Në mitologjinë greke ka disa gra me emrin Elektra si për shembull vajza e Oqeanit dhe Tetisit, nënë e Dardanusit, Jasonit dhe Harmonisë, me baba hyjnor Zeusin.
Por Elektra më e famshme është vajza e Shtëpisë së Atreut, bija e Agamemnonit dhe Klitemnestrës, e përfshirë në tragjedinë e krimit dhe ndëshkimit brenda familjes, e mëkatit të etërve dhe ndëshkimit të bijve.
Pikërisht historia e kësaj Elektre, e shkruar nga Sofokliu, do të jetë premierë absolute në skenën e Teatrit Kombëtar në fund të shkurtit 2010, si e para premierë për këtë vit.
Dje u bë prezantimi i ekipit që sapo ka filluar punën në tryezë me tekstin.
Regjisori Adonis Filipi është bazuar në një version proze të tragjedisë, e përkthyer në shqipe nga aktori Laeart Vasili që jeton dhe punon në Greqi. Ai luan Orestin, personazh qëndror që del po nga dera e mbretit atrid, Agamemnon komandantit që udhëhoqi fushatën ushtarake kundër Trojës.
Sofokliu, prej të cilit kanë mbërritur në ditët tona veprat "Edipi mbret", "Edipi në Kolonë", "Antigona", "Ajaksi", "Trakaset" dhe "Filokteti", e shkroi këtë vepër në vitet e fundit të jetës. Nuk ka ndonjë vit të saktë për të, megjithatë studiuesit mendojnë se është shkruar rreth vitit 409 p.K.
Ngjarjet e Elektrës paraqiten që tek "Odiseja" e Homerit, por historia e saj prezantohet në veprën e tre tragjedianëve të mëdhenj të antikitetit: Eskili, Sofokliu dhe Euripidi.
Sofokliu ndjek linjat kryesore të "Koefores" së Eskilit dhe tragjedinë e tij e mbështet në një histori shumë popullore për spektatorët grekë: legjenda e Shtëpisë së Atreut.
Kjo shtëpi "vihet në qendër të vëmendjes" me kthimin e Mbretit të Mikenës Agamemnon nga Lufta e Trojës bashkë me një konkubinë të re në krah, Kasandra. Gruaja e tij, Klitemnestra, e vret atë dhe Kasandrën, jo vetëm për tradhti po edhe se Mbreti kishte sakrifikuar të bijën e tyre, Ifigjeninë para nisjes në Trojë.
Elektra, bija e tyre, përpiqet të shpëtojë të vëllanë Orestin prej kërcënimit të nënës. Tragjedia e saj fillon disa vite më vonë, kur Oresti, i ndjekur nga Eirinitë, perënditë e ndëshkimit hyjnor, kthehet për të marrë hak: vrasja e Klitemnestrës dhe Egistit është qëllimi të cilit ai ia arrin dhe i kthen Mikenës trashëgimtarët që vënë drejtësinë në fron.
Regjisori Adonis Filipi ia ka besuar Elektrën Luiza Xhuvanit e cila rolin e fundit në skenë e ka pasur nga Euripidi, në vjeshtë 2008. Ajo ka qenë në kampin humbës, të trojanëve, Andromaka përballë Hekubës që rrëfehet në rrënoja.
Në krah të Xhuvanit është Roza Anagnosti, në rolin nënës vrastare, Klitemnestrës.
Veprat e antikitetit pothuajse i mungojnë skenës së teatrit në Shqipëri, gjë që i bën përpjekjet e regjisorëve sprova më shumë se një kërkim i vetëdijshëm skenik.
Filipi ka zgjedhur disa aktorë që kanë punuar në ato dy vepra të tragjedianëve grekë. Kujtojmë "Medean" me regji të Mikel Kalemit, ku ka interpretuar Anagnosti po edhe Ahmet Pasha e Vasjan Lami që do të jenë tek "Elektra".
Aktorë të tjerë janë Monika Lubonja, Bujar Asqeriu, Marjeta Larja, Elida Janushi, Erjona Kakeli etj. Skenograf është Fatbardh Marku, ndërsa koreografia dhe kostumet do të realizohen nga artistë greke.
Regjisori Filipi ka thënë pak fjalë dje në prani të studiueses së teatrit antik grek Dimitra Kokino, pedagoge e antikitetit në British Academy of Arts në Londër, leksioni i së cilës po ndiqej me penë në dorë nga disa aktorë dhe me veshë hapur nga disa të tjerë. Filipi është shprehur se regjia ka për të sjellë një vepër ndërmjet antikes dhe modernes.
Kështu që premiera nga një anë dhe këndvështrimi bashkëkohor nga ana tjetër, "përbëjnë padyshim sfidë skenike teatrore e denjë për ambicien e një teatri prestigjioz sikurse është dhe Teatri Kombëtar", u tha më pas në njoftimin për shtyp.
"Vepër që përcjell emocione të fuqishme që bartin vetëm ata që paguajnë shumë dëshmi, të mos harrojmë se vuajtjet e njeriut janë ngjitëse. Ndaj gjithmonë Elektra vjen si një eko e së kaluarës, si një thirrje për drejtësi e vlera morale", thuhet po aty.
Nga : Gazeta Shekulli