Përfaqësuesi i Kongresit amerikan, Eliot Engel është shprehur se Kuvendi i Kosovës duhet që të votojë pro krijimit të Gjykatës Speciale pasi është zgjedhja më e mirë.
Në një konferencë për shtyp, menjëherë pas takimit që zhvilloi me krerët e Gjykatës Supreme dhe asaj Kushtetuese, Engel ka rikonfirmuar mbështetjen e Amerikës për Kosovën. Përfaqësuesi i Kongresit amerikan është shprehur se në rast se Kuvendi i Kosovës nuk miraton krijimin e Gjykatës Supreme, alternativa tjetër është krijimi i saj nga Këshilli i Sigurimit i OKB-së.
“Ne kemi biseduar për të gjitha, përfshirë edhe Gjykatën. Mendoj se është shumë me rëndësi, që Kuvendi i Kosovës ta kalojë ligjin për Gjykatën Speciale. E di që ky është një vendim i vështirë, i dhimbshëm, i pamundshëm, por alternativa e vetme për ta krijuar këtë gjykatë është, që ajo të themelohet në Kombet e Bashkuara. Nuk besoj se Kosova do të përjetonte ditën e saj më të mirë, po të shkonte kjo gjykatë në Kombet e Bashkuara. Mendoj se zgjidhja është e vështirë dhe e dhimbshme, por, prej dy mundësive të gatshme, më e mira është që vetë Kosova ta themelojë Gjyaktën Speciale”, tha Eliot Engel, anëtar i Kongresit amerikan.
Eliot Engel, i cili po qëndron në Kosovë në një vizitë 5 ditëshe, tha se është e rëndësishme gjithashtu, që Kosova të forcojë sistemin e saj juridik, të angazhohet në shkarkimin e gjykatave nga rastet e shumta të grumbulluara dhe të mos ketë ndërhyrje politike në sistemin e drejtësisë.
Në fund, Engel tha është shumë krenar për Kosovën, si vend i pavarur dhe i lirë: “Më ka ardhur mirë, që ta shoh një gjë të tillë para syve të mi. Natyrisht që disa sfida kanë mbetur, janë me mijëra raste të pazgjidhura. Duhet të sigurohemi, që sistemi i drejtësisë të jetë i lirë nga ndikimi politik dhe i pavarur, sepse gjykatat e lira janë çelësi i demokracisë”.
Kongresmeni amerikan, i shoqëruar edhe nga ambasadorja e SHBA-ve, Tracey Ann Jacobson, është takuar edhe me Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga. Sipas komunikatës për shtyp, në takim u diskutua për rendin dhe ligjin, detyrimet ndërkombëtare, perspektiva europiane dhe normalizimi i marrëdhënieve mes vendeve të rajonit.