Elhaida Dani e Cocciante sot ne Tirane

Elhaida Dani e Cocciante, sot ne Tirane
Elhaida Dani e Riccardo Cocciante mbërrijnë sot në Tiranë. Vajza që ka bërë të ndihen krenarë miliona shqiptarë dhe ka bërë për vete shumë italianë, fituesja e edicionit të parë të “The Voice of Italy”, do të vijë e shoqëruar nga trajneri i saj, kantautori Riccardo Cocciante. Përmes një njoftimi të Ministrisë së Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, mësojmë se ata vijnë në Tiranë me ftesë të ministrit të TKRS-së, Visar Zhiti, nën kujdesin e Kryeministrit Sali Berisha. “Kjo vizitë organizohet në vlerësim dhe falënderim të kantautorit, i cili e udhëhoqi dhe e ndoqi me përkushtim dhe ndjeshmëri të pazakontë, performancën e saj në rritje”, thuhet në njoftimin për shtyp.

Riccardo Cocciante dhe Elhaida Dani do të mbërrijnë sot në orën 11:45, në aeroportin “Nënë Tereza” në Rinas, ku do të priten nga përfaqësues të Ministrisë së Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve. Në orën 18:00 parashikohet një takim me ministrin Zhiti në ambientet e MYKRS dhe menjëherë pas tij do të zhvillohet edhe një konferencë për shtyp. Ndërsa nesër në orën 10:00 do të zhvillohet një takim me Presidentin e Republikës së Shqipërisë, Bujar Nishani, që do të pasohet nga një ceremoni dekorimi. Kalendari i vizitës së Elhaida Danit dhe Riccardo Cocciantes parashikon edhe një takim me Kryeministrin Sali Berisha.

Me shumë gjasa, në mbrëmje Elhaida Dani do të jetë e pranishme në natën finale të “Top Fest”, ku ajo u shpall fituese e çmimit “Best neë artist” dhe e trofeut të madh të festivalit. Por, rrugëtimi i Elhaidës fillon shumë më herët. Me ndihmën e jashtëzakonshme të prindërve, të cilët kanë bërë shumë sakrifica, duke u zhvendosur vazhdimisht nga Shkodra në Tiranë, Elhaida mundi të realizonte ëndrrën e saj dhe të së ëmës për t’u marrë me muzikë, fillimisht duke studiuar piano e më tej duke ndjekur rrugën e këngës, që edhe do ta bënte të njohur për publikun.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama