Elis Bakaj duket se do të jetë largimi i parë nga Tirana. Bomberi i bardhebluve me shumë gjasë sezonin e ri do të startojë një tjetër aventurë jashtë vendit dhe në "pole" për kartonin e tij aktualisht janë sllovakët e Sllovan Bratislavas. Këta të fundit i kanë bërë ofertë zyrtare prej 160 mijë eurosh në sezon, megjithatë negociatat janë shtyrë për një moment të dytë, pasi vetë futbollisti pret një ofertë më të lartë, të paktën prej 200 mijë eurosh.
Në fundin e muajit maj, ai mbetet zyrtarisht i lirë. Në verën e 2015-ës, ai nënshkroi një marrëveshje 1-vjeçare, por me mundësi rinovimi. Megjithatë, pak kohë më parë ai ka bërë një kërkesë në klub dhe njëherësh ka vënë në dijeni edhe FSHF-në që të zhvlerësojë opsionin +1. Çka do të thotë që ai pas 30 majit mbetet futbollist i lirë.
Sigurisht që kjo nuk do të thotë që Bakajt dhe Tiranës nuk i lind e drejta për të lidhur një kontratë të re, nëse do të ekzistojë vullneti dypalësh. Megjithatë, duket se prioriteti i fantazistit është që të luajë jashtë Shqipërisë. Pasi të mbyllë pushimet, pritet që ai të vendosë zyrtarisht për të ardhmen. Por nëse do shkojë në Sllovaki, apo gjetkë kjo mbetet ende një rebus.
Fukui
Tirana shumë shpejt pritet që të nisë nga rinovimet e kontratave. Dhe një nga futbollistët që bardheblutë kanë në plan që ta blindojnë është pikërisht Masato Fukui. Ky i fundit ndodhet ende në Shqipëri dhe burime pranë lojtarit konfirmojnë për "Panorama Sport" se ai pak ditë më parë është takuar me bardheblutë, ku është folur për një mundësi për të zgjatur marrëveshjen edhe për sezonin e ardhshëm. Është ende herët për të thënë nëse kryeqytetasit e kanë bindur, por e sigurt është që negociatat do të vijojnë edhe më tej.
Tirana ka për të gjetur rezistencë për llogari të sulmuesit, duke ditur edhe interesin e kahershëm të disa ekipeve, përfshi këtu Partizanin. Ndaj, dashur pa dashur, për japonezin do të ketë "ankand" dhe ai që do të ofrojë më shumë, mund të përfitojë në fund.
Fukui, me paraqitjen e tij në këtë sezon të parë si lojtari i 24 herë kampionëve të vendit, fitoi jo vetëm zemrën e stafit teknik, por edhe të drejtuesve. Ndaj gjasat janë që klubi të bëjë gjithçka mundet për ta mbajtur këtë element edhe për projektin e të ardhmes.
Përgatiti: Adela Merko