Eliksiri i jetegjatesise fshihet te miqte

Eliksiri i jetegjatesise fshihet te miqte
Një shprehje e urtë popullore thotë: “Kush gjen një mik, gjen një thesar”. Duke u bazuar te shkenca, kjo shprehje vlen edhe më shumë: Të kesh një rreth të ngushtë shoqëror, me shumë miq, i shton vetes shumë vite jetë. Për ata që nuk e dinë, vetmia ka një efekt negativ në mirëqenien e njeriut, madje shumë mjekë e kanë krahasuar me dëmet që shkakton duhani dhe alkooli. Të ndenjurit mes miqsh ju mbron nga jeta sedentare dhe obeziteti.

Një studim amerikan, i realizuar nga “Brigham Young University”, publikuar dhe komentuar në “Plos Medicine”, ka zbuluar risinë e fundit se, duke u mbështetur te miqtë e ngushtë, rrisni deri në 50 për qind jetëgjatësinë. Nëse merren në konsideratë vetëm marrëdhëniet e suksesshme, atëherë keni më shumë avantazhe. Por cilat raporte vlejnë më shumë? Të gjitha: marrëdhëniet në punë, shoqëritë aventureske, ato mes prindërve, fqinjëve, të afërmve. Sa më shumë miq të keni, aq më mirë është, sepse të gjithë kontribuojnë në efektin e jetëgjatësisë. Edhe armiqtë kanë pjesën e tyre.

Në fakt, studimi në fjalë ka analizuar 148 punë të prezantuara në letërsinë shkencore. Në studim nuk ekzaminohet cilësia e mirë ose e keqe e marrëdhënieve shoqërore, por vetëm frekuentimi dhe pasojat që vijnë nga ndarja prej miqve, në një periudhë mesatare prej shtatë vjet e gjysmë. Autorët e studimit, Julianne Holt-Lunstad dhe Timothy Smith, i kanë shtuar analizës së tyre një tjetër pikë: që mungesa e marrëdhënieve shoqërore është një rrezik i madh për shëndetin e njerëzve. Sipas llogaritjeve të tyre, fakti që një person nuk ka marrëdhënie shoqërore rëndon seriozisht në perspektivat e jetës, është njësoj si të tymosësh 15 cigare në ditë, të jesh skllav i alkoolit, ose të ndjekësh një stil jetese tepër sedentare.

 Pra, të qëndroni vetëm, pa miq e shokë, është dy herë më shumë e rrezikshme se sa të jeni obezë. “Ende sot, ideja që mungesa e lidhjeve shoqërore mund të jetë një faktor rreziku vdekjeprurës, nuk është shumë e përhapur mes organizatave shëndetësore dhe opinionit publik”, thotë një nga studiuesit, që shpjegon dhe komenton studimin.

Shoqërimi me të tjerët, në të mirë dhe në të keq, të zgjat jetën, ndërkohë që izolimi në vetvete nuk bën gjë tjetër veçse shton konfuzionin dhe shkurton jetën. Sipas shkencëtarëve, motivi i efektit “guri filozofik” i marrëdhënieve shoqërore qëndron në faktin se të kesh shumë miq zhvillon te një individ një sens të madh përgjegjësie në lidhje me vetveten. Kush është i rrethuar nga njerëz që e duan, familjarët dhe miqtë, është i prirur të kujdeset më shumë për veten dhe të pësojë më pak rreziqe. Të jesh i rrethuar nga persona që të duan të mirën, do të thotë të ndihmosh veten dhe të tjerët në çaste vështirësie.

“Një rreth i ngushtë shoqëror ka efekte pozitive në çdo lloj moshe, si në rini, ashtu edhe pleqëri. Po ashtu mbijeton edhe në epokën e internetit”, bëjnë të ditur studiuesit Holt-Lunstad dhe Smith. Por duhet të bëni kujdes: të keni “qindra miq” në “Facebook” nuk do të thotë se keni një rreth shoqëror të zhvilluar. Edhe pse teknologjitë e reja na japin shpesh herë iluzionin e kundërt, asnjë kontakt virtual nuk mund ta zëvendësojë një mik “prej mishi”, dhe nuk ka të njëjtin efekt që ndikon për të jetuar më gjatë. 
Miqësia është një zjarr që nuk shuhet kurrë. Mund të krahasohet me diellin ose dritën, të cilat ekzistojnë përjetë.

Të kesh një mik të vërtetë, është njësoj si të zotërosh një thesar që nuk e sheh, por e ke. Vetëm jeta mund të tregojë se kush janë miqtë e vërtetë, nëse miqësia është iluzion apo ekziston realisht. Vlerat e vërteta të miqësisë janë besimi dhe ndershmëria. Kur një person pa hezituar, të sheh në sy dhe të thotë “Po, kam besim te ti!”, atëherë ajo është një miqësi e vërtetë. Mik është ai që di të të kuptojë, nëse ke një problem është i gatshëm të të ndihmojë, që beson te ti dhe ajo që bën. Miqësia është diçka e përjetshme, që as nuk lind dhe as nuk vdes, por jeton pafundësisht te çdonjëri prej nesh.

Gjithashtu është edhe një nga eksperiencat më të bukura që të ofron jeta. Të gjithëve na pëlqen t’i ndajmë gëzimet dhe hidhërimet me personat që i njohim mirë dhe i konsiderojmë miq të vërtetë. 
Shumë persona e ngatërrojnë kuptimin e vërtetë të miqësisë dhe mendojnë se edhe një njeri i thjeshtë që të përshëndet e të buzëqesh, është një mik i ngushtë. Miqësi e vërtetë është ajo që lind nga zemra dhe nuk ndjen asnjë zili karshi të tjerëve. Kjo është arsyeja pse shumë persona nuk besojnë te miqësitë, sepse asnjëra nuk është e ndershme. Të gjithëve do të na pëlqente të kishim një “mik të vërtetë”, por ai ose ajo ekziston vetëm në ëndërr. Ja përse shumë prej nesh preferojnë të zgjedhin ditarin si mikun më besnik, t‘u besojnë mendimet dhe të mos ia hapin zemrën një personi.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama