Në audicionin e parë Elhaida zgjodhi të prezantohej me këngën Mama knows better, duke bërë për vete të katër anëtarë e jurisë, emra të njohur jo vetëm në skenën italiane por dhe në atë ndërkombëtare. Dhe Elhaida zgjodhi Rikardo Kocianten. Në fazën e dytë të garës ajo zgjodhi të fitonte betejën kundër Franceska Belenis me këngën “ No more Tears” të Dona Samërs.
Ndërsa gjatë gjysëm finales ka qenë mësuesi i saj Kociante që i dha 60 pikët e fitores që e cuan në finalen e madhe të mbrëmjes së sotme. Mediat italiane gjatë përshkrimit të rrugës së saj artistike në Itali përmendin dhe faktin se ajo nuk është pranuar në konkursin për të marrë pjesë në një tjetër talent show “Amici”. Një program i mediaset i drejtuar nga Maria De Filippi dhe që ka parë shumë talente shqiptare të lënë gjurmët e tyre. Por gjithësesi publiku italian tashmë ka njohur dhe ka mësuar të dojë Elhaidën, duke bërë që mediat vendase ta shohin si një nga pretendentet kryesore, dhe duke thënë që e vetmja gjë që mund ta penalizojë është origjina e saj shqiptare. Por Elhaida ka treguar bindshëm që di të bëjë për vete me zërin e saj, dhe në finalen e madhe do të jenë të shumtë ata që do e mbështesin, shqiptarë ose jo.