Minoriteti grek, në territorin e Shqipërisë së sotme jeton kryesisht në Shqipërinë Jugore dhe Lindore. Sidomos gjatë sundimit otoman në Shqipëri erdhën shumë grekë për të punuar për pronarët shqiptarë dhe turq të tokave. Veçanërisht në rajonin e Gjirokastrës, Delvinës dhe Sarandës u zhvilluan një numër i madh fshatrash etnike greke.
Nën regjimin komunist, minoriteti më i madh etnik në Shqipëri vuajti bashkë me shqiptarët: atij iu mohuan të drejta bazë njerëzore, si liria e fjalës, e ushtrimit të fesë dhe zotërimit të pronës private. Analistë grekë dhe shqiptarë konkludojnë sot megjithatë se regjimi komunist nuk ndoqi një politikë genocidi dhe diskriminimi ndaj minoritetit grek.
Llambros Balciotis, historian në universitetin e Athinës, na thotë: "E para që duhet thënë, dhe kjo është pranuar nga të gjithë, është që nën Hoxhën nuk ka pasur politikë diskriminimi ndaj minoritetit grek, të paktën në formën që ishte konceptuar nga opinioni grek. Si historian, unë dhe kolegët e mi nuk e shohim të udhës të flasim në planin bardh e zi, nuk është e udhës të flitet. Por e them edhe njëherë, diskriminim, siç ka ekzistuar në zonën e Thrakës këtu në Greqinë verilindore, deri në fillim të viteve '90 nuk ka pasur ndaj minoritetit grek. Megjithatë, në mendjen e elitës politike shqiptare ka qenë që të krijohet një komunitet greqishtfolës, por me ndërgjegje shqiptare."
Publicisti dhe politikani Preç Zogaj mendon se respektimi tradicionalisht i minoritetit grek ka ardhur natyrshëm: "Edhe në kohën e tiranisë, minoriteti grek ka gëzuar disa të drejta që lidhen me natyrën e popullit shqiptar, që është një popull që e respekton tjetrin, ata që flasin gjuhë tjetër, që i përkasin një race tjetër."
Eshtë i vështirë një përcaktim i prerë, nëse kanë qenë disa të drejta të gëzuara kulturore e arsimore, pjesëmarrja në qeverisje lokale, gjithmonë sipas kuptimit komunist, apo një traditë civilizimi vetëpërmbajtjeje tek minoriteti grek, që nuk sollën konflikt etnik në Shqipëri me përmbysjen e diktaturës. Sidoqoftë, në epokën demokratike, të drejtat dhe detyrimet për minoritetin kërkonin një konceptim të ri.
Pjesëtarët e minoritetit grek u bënë pjesëmarrës aktivë në ndërtimin e shoqërisë së re pluraliste: në janar të vitit 1991 ata krijuan organizatën politike- kulturore OMONIA, e cila fitoi pesë mandate në Parlamentin Shqiptar pas zgjedhjeve të marsit 1991. Shteti shqiptar nga ana e tij nënshkroi konventat e OSBE-së për minoritetet dhe nisi plotësimin e legjislacionit, duke miratuar një sërë ligjesh, si atë "Për liritë themelore të njeriut", ligjin "Për tokën" etj, prej të cilave përfitonte edhe minoriteti grek.
Në kushtet e vështira të tranzicionit, kur shoqëria shqiptare po ndërtonte një identitet të ri, megjithatë nuk munguan përplasjet midis klasës së re politike shqiptare dhe përfaqësuesve politikë të minoritetit grek.
Disa akcente të politikës së jashtme të Shqipërisë në këtë periudhë, si forcimi i marrëdhënieve me Turqinë dhe me botën arabe paraqisnin në botë një Shqipëri me interesa të ndryshme, nga ato të Greqisë së asaj kohe. Kriza ekonomike dhe politike në Shqipëri i detyroi shumë minoritarë grekë, që (si shumë shqiptarë) të emigrojnë masivisht në Greqi. Kjo e vuri politikën shqiptare para kritikës së disa qarqeve greke se po e spastronte etnikisht Shqipërinë. Në këtë periudhë nuk vërehet një distancim i qartë i politikës zyrtare greke nga kërkesa të disa qarqeve vorioepirote.
Shtypi shqiptar botoi më tej një letër të hapur të kryetarit të OMONIA-s drejtuar kryeministrit të Greqisë në prill 1992, në të cilën, sipas shtypit, kërkoheshin investime më të mëdha greke në jug të Shqipërisë dhe ndihmë për arritjen e statusit autonom për minoritetin. Të gjitha këto forcuan mosbesimin e politikës shqiptare. Në këtë situatë, në prill 1994 qeveria shqiptare reagoi ashpër: Ajo arrestoi pesë krerë të organizatës OMONIA, të cilët ndër të tjera i akuzoi se donin të ndryshonin kufirin jugor të Shqipërisë:
"Unë jam një nga ata që isha në burg. Isha kryetar i OMONIA-s, një nga të pestë. E pse na morën në burg? Çfarë kërkonim ne? Kërkonim shkolla atje ku ka minoritarë grekë. Kërkonim të drejtat tona nga më elementaret. Dhe i kërkonim në mënyrë shumë paqësore. Megjithatë ndodhi. Dhe u bë një problem ndërkombëtar çështja e të pestëve" -tregon Theodhori Bezhani, njëri nga veprimtarët kryesorë të Omonias dhe kryetar i organizatës në atë kohë.
Gjyqi i të pestëve, që zgjati rreth një vit më në fund i liroi pesë të dyshuarit pasi konstatoi parregullsi në procesin gjyqësor. Megjithatë, kritika ndërkombëtare e artikuluar nga komisioneri për minoritetet i OSBE-së, Maks van der Stul, për rishikim të marrëdhënieve me minoritetin grek, qe një notë jo pozitive për qeverinë e parë demokratike të Shqipërisë. Kjo periudhë shënon edhe një acarim kulmor në marrëdhëniet midis klasës politike shqiptare dhe minoritetit grek, si edhe me shtetin grek. Situata e tendosur bëri që shumë pjesëtarë të minoritetit grek të mos ishin suportues të qeverisë Berisha, në revoltën popullore të rënies së firmave piramidale në vitin 1997.
Por zhvillimi demokratik i vendit e la pas këtë fazë acarimi në marrëdhëniet me minoritetin. Gjatë qeverisjes së socialistëve deri në vitin 2005, marrëdhëniet me Greqinë nuk patën oshilacione të mëdha. Përfaqësues të minoritetit grek na thanë se qeveria aktuale Berisha, pas ardhjes në pushtet i realizoi shumë nga premtimet e bëra në fushatën elektorale, si p.sh. hapjen e disa shkollave në gjuhën greke në zona në jug të vendit.
Incidente sporadike që kanë ndodhur, si djegia e flamurit grek në disa qytete të Shqipërisë pas bërjes së njohur të një videofilmi, ku ushtarë grekë këndojnë këngë antishqiptare, si dhe përsëritja edhe së fundi nga ndonjë përfaqësues i minoritetit të idesë për t'u dhënë autonomi zonave minoritare, nuk kanë prekur marrëdhëniet shtetërore e ndërqeveritare.
Kryetari i Partisë për Bashkimin e të Drejtave të Njeriut, Vangjel Dule i bën në mikrofonin tonë këtë karakterizim gjendjes së sotme të minoritetit grek në Shqipëri:
"Do ta shikonim këtë situatë në tre aspekte. Së pari në aspektin juridik. Pas viteve '90 në vendin tonë është bërë një përpjekje sistematike për shndërrimin e legjislacionit tonë të brendshëm të të gjitha konventave ndërkombëtare, si të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë, po ashtu edhe të Këshillit të Evropës, duke i nënshkruar dhe ratifikuar ato. Pra, janë pjesë e legjislacionit tonë në lidhje me minoritetet dhe mishërojnë parimet më të avancuara, siç trajtohen në dokumentin bazë të epokës së sotme që është Konventa Kuadër e Këshillit të Evropës për mbrojtjen e pjesëtarëve të minoriteteve etnike. Dhe ka një dinamikë pozitive në këtë drejtim. Edhe nga parti që nuk kanë një traditë pozitive në lëmin e të drejtave të njeriut dhe të minoriteteve nuk ka pasur pengesa edhe në parlament në ratifikimin e këtyre dokumenteve.
Në aspektin e dytë, që është ai i implementimit praktik, fatkeqësisht konstatojmë një gap shumë të dukshëm midis legjislacionit në fuqi dhe implementimit të përditshëm të këtij legjislacioni. Janë të shumta ato aspekte, për të cilat nuk është gjetur ende mekanizmi, por në të njëjtën kohë, edhe vullneti politik, për t'i implementuar ato sic kërkojnë këto dokumenta ndërkombëtarë.
Nga ana tjetër duhet parë edhe aspekti i mentalitetit mbizotërues për të drejtat e minoriteteve. Shpeshherë ka një trajtim me paragjykime. Edhe në mendimin, edhe në filozofinë politike mbizotërojnë një sërë stereotipesh të kapërcyera nga mentaliteti modern, të cilat bëhen pengesë për realizimin me sukses të atij aspekti për të cilin fola pak më parë."
Ja edhe vlerësimi që na jep për këto çështje politikani dhe publicisti Preç Zogaj: "Legjislacioni ynë garanton respektimin e lirive dhe të drejtave që kanë minoritetet në të gjithë botën. Po mendoj se ka një specifikë: ne nuk e shohim minoritetin grek thjesht si një minoritet që meriton disa standarde që ka vendosur bota. Ne kemi marrëdhënie shumë më të ngushta: Shqipëria, shqiptarët me minoritetin grek ka marrëdhënie shumë vëllazërore. Ka një traditë respekti që është një traditë shqiptare, janë edhe standartet, të cilat për ne janë adoptuar pa asnjë vështirësi. Nëqoftëse flasim për ekzistencën e një hendeku midis legjislacionit dhe implementimit të tij, ky është një fenomen për të gjithë shoqërinë shqiptare, nuk është thjesht një fenomen që lidhet me minoritetin. Ne në shumë fusha jemi më të avancuar në legjislacion, se sa në arritjet reale praktike."
Auron Dodi : Dw-World.de