Këngëtarja Elina Duni rikthehet në Tiranë për të promovuar albumin “Muza e zezë”. Ajo ka zgjedhur Piramidën për të mbajtur koncertin e saj recital për dy net, sonte dhe nesër ora 20.00. Piramida pas kaq kohësh për dy net do të kthehet në skenën e muzikës jazz. Ky koncert për Elinën nuk është vetëm për të realizuar promovimin e albumit të saj, por edhe për të rivitalizuar një “gërmadhë” të harruar, që deri më tani nuk është kujtuar asnjë drejtues për të. Të ardhurat që janë mbledhur nga biletat do të shkojnë për bamirësi, në ndihmë të invalidëve. Ky aktivitet do të jetë njëkohësisht edhe një urë lidhëse mes Prishtinës dhe Tiranës. Muzikantët që shoqërojnë Elinën vijnë nga dy kryeqytetet shqiptare: Armend Xhaferi në kitarë dhe Enver Muhameti nw bas, Enes Bajramliqi në bateri, Gent Rushi në fizarmonikë dhe piano, Ermal Rodi në saksofon dhe klarinetë . Në pjesën e parë të koncertit do të jetë edhe Vlashent Sata. Disa nga këngët që përmban albumi janë: ‘Zgjeroje zemrën’, ‘Në haremin tënd’, ‘Kështjella’, ‘Era e fëmijërisë’, ‘Little love’, ‘Pamundësi’ e ‘Të ç’dua’ etj. “Muza e zezë” është albumi i VIII për Elinën.
Elina, përse albumin e VIII e ke titulluar “Muza e zezë”?
Së pari, sepse është misterioze dhe ka tre z. Realisht, nuk e mendoja se njerëzit mund ta perceptonin si diçka të zezë, që ka të bëjë me vdekjen ose me fatkeqësinë. Përpara kësaj, unë nuk isha kaq e përgjegjshme për vlerësimin që ka në shqip. Unë e shikoja si muzg, si muzën e elegancës, e zeza sipas meje është thellësi, mister, nuk është vetëm diçka që ka të bëjë me vdekjen, është e lidhur me natën.
“Në Tiranë” është njëra një këngët e albumit. Por si e ruan lidhjen tënde me Tiranën?
Në fakt, jam shumë e lidhur me Tiranën. Kam përshtypjen se, në çdo pjesë të botës ku shkoj, kam një pjesë të Tiranës me vete. Unë kam kaluar një fëmijëri të jashtëzakonshme në Tiranë. Më është dashur shumë kohë, që të mos vazhdoj të kërkoj fëmijërinë time rrugëve të Tiranës, në çdo gur, në çdo mur, në çdo shtëpi të vjetër që shikoja, për të më sjellë në kujtesë atë që kishte qenë. Më është dashur shumë kohë që ta pranoj se Tirana e atëhershme nuk është më. Ajo që ka qenë është shndërruar dhe tani jeta vazhdon.
Kënga “Në Tiranë” është kompozuar në vitin 2006, por në fakt është një deklaratë shumë e madhe dashurie për Tiranën. Ndonjëherë gjërat e realitetit në Tiranë, që nuk janë edhe aq të bukura si, gropat, plehrat etj., bëhen si përfundim gjërat më të shtrenjta, në një lexim të dytë të gjësë. Unë besoj se aty brenda është një ëmbëlsi që reflekton.
Diku në vargjet e kësaj kënge thua se: "Kjo është balta ime, më e mira, më e shtrenjta...", por çfarë përjeton emocionalisht kur kthehesh në Tiranë?
Kur jam larguar unë, kam lënë rreth 250 mijë veta në Tiranë. Nuk kishte shumë makina, nuk kishte kaq shumë pallate, kishte shumë shtëpi përdhese. Ishte një kohë tjetër... Kurse sot në të po jetojnë rreth 1 milion njerëz. Ka lagje që unë nuk i njoh. E bukura në atë kohë në Tiranë ka qenë se, edhe nëse ishe në mes të qytetit, gjelbërimi që kishte, të linte të mendoje sikur ishe në një fshat. Por besoj se kështu nuk ka qenë vetëm Tirana, ka qenë një epokë tjetër. Paradoksi qëndron se ajo fëmijëri ajo epokë ka qenë shumë e bukur, më pas nisnin problemet. Unë kam kaluar një fëmijëri shumë të bukur me shumë diell dhe shumë dashuri.
“Pamundësi” dhe “ Zgjeroje zemrën”, janë nga poezitë e shkrimtares Besa Myftiut, dhe të poetit Ndoc Gjetja. Çfarë tematikash trajtojnë ?
Ndoc Gjetja është një poet shumë i veçantë, ai ka qenë edhe një njeri shumë i veçantë. Mua më ka folur për të, sidomos mamaja ime, sepse ai ka qenë kryeredaktori i gazetës “Skena dhe ekrani”. Në kohën e demokracisë, ai ka pasur mundësi që të bënte shumë gjëra, të ishte në pushtet, por zgjodhi që të shkojë në Lezhë dhe të bëhet bari. Më prek shumë me poezinë, “ Zgjeroje zemrën”, ku ndër të tjera shkruan: “Desha të hyj në zemrën tënde, u kërrusa, u kërrusa, u bëra lëmsh sa një top. Por prapë e dashur zemra jote, nuk më zuri dot. Ndoshta dhe mund të hyja, por të them të vërtetën, i kërrusur s’mund të rrija, që të rrija atje gjithë jetën. Zgjeroje zemrën time më tepër, dhe në qoftë se më nxë do të hyj patjetër...”. Është shumë humanist si tekst, njerëzor, i thjeshtë, i çiltër dhe kjo më ka pëlqyer shumë.
Kurse poezia e Besës, “Pamundësi”, është një tekst më i trishtuar. Ajo flet për një histori të pamundur dashurie, ku unë kam gjetur një lloj trishtimi poetik. Mua më pëlqejnë shumë poezitë e Besës, i ka shkruar përpara shumë vjetësh, përpara se të shkruante në frëngjisht, por mua më pëlqen shqipja e saj. Ka qenë gati një rastësi që unë e kam zgjedhur, sepse më ka pëlqyer si tekst. Jo çdo poezi mund të bëhet këngë, ka dhe poezi që janë krijuar thjesht për të qenë poezi.
Për 13 këngët e tjera ti je autorja e teksteve. Kur është ai moment që Elina zgjedh për të shkruar?
Tekstet e mia i përkasin periudhës kohore 2006-2013. Unë shkruaj natën (qesh). E dua shumë natën, më pëlqen shumë që të eci në qytet natën, sepse kam përshtypjen se nata të jep mundësinë që të kem një këndvështrim tjetër mbi gjërat. Ka një lloj qetësie, një lloj melankolie, deri diku një lloj lirie. Jam edhe njeri i natës, sepse jam aktive natën, këndoj. Dhe gjatë ditës përgatitem për natën. Përveç natës më pëlqejnë ekstremitetet e ditës, më pëlqen muzgu ose agimi, që më duken shumë frymëzuese.
“Tekstet nuk janë autobiografike, por besoj se sinqeriteti bën që publiku ta dojë këngën”
Nëse do të veçonit një prej teksteve që ke shkruar, kë do të përzgjidhnit?
Është një këngë që besoj se njerëzve u pëlqen shumë.. Ajo quhet “Mos ki frikë”, unë e kam kënduar disa herë live me kitarë në disa emisione të ndryshme. Është një këngë ndarje, ku dikush i tregon tjetrit se si të shërohet nga ai. Duhet të bësh këtë, edhe këtë, e pastaj nuk do të vuash më. Është një këngë që tregon se, asgjë nuk është e qëndrueshme. Unë i besoj shumë filozofisë Zen, se asgjë nuk është fikse, por që gjërat gjithnjë transformohen.
Është një dedikim ky?
Jo nuk është një dedikim, por një këndvështrim që kam bërë mbi ndarjen apo dashurinë, mbi këto tematika të pafundme, që kanë frymëzuar dhe që vazhdojnë të frymëzojnë shumë njerëz. Ajo që dua të them është se, thelbi i këngës është: “Mos ki frikë shpirt, se koha shëron gjithçka përveçse budallenjve. Sado e dhimbshme të duket sot, nesër asgjë nuk është e pafundme”. Dua të them se gjithçka kalon. Koha shëron dhe na mëson që të mësohemi me gjithçka. Asgjë nuk ngel në vend.
Elina a ke një muzë, nga e cila frymëzohesh herë pas here?
Më frymëzon jeta, nata, por edhe ngjarjet që mund të jetojmë. Prandaj unë jam e parimit që, gjithçka që unë them të jetë një e vërtetë, që ne e jetojmë, që të mund ta ndiejë çdokush.
Ka grimca autobiografike në tekstet e këngëve?
Kjo nuk është e lidhur me personalen, por të jesh e sinqertë në atë që thua. Këngët nuk janë autobiografike, por besoj se sinqeriteti apo vërtetësia bëjnë që publiku ta dojë këngën. Nëpërmjet tyre do të identifikohet dhe do të thotë se: “A po, këtë e di se çfarë do të thotë”. Aty të gjejnë veten. Ky është parimi i parë. Tani kam përshtypjen se këngët u flasin njerëzve, prandaj unë mendoj se albumi do të bëjë rrugëtimin e tij. Për një krijues është gjëja më e bukur, kur një këngë që ka krijuar të bëhet pjesë e dikujt tjetër dhe secili jep domethënien e tij, krijon filmin e tij me të. Këtu improvizimi, pjesa instrumentale nuk kanë vend, kurse live është më ndryshe.
Përpos muzikës do të ketë edhe instilacione, video?projeksione të artistëve të post?academy, si të duket ky bashkëpunim? Çfarë e bashkon xhazin me këtë zhanër?
Kam dashur prej kohësh që ta bëj këtë, është hera e parë që kam një prezantim me ta.
Lidhja jote me Prishtinën është shumë e ngushtë. Në këtë album 3 artistë vijnë nga Tirana dhe 3 nga Prishtina. Është kjo mënyrë, një urë lidhëse që po kërkoni të zhvillohet edhe më tej?
Muzikantët janë nga Prishtina dhe nga Tirana, arti është përtej kufizimeve, përtej Tiranës, përtej Prishtinës. Unë kam shumë kohë që po bashkëpunoj, por ndodhi që muzikantët të ishin të të dy kryeqyteteve. Më vjen shumë mirë që është kështu. Ata janë: Armend Xhaferi në kitarë, Enes Bajramliqi në bateri, Enver Muhamedi në bas Gent Rushi në fizarmonikë dhe piano, dhe Ermal Rodi në saksofon dhe klarinetë .
Keni shkruar edhe në gegërisht, këngën “Shuj”...
Edhe në tekst kam një lloj dëshire për të bashkuar pak shqipen. Shumica e teksteve janë të shkuara në gjuhë standarde, sepse është me të cilën jam rritur, por duke qenë shumë shpesh në Kosovë, kam adaptuar dhe disa shprehje që kanë frymëzuar këtë këngë, që e kam shkruar në gegërisht. Nuk e di, por unë kam dëshirë që të bashkoj njerëzit, të bëj ura lidhëse, ashtu siç i bëj me xhazin edhe me folkun shqiptar. Kjo është një urë lidhëse për shqiptarinë. Prandaj zgjodha që promovimin ta bëjnë këto dy kryeqytete. Do të doja që të kishte më shumë bashkëpunim midis nesh, sepse çdo bashkëpunim është pasuri. Uroj që të vazhdoj kjo frymë.
Të kuriozon titulli i këngës “Të ç’dua”?
Ndonjëherë shqipja ka disa formula që nuk mund të përdoren në një gjuhë tjetër, por që mund të përdoren në shqip. Si puna e ç -së, që anulon aktin, si të dua të ç’dua, të bësh, të ç’bësh. Në këtë kuptim që të jep të kundërtën nëpërmjet një shkronje. Unë kam luajtur më këtë gjë që më dukej shumë interesante, asnjeri nuk thotë të ç’dua , “Të ç’dua dikë”.
“Piramida duhet të ringjallet nëpërmjet artit, nuk i përket politikës”
Elina, sapo jeni kthyer nga Prishtina, pas promovimit të albumit në “DAM Festival”. Si i priti publiku kosovar këngët,që kësaj here ishin origjinale?
Gjithmonë kam pasur një lidhje shumë të mirë me publikun kosovar. Që në vitin 2004, kur ka filluar bashkëpunimi im me “Retrovizorja”, unë shkoj vazhdimisht atje. Prishtina është një vend ku unë e ndiej veten si në shtëpinë time. Nuk është si Tirana, sepse këtu është vendi im, por edhe atje gjej ngrohtësi, sepse më presin shumë miq. Më pëlqen shumë fakti që, publiku ka reaguar shumë mirë ndaj këngëve. I ka marrë dhe i ka mirëkuptuar, pavarësisht se ishin origjinale. Sigurisht që, ekzistonte edhe frika, sepse ata edhe mund të prisnin diçka të njohur, si këngët folklorike.
Sonte do të interpretoni te Piramida, është kjo një thirrje për ta rivitalizuar atë?
Që në fillim, kur mendova promovimin e “Muzës së zezë”, shpreha dëshirën për të realizuar koncertin te Piramida. Doja të dilja nga ambientet e njohura, kisha dëshirë që të provoja diçka tjetër. Piramida ka qenë për mua një emblemë. Sot, të gjithë mendojmë se çfarë do të ndodhë në atë vend në mes të kryeqytetit, i cili po rrënohet dhe po shkatërrohet dita-ditës. Në fakt, më dhembte. Sa herë që e shikoj më dhemb.
Çfarë kujtimesh ruan për Piramidën?
Unë mbaj mend se kam qenë atje kur isha e vogël, atëherë njihej ende si Muzeu i Enver Hoxhës. Mbaj mend se ishte një vend shumë impresionues në atë kohë. Më ka pëlqyer gjithmonë arkitektura e saj, më është dukur diçka shumë e veçantë. Më pas, unë kam shkuar aty kur jam ftuar nga mediet dhe nga klubet që kanë pasur aktivitete në këtë godinë. Kam kujtime tek ai vend. Prandaj kisha shumë dëshirë që të realizoja diçka brenda saj. Patëm fatin që të rregullonim çdo gjë, që nga dera kryesore e më tej, çdo gjë është shtruar. Janë gjëra që sot të krijojnë përshtypjen e një skene të magjishme. Unë besoj se ai është një vend i veçantë, që duhet të ringjallet nëpërmjet artit. Aty nuk ka të bëjë as politika, asgjë. Ajo mund të ishte një qendër arti e jashtëzakonshme, në mes të kryeqytetit. Dëshira ime për këtë koncert ka qenë, që të mos jetë thjesht një koncert promovimi, por diçka më shumë, një eveniment artistik nëpërmjet video-produksioneve dhe artistëve të tjerë të ftuar, një eveniment që ta nxjerr në pah Piramidën,
Të ardhurat nga biletat do të jenë për njerëzit me lëvizje të kufizuar?
Ideja është që të vendoset një ramb, në një institucion shtetëror siç është TKOB, që ka lidhje me artin, të ndërtohet diçka për njerëzit që nuk mund të ecin. Besoj se kjo ide shkon në vazhdimësi me të gjithë procesin e këtij promovimi, duke filluar që nga sensibilizimi ndaj Piramidës, po edhe për ata njerëz me aftësi të kufizuara për të cilët nuk flitet shpesh.