Elisabeth Bishop kur nje burre iken…

Elisabeth Bishop, kur nje burre iken…
Sa herë një burrë ikte prej jetës së saj, Elisabeth kërkonte ta hidhte kujtimin e tij dalëngadalë rrugëve që zgjateshin drejt një vendi të largët që kishte zgjedhur të shkonte. Sa më e madhe të ishte boshllëku që ai kishte lënë brenda saj, aq më e gjatë ishte rruga. Vite më vonë, në shtëpinë e saj në Lewis Wharf në Boston, teksa shfletonte lehtë albumin e vendeve që kishte vizituar, ajo e lidhte çdo shtet me imazhin e një burri, dhe në fytyrën e saj mundohej të shihte rrudhat që i kishte lënë secili prej tyre… Por me Robert Lowell ndodhi ndryshe…

Ai nuk qe një burrë si gjithë të tjerët, ndoshta se dhe ajo në atë kohë nuk ishte më një romantike, dhe se bisedat mes tyre ishin si në librin që shkruan “në ajër”. Për herë të parë ajo u prezantua me poetin e njohur amerikan nga poetja Marianne Moore. Nga viti 1947 deri në vdekjen e tij më 1977 ajo do të ishte njeriu ku Robert kërkonte të rrinte gjatë. kritika e ka parë këtë marrëdhënie si me tepër ndikim në poezitë që ai ka shkruar, por në letrat që Elisabeth Bishop ka lënë pas vdekjes, Robert për të ishte “një formë dashurie”.

Mbi tryezën e punës së saj është një foto ku ata kanë dalë së bashku në plazh, me këmbët e zbathura mbi rërë…

Plazhi gjithnjë i ka pëlqyer Bishop. Në kujtimet e saj ajo shkruan “Kam qenë shumë romantike. Udhëtova njëherë e vetme nga Nauset Light që është kreu i Cape Cod për në Provincetown. Fill e vetme, për një ditë dhe një natë të tërë. Herë-herë shkoja për të notuar vetëm. Plazhi atëherë ishte krejt i shkretë. Nuk kishte asgjë të ndërtuar në breg”.

Robert Lowell & Elizabeth BishopElisabeth Bishop, një nga emrat më të njohur të poezisë amerikane, vijon të jetë një ndër poetet më të lexuara dhe pas vdekjes. Me një fëmijëri dhe rini disi të vështirë ajo iu përkushtua vetëm poezisë gjithë jetën e saj.

Ngjarjet më të dhembshme në jetën e saj ndodhën radhas brenda tetë viteve të para të jetës. E lindur në Worcester, Massachusetts më 1911, Bishop ishte vetëm tetëmuajshe kur i vdes babai. Nëna e saj vuajti një radhë depresionesh mendore dhe u mbyll njëherë e mirë në çmendinë, kur Bishop qe vetëm pesë vjeçe. “Kurrë nuk e kam fshehur këtë gjë”, shkruan diku ajo, “megjithëse nuk më ka pëlqyer as ta zmadhoj. Por, patjetër që është një fakt tepër i rëndësishëm për mua. Unë kurrë nuk e pashë më”. Kur Bishop shkroi mbi jetën e saj të hershme, siç bëri në shumë nga poezitë e tregimet e viteve ‘50-të, siç bëri edhe te libri i jashtëzakonshëm dhe i fundmi i saj Gjeografi III-1976, ajo iu shmang sentimentalizmit dhe mëshirës.

Dhe ndodhte kështu pasi ajo i shihte ngjarjet e jetës së saj pa dhembje, sikur të shihte peizazhe të huaja të cilat e joshën gjithë jetën Bishop. E kur shkruan për vendlindjen e saj, Nova Scotia apo për Brazilin e jep poezinë me një perspektivë të gjerë për kohën, duke e zbehur praninë njerëzore, tek lartëson dobësinë madhore të vëzhguesit njerëzor dhe misteret e hapura që e rrethojnë. Te poezia “në dhomën e pritjes” e shkruar më 1970, pas interesit të saj për detajin shpërfaqën burimet dhe motivet e poemës. Duke shfrytëzuar një ndodhi të vitit 1918 kur ajo ishte shtatë vjeçe, një vajzë e vogël që pret në paradhomën e dentistit tezen e saj – Bishop tregon sesi ajo gjatë shtjellimit të episodit bëhet e ndërgjegjshme sikur të qe lënduar prej çudisë absolute dhe fuqisë përpirëse të botës. Pas vdekjes të së atit, Bishop me nënën e saj vendosen te prindërit e nënës në Great Village, Nova Scotia.

Qëndroi atje për disa vjet pas futjes në çmendinë të nënës, deri kur ajo iku “u rrëmbye” (siç e përshkruan këtë ngjarje në një tregim të vetin Bishop) prej gjyshërve nga ana e babait në Worcester, Massachusetts. Kjo përvojë u pasua nga një radhë sëmundjesh, të cilat do ta përndiqnin gjithë jetën. Më vonë ajo jetoi në Nju Jork dhe Key West, Florida. Një klub udhëtimesh e mori atë në Brazil, i cili la tek ajo mbresa kaq të thella saqë qëndroi atje për më shumë se 16 vjet. Ekzili dhe udhëtimet janë bërthama e poezisë së Bishop.

Në poezinë e saj, Elisabeth u ndikua nga poetja Mariane Moore, të cilën e njohu në një librari më vitin 1934.

Vetëm katër vjet pas këtij takimi ajo do t’i drejtohej me letra që nisnin me fjalët “E dashur zonja Moore” dhe më vonë “E dashur Marianne”. Korrespodenca e tyre është një rrëfim mbi poezinë amerikane të atyre viteve, dhe mbi jetën e dy femrave që kërkuan t’u jepnin jetë vargjeve.

Ajo zgjati deri në vitin 1972 kur Moore ndërroi jetë. Titulli i librit të parë “Veri dhe Jug” (1946) hidhte vështrimin nga bota tropikale të cilën ajo do të zbulonte dhe jetonte vite më vonë, si dhe në kthim në detet e Veriut në Nova Scotia-s. Në vitin 1969 ajo nxori vëllimin “Poezitë e plota” titull ky ironik parë nga fakti që ajo vijoi të shkruante dhe të botonte poezi të tjera. Pasi la Brazilin Bishop u vendos në Boston më 1970 dhe dha mësim në Universitetin e Harvardit deri më 1977. Ajo u vlerësua me çmimin Pulitzer më 1955 për vëllimin që përmbante dy librat e parë të saj “Veri dhe Jug” dhe “Burim i ftohtë”. Ja si e kujton ajo ditën kur mësoi për çmimin e madh: “Shtëpia ku jetoja në ato kohë ishte në një majë mali. E zonja e shtëpisë, ishte një mikja ime dhe ishte larguar për në treg dhe unë isha vetëm në shtëpi me Marian, kuzhinieren.

Ra zilja e telefonit dhe dikush më foli në anglisht, gjë e rrallë të dëgjoje anglisht në Brazil dhe kërkoi të bisedonte me mua. Ishte një nga njerëzit e informacionit të ambasadës amerikane. “A e dini që fituat çmimin Pulitzer”, tha. “Oh të lutem…”, i thashë. E mora për shkaka, pa dyshim. “Nuk më dëgjoni”, vazhdonte ai. “Është e vërtetë nuk është lojë zonjë”. Nuk ishte ndonjë lajm që do t’i bënte përshtypje Marias, kështu që doja ta ndaja me dikë… Por nuk gjeta askënd që mund të ndante me mua një shishe verë. Të nesërmen një foto e imja ishte botuar në gazetë. Të nesërmen në treg shitësi i perimeve e pyeti një shoqen time: Mos është fotoja e Elisabethës në gazetë? Po, i tha ajo ka fituar një çmim. “Çfarë mrekullie zonjë, tha ai, javën që shkoi dikush tjetër provoi fatin në një lojë dhe fitoi një biçikletë…” .

Çmimin Kombëtar të librit për “Poezitë e plota” dhe më 1976 ajo ishte e para grua dhe i pari shkrimtar amerikan që mori çmimin ndërkombëtar të poezisë “Books Abrod Neustadt. Që pas vdekjes së saj më 1979, vepra e Elisabeth Bishop-it është përmbledhur në “Poezitë e plota 1929-1979” dhe “Proza të mbledhura 1985”.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama