Brezi i ri i shqiptarisë është i pasur mjaftueshëm me ide të reja dhe me energjinë e duhur për të besuar tek vetja
Duke menduar zhvillimet e jashtëzakonshme të dy dekadave të fundit, e ndjen se nuk është nevoja të jesh intelektual, për të kuptuar se rilindësit i kishin rënë shënjestrës, kishin parë saktë: se dielli do lindte nga perëndon. Kjo metaforë poetike e Frashërlliut Junior, bazohet te një realitet: drejtimin e dikton nevoja e natyrshme për t'u rritur. Sepse Rilindje nuk do të thotë të lindësh prapë, aq sa do të thotë: të rritesh më në fund! Programi kulturor i kësaj lëvizjeje të madhe, përçanësoi as më shumë e as më pak, atë çka shqiptarët donin dhe duhej të realizonin. Koha e realizimit, natyrisht i mbeti historisë. Rilindja jonë është e gjatë. Nëse fillon me vitin kur lindi Naimi, ajo gjen poetin e saj të fundit tek Ibrahim Rugova, figura qendrore e rezistencës kosovare.
Abetaret shqipe, alfabeti latin, ngjallja e historiografisë shqiptare me në qendër historinë e Skënderbeut, kultivimi i zhanreve kryesore të literaturës; emancipimi nga turqit si ndihmë për emancipimin e vet Turqisë dhe mbarë Ballkanit... Të gjitha këto Rilindja i realizoi, me një përpjekje gjigande dhe të frymëzuar. Ajo ngriti lart vlerat e identitetit shqiptar pa ulur vlerat e askujt. Pohoi se "feja e shqiptarit asht shqiptaria", por jo në kurriz të besimit fetar. Në gjirin e rilindësve pati klerikë që shkruan letërsi të vërtetë. Ata qenë besimtarë të vërtetë që siç i besonin Zotit i besuan edhe artit.
Rilindja na largoi nga perandoria më e gjatë dhe më e errët e historisë së Ballkanit, nga Bizanti. Dhe duke bërë këtë, na nxori nga mesjeta. Rilindja e urtë, kurrë nuk shkau në ekuacionin islamizëm=orientalizëm. E thotë qartë, një rilindës i viteve '30, filozofi Krist Maloki, se orientalizmi nuk na erdhi prej kombit të lavdishëm arab, por prej bizantinizmit me qendër në Stamboll. Prandaj, - argumenton ai - i madhi Ataturk, e barti kryeqytetin dhe e çoi në Ankara.
Rilindja qe një program me kumt iluminist e racionalist dhe kështu vjen ende sot, kur vërshon natyrshëm në programin evropian që ka të njëjtin karakter dhe po të njëjtat rrënjë historike, në 700n. Në të vërtetë, programi i Rilindjes sonë kombëtare, është i vetmi program kulturor i njëmendtë dhe i kompletuar që kemi pasur. Nismëtarët e këtij programi janë me të drejtë në panteonin e të pavdekshmëve të shqiptarisë. Gjeografia e këtij programi dhe e ithtarëve të tij kapërceu oqeanet e pati dhe ka vatrat e veta anekënd botës ku ka shqiptarë.
Pavarësia e parë (1912) qe akti kurorëzues i këtij programi. Vitet '30, qenë vitet e emancipimit dhe urbanizimit të tij. Por edhe çelja e shkollave nga Koliqi në Kosovë, në kohën kur ishte ministër i Shqipërisë italiane, është pjesë e këtij programi. Për shkak të respektit që gëzonte, ky program u mor i mirëqenë edhe nga komunistët, por meqenëse atij i mbivendosej programi komunist, aty mbeti i parealizuar. Dhe kjo mbivendosje me vonesën që prodhoi, është njëra arsye pse është aktual. Arsye tjetër, më e rëndësishme është çështja e Kosovës, me mbarë problematikën e kufijve shqiptaro-shqiptarë. Pavarësia e Kosovës i dha këtij programi, tagrin e një kushtetute kulturore të të gjithë shqiptarëve, tashmë të hyrë në fuqi. Por arsyeja më e fortë e aktualitetit të programit rilindës, është përkimi i tij me programin për kombin evropian.
Pavarësisht klisheve që qarkullojnë në lidhje me interpretimin e saj, Rilindja mbetet një program me burim autentik shpirtëror. Rilindja nuk erdhi nga lodhja me perandorinë turke (asgjë nuk vjen nga lodhja), nuk erdhi pasi një brez intelektualësh nga familjet e mëdha vendosën të investonin pasurinë e tyre për dije (rilindësit ishin në thelb disa idealistë në mërgim). Rilindja erdhi si një nevojë shpirtërore për modernizim, si një thirrje e brendshme për të ndryshuar perceptimin në lidhje me veten. Erdhi si veprimtari e natyrshme e disa njerëzve që kanë ide, dhe gjejnë mjetet për t'i përçuar ato ide. Si një kthim ideal i mërgimtarëve në atdheun e realizuar, për t'ia kthyer atdheun atyre që e duan.
Përse është aktual programi kulturor i Rilindjes?
Përgjigja më e rrufeshme do ishte: pasi nuk kemi program tjetër.
Kjo është e vërtetë, puna që është bërë pas 90s nga Shqipëria kulturore, ka qenë kryesisht për të treguar inaktualitetin e këtij programi: pra nuk ka pasë diçka për të pohuar, duke qenë thelbësisht mohuese. Ndërkohë veprimi i programit rilindas në Kosovë, i ka bërë përpjekjet hiper-moderniste të Tiranës, të duken ashtu siç janë: snob. Moria e sub-programeve të shumta anti-rilindase që janë prodhuar e importuar me shumicë, ka rezultuar snob për disa arsye.
Besoj se këto sub-programe janë snob por dhe që nuk bëjnë pjesë tek programi i madh për shkombëtarizimin e shqiptarëve. Nuk shkombëtarizohet Skënderbeu, pasi është e pamundur të serbizohet, apo greqizohet. E vetmja pasojë e sub-programeve të provincës sonë qendrore, është ballkanizimi i diskursit. Pra kur opinionizmi na flet për historinë, na tregon shumëçka për vete, pra na tregon se vetë është historik. Nuk na tregon asgjë për historinë, pasi ajo njihet nga frytet e veta. Nuk kemi program tjetër, pasi programi që na ofron Evropa është në radhë të parë teknik: plotësoni kushtet dhe nuk keni nevojë të luani vendit, pasi në Evropë jeni në fund të fundit, pra në shtëpinë tuaj. Me ndryshimin se tashmë mund të hyni nga dera dhe nuk është nevoja të hyni për hatullash.
Dhe nuk kemi program tjetër, pasi duhet të ulemi ta hartojmë ne vetë.
Besoj se për të hartuar një program tjetër, nuk është nevoja një strukturë tjetër mendore. Për një strukturë tjetër mendore kanë nevojë ata që thonë: nuk bëhet ky vend. Brezi i ri i shqiptarisë është i pasur mjaftueshëm me ide të reja dhe me energjinë e duhur për të besuar tek vetja.
I vetmi problem është se pa e vënë re tashmë kemi hyrë në post-modernizëm. Në epokën e kolazhit dhe fragmentit. Të inaktualitetit që është aq total sa na diktohet përditë si i vetmi aktualitet. Kjo është e vetmja arsye negative e prestigjit që gëzon ende Rilindja.
Por prapë, programi kulturor rilindës ka edhe një të mirë tjetër: se në kohën e spektaklit të integruar na pajis dhe na edukon me sensin e historisë.
Shihet qartë se fundi i natyrshëm i këtij programi nuk është një disintegrim, por një integrim. Në shekullin e ri, kur shtetësia shqiptare të arrijë rritjen e plotë në vlerë, asaj do i brendashkruhet edhe kombësia. Atëherë, programit kulturor rilindës do i zbehet konotacioni nacionalist dhe do lexohet evropianisht si një program kulturor patriotik e shtetformues. Shtetësia e realizuar evropiane mandej, e arkivon dhe i cakton vendin e vet në faqet e njërës prej poemave më të lavdishme të historisë sonë.