Elhaida Dani fiton The Voice of Italy 2013 merr 71 per qind te votave

Elhaida Dani fiton 'The Voice of Italy 2013', merr 71 per qind te votave
Elhaida Dani është fituesja e “The Voice of Italy 2013”, duke kaluar paragjykimet dhe duke bërë krenar çdo shqiptar. E përlotur, ajo falënderoi të gjithë ata që kishin besuar në zërin e saj në shqip duke thënë “faleminderit”. Bashkë me trajnerin e saj në këtë aventurë, Riccardo Cocciante, ajo interpretoi nën triumf këngën “When love calls your name”. Elhaida Dani shkoi në finale bashkë me konkurrentin tjetër Timothy Cavicchini. Gjatë gjithë spektaklit ajo ka qenë më e duartrokitura dhe më e komentuara në rrjetet sociale.

 “Bravissima!, Stratosferica!, Non ha rivali!, Fenomenale!, E la migliore di tutti!, Stupenda”, ishin komplimentet që kanë shoqëruar gjatë gjithë kësaj mbrëmje atë që tashmë është zëri jo vetëm i Shqipërisë, por edhe i Italisë. “Ajo nuk është thjesht muzikale, siç thotë Rafaela, ajo mund të këndojë gjithçka”, kështu u shpreh Riccardo Cocciante, sapo këngëtarja shqiptare, Elhaida Dani, këndoi “I will always love you”, të Whitney Houston.

“Për talente të tilla nuk ka rëndësi se cilit popull i takojnë”, tha ai. Pas duartrokitjeve të publikut që shoqëruan gjatë artisten e re nga Shqipëria, moderatori i “The Voice of Italy” iu drejtua Noemit, duke i thënë: “A ke frikë nga Elhaida Dani?” “Jo, është një këngëtare e mrekullueshme”, tha ajo. Mbrëmja finale e “The “Voice of Italy” ka qenë një shpërthim për Elhaidën. Në të tria këngët e zgjedhura për të interpretuar ajo ka shkëlqyer, duke marrë komentet pozitive nga juria. Bashkë me Riccardo Cocciante ajo këndoi një nga këngët hit të tij, “Margarita”. “E kam të lehtë ta këndoj këtë këngë, pasi në vendin tim, Shqipëri, është një këngë shumë e njohur. Unë jam rritur duke e dëgjuar këtë këngë”, tha Elhaida para interpretimit. Kur ajo këndoi këngën “When love calls your name”, Cocciante e quajti atë “një diamant”. Mbrëmja finale e “The Voice” ka qenë një spektakël i vërtetë i mbushur plot emocione. Katër finalistët e këtij edicioni ishin Veronica de Simone, Elhaida Dani, Silvia Capasso dhe Timothy Cavicchini.

“Jeta ime këto javë ka ndryshuar. Ishte një eksperiencë e bukur, që besoj se do më vlejë shumë në të ardhmen”, tha Elhaida. Në skenën e “The Voice” ka interpretuar dje këngëtari më i suksesshëm i momentit, PSY, i cili ka kënduar këngën e tij të fundit, duke ngritur në këmbë sallën të kërcente bashkë me të. Grupi i Modà ishin të ftuar special në këtë mbrëmje. Pas televotimit, e para që la garën e “The Voice” mbrëmë ishte Silvia Capasso. Kalimi i Elhaidës në treshen që do të vazhdonte ëndrrën e “The Voice” ishte emocionues për të dhe për trajnerin e saj Cocciante. Ajo këndoi një këngë plot rimë të Di Jessie “Mama knows best”. Entuziazëm solli dhe interpretimi i Noemit dhe Rafaella Carra.

Një performancë plot emocion ishte dhe interpretimi për herë të parë në një duet i dy zërave të njohur të muzikës italiane, si Piero Pelu dhe Riccardo Cocciante. Konkurrentja e dytë që u eliminua gjatë mbrëmjes së djeshme ishte Veronica de Simone, ndërsa Elhaida Dani dhe Timothy Cavicchini, ishin dy konkurrentët që shkuan drejt etheve për çmimin e madh. Kënga e fundit që Elhaida këndoi para dhënies së verdiktit të publikut dhe jurisë ishte “Adagio” e Lara Fabian, ndërsa Timothy këndoi këngën e Vasco Rossi-t “Senza Parole”.

Elhaida Dani u bë e njohur për publikun pas interpretimit në “Top Fest 9” me këngën “Ti s’je më”, me të cilën u vlerësua me çmimin e parë.

Para se të hynte në “The Voice”, Elhaida ka treguar se ka provuar të hynte tek “Amici” i Maria De Filippi-t, por nuk kishte kaluar. Kur ajo këndoi për herë të parë në “The Voice” të katër anëtarët e jurisë e shtypën butonin e kuq, por ajo zgjodhi Cocciante-n, pasi ishte idhulli i saj që i vogël. “Ai ishte idhulli im që e vogël; teksa këndoja, lutesha që ai të kthehej i pari, në zemrën time tashmë e kisha zgjedhur. Nëse kam arritur deri në finale, është edhe falë tij e falë mbështetjes së publikut”, ka thënë ajo. Kur ajo shkoi në Itali dinte pak italisht, por Cocciante e bëri të ndihej si në shtëpinë e saj.

“Ai është këngëtar shumë human. Mësimi më i rëndësishëm që më ka dhënë është të mos mbaj për vete emocionet, por t’ia përcjell ato publikut”, ka thënë ajo. Për adhuruesit e këtij shou, këngëtarja shqiptare ishte zbulimi i vërtetë i këtij spektakli, një vajzë që përcjell emocione të forta kur këndon, një zë i shkëlqyer, siç do të shprehej trajneri i saj.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama