Eldorado nje komedi e zeze per antivleren qe shitet si vlere

'Eldorado', nje komedi e zeze per antivleren qe shitet si vlere

Spektatori i teatrit “Migjeni” ndoqi për disa net me radhë shfaqjen “Eldorado” të Albri Brahushës, me regji të Fatbardh Smajës. Ishte kjo komedi një rikthim i suksesshëm i këtij autori, i cili sipas kritikut të njohur të teatrit, Josif Papagjoni “…tërhoqi vëmendjen qysh në dramën e tij ‘Vizita e fundit’, që ishte një ironi e mprehtë dhe sarkazëm sfiduese ndaj vetëdijeve mitologjizuese të periudhës së diktaturës komuniste, duke u tallur me klishetë e ngurta morale dhe me shëmbëlltyrat e rrejshme të kinse heroizmit, të fabrikuara nga ideologjia sunduese e asaj kohe dhe nga interesat politike gjegjëse të kastës drejtuese, si pjesë e manipulimit të shpirtrave”.

 

Me të drejtë Papagjoni pohon se ky autor parapëlqen drama me situata të konvencionalizuara, që ngrihen mbi një metaforë të pastër dhe lëvizin në parabola veprimesh të shpërngulura, ashtu siç është rasti i dramës tjetër të këtij autori “Ishulli i Shitenit”. Albri Brahusha punon me elementet e absurdit dhe me një gjuhë konvencionale edhe tek drama “Drejt Perëndimit”, një tekst që përcjell mesazhe mbi kaosin social në Shqipërinë e pasviteve ‘90, ku mungojnë referencat morale dhe ku kahet politike kanë gjymtuar ëndrrën për prekjen e Evropës Perëndimore. Komedia “Eldorado” në teatrin e Shkodrës, duket se ka si qëllim që përmes humorit të shkaktojë edhe ilaritet, duke thyer pak rregullat e gustos apo shijes së mirë.

 

Për dijen e lexuesit, Eldoradoja, është ai vendi legjendar në të cilin janë gjetur sasi të mëdha ari. Në këtë vend, ku nevojat materiale janë të plotësuara, qeniet njerëzore jetojnë në paqe dhe gëzojnë jetën. Eldoradoja, është pozicionuar enigmatikisht larg botës që ne njohim. E cilësuar në kronikat televizive lokale si një “komedi e zezë”, shfaqja “Eldorado”, duket se e shtyu spektatorin të shohë dhe të arsyetojë në mënyrë serioze për një temë të vështirë.

 

Shoqërinë tonë po e tronditin antivlerat prej të cilave po kërkohen të dalin vlerat. Që në fillim të shfaqjes narratori dhelpër (Merita Smaja), i shkel syrin spektatorit për ta ndërgjegjësuar se brenda skenës ka një dhelpëri. Në mënyrë komplimentare kori adoleshencial sjell një ligjërim fëminor. “Airumcicirumi” i shqiptuar disa herë është një shenjë aq e njohur gjuhësore, por në të njëjtën kohë aq e papritur si kuptim. Kjo na ndërmend fëmijërinë e sinqertë dhe të ndershme. Spektatori provokohet nga objekti me vlerë që po kërkohet me aq zell nga vetjet vepruese në skenë. Në atë qytet jashtëqitjet njerëzore përmbakan ar! Jashtëqitja vjen si metaforë e antivlerës. Brenda kësaj lidhjeje sinekdotike, pjesa për të tërën (gold in shit), konotohet vlera brenda antivlerës dhe ku në fakt vetë vlera domethënë ari (paraja) nuk janë gjërat më të rëndësishme të jetës. Të gjithë personazheve u ka rënë virusi dhe po kërkojnë ar. Doktor Allamani ka përgatitur dosjen që e quan një zbulim të rëndësishëm.

 

Si të nxjerrë 3 gr ar nga 1 kg jashtëqitje?! Bashkëshortja e tij Vasilika që e tradhëton me Petritin (një pasunar i qytetit), vjedh dosjen e të shoqit dhe bën një plan me dashnorin. Ata mendojë të shndërrojnë diskotekën e Petritit në një banjo të madhe publike. Zjarrfikësi, një personazh që ngjan me ata të Joneskos, shfaqet si një antisubjekt që bën lidhjen e programeve narrative të dramatis personae. Pjesë e këtij projekti bëhet edhe “Amerika”, e cila përmes ambasadorit shfaq interes për këtë “draft Eldoradoje”. Në fund spektatori kupton se e gjithë kjo ishte një ëndërr e personazhit të Doktorit, truk i përdorur nga autori edhe në tekstet e tjera dramatike. Zgjimi i Doktorit nga gjumi dhe rrethi i madh i përbërë nga personazhet dhe kori që deklamojnë diskursin “roza rozina…”, përbëjnë finalen e komedisë.

 

Çuditërisht, të gjithë përfundojnë të shtrirë për tokë, si për të treguar se ndershmëria dhe sinqeriteti shoqëror është aty, por në gjendje të ngrirë. André Breton kur përmend termin “komedi e zezë”, ka parasysh atë nënlloj të komedisë dhe të satirës, në të cilin humori lind nga cinizmi dhe skepticizmi. Do të shtoja se Albri Brahusha në tekstin dramatik Eldorado, na propozon një “komedi blu”, e cila përqendrohet tek disa argumente të sikletshme, të ngjashme me ato të Charles Bukoëski, apo të Anton Pashkut në prozën shqipe. Me këtë lloj teksti autori kurrsesi nuk ka ndërmend të fyejë spektatorët. Pjesa më e madhe e humorit rrjedh pas shokimit dhe tronditjes së spektatorit. Kjo vjen edhe nga një zgjidhje e zgjuar regjisoriale e Fatbardh Smajës, si dhe përshtatja e një skenografie interesante nga Hysni Halili. Spektakli u karakterizua nga një lojë e mirë e aktorëve: Agron Dizdari, Merita Smaja, Rita Gjeka, Arben Spahija, Sara Smaja, Enver Hyseni, Jozef Bushati dhe Emiljano Palali.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama