Dhe këtë dalje e mundëson pikërisht pakica, njohja e saj e mundësisht përkatësia tek ajo. Kësaj shumice dërrmuese, mund t'i ndajvinim një pakicë këndellëse (rigjeneruese). Pra shumicës dogmatike, pakicën kreative: atë që krijon vlera. Pakica ka rezerva shpirtërore që shumica nuk i ka. Për Nietzschen, vlerat janë krijuar nga pakica e më të mirëve (aristokratëve). Ai i quan vlerat fuqi përjetësuese. Pakica jo medoemos është grup, mund të përbëhet edhe prej individësh pa lidhje me njëri-tjetrin. Por që paralelisht zhvillojnë të njëjtin kërkim, ose janë sintonizuar tek e njëjta frekuencë perceptimi.
Cilat janë pakicat e vlera?
Në radhë të parë ato pakica që sillen si të tilla. Sepse ka pakica që sillen si shumicë dhe janë pakicat në pushtet, ose ato që duan të vijnë një orë e më parë në pushtet.
Atyre që ndihen shumicë - i ligu para se të bëjë të ligën mendon se shumica e njerëzve do bënin të njëjtën gjë - iu duhet kujtuar se i gjithë njerëzimi është një pakicë inteligjente në hapësirë, madje edhe sikur të zbuloheshin komunitete të tjera në kozmos, prapë do mbeteshim pakicë. Kjo pakicë tokësorësh, e këtij planeti që është një pikë ujë në oqeanin e kozmosit, bart në vetvete diçka shumë poetike; E. Morin e pagëzon: diasporë kozmike.
Brenda breznive, duket sikur pakicë përbëjnë të porsalindurit dhe më të shtyrët në moshë. Por në Europën e sotme që plaket dita-ditës, të vjetrit janë bërë shumicë dhe po ndikojnë edhe në stilin e jetës dhe në energjinë e pjesës tjetër. Gjithçka po vjetrohet dita-ditës, dhe Europës plakë nuk i mbetet veçse t'i kthejë sytë nga popujt e rinj, nga ata popuj që për shkak të rinisë së tyre kanë atë energjinë e qashtër revolucionare, a së paku nuk e kanë prekur ende fundin e evolucionit të tyre.
Brenda Shqipërisë, më duken kreative disa pakica. E para është pakica e atyre që kanë studiuar në Perëndim dhe për shkaqe të ndryshme janë kthyer të punojnë a të jetojnë në vendin tonë. Kjo pakicë është shumica e së ardhmes, pavarësisht e pikërisht se në përfaqësuesit e saj më të mirë, nuk sillet si shumicë.
Është shumica e së ardhmes, pasi kur nesër Shqipëria të jetë kthyer në Europë, edhe dikush që vjen për të studiuar në Shqipëri do ketë studiuar në Perëndim.
Pakica më e madhe mandej, ajo e gegnisht-shkruesve, që është vlerëkrijuese, edhe pse në thelb i takon një shumice që janë gegët e shqiptarisë ose 80% e gjithë shqiptarëve, por që në standard përfaqësohen me 20%. Kjo pakicë shkruesish është shumë aktive në krahasim me shanset reale që i jepen. Shembulli i pakicës si krijuese vlerash bëhet i përsosur në rastin e kombit hebre. Vlerat më të mëdha i krijoi në diasporë, anekënd botës, si pakicë. Të jemi të sigurt se asnjë nga vlerat që krijon tani në shtetin e vet, ku është shumicë, nuk krahasohet me ato të mërgatës historike. Pikërisht sepse duke instaluar një shumicë, ky komunitet i rehaton edhe pakicat brenda vetes, duke e zënë i ashtuquajturi "gjumi i ndërgjegjes".
Sikundër edhe pakica e arbëreshëve të Italisë e ka plotësuar misionin e vet, tani pas krijimit të dy shtettheve shqiptare. Ka një pakicë tjetër që del tek ne në pah në ditët e sotme. Kjo është pakica e atyre që nuk kanë votuar në 2009. Këtyre dhe vetëm këtyre iu është vjedhur vota (e munguar). Ju është vjedhur vota, pasi nuk kishin për kë të votonin. Pasi palët në sfidë në sytë e kësaj pakice përfaqësojnë të shkuarën dhe jo të ardhmen. Dhe ju është vjedhur për herë të dytë, pasi vota e tyre e munguar është zëvendësuar me vota false për njërën apo tjetrën palë.
Një pakicë brenda e jashtë kësaj pakice, janë "mendimtarët e lirë". Këta mendimtarë të lirë, japë pakica e përjetshme e njerëzimit aktiv. Një grup i pakët qytetarësh e mendimtarësh të lirë. I lirë në thelb për të realizuar vetveten. Liria për ta realizuar vetveten, nuk të bën të lirë, por është kushti themelor drejt realizimit. E gjithë prirja për të realizuar vetveten, quhet sot individualizëm. Por nuk ka konotacionin e lavdishëm që kishte dikur dhe që deri-diku ende ruan disa nga vendet e veriut. Sot individualizmi shënon thjesht atomizimin e tejskajshëm të shoqërisë. Është vulgarizuar aq shumë sa nuk është më vlerë. Në këtë kuptim, çdo vlerë është e tillë, për sa kohë që i përket një pakice, që e qarkullon atë si "gjak" me ndihmën e zemrës së saj, që e bën të rritet bashkë me veten, derisa mbërrin madhësinë e saj natyrore.
Kur vlera certifikohet dhe institucionalizohet, ajo njëherësh likuidohet. Lufta për mbrojtjen e saj është lufta për ruajtjen e përmasave të saj natyrore, e vitalitetit të saj. Nëse demokracia sot, është boshatisur nga përmbajtja dhe është mbushur me retorikë, ruajtja dhe rivitalizimi i frymës së saj mund të kërkojë që ne të ndryshojmë retorikën ose përdorimin e saj. Domethënë që retorikën t'ua rikthejmë filozofëve, pasi po ndodh e kundërta, po ndodh që: rektorët po na marrin edhe filozofinë.
Në kohën kur shumica bluan gjithçka dhe e ka bllokuar frekuencën e perceptimit tërësisht, e vetmja rrugë duket reagimi ekstrem. Por reagimi ekstrem ka një të keqe shumë të madhe, se i kthen mbrapsht proceset; e ngurtëson demokracinë, rikthen frikën. Ky reagim nuk ka lidhje me pakicën, por është sëmundje e vetë shumicës; pakicat nuk janë radikalët e një shoqërie (autentikë a të shtirë qofshin), por janë ndërgjegjja e saj.
Nëse Europa ka një ndërgjegje, (si formë e bashkimit shpirtëror të mbarë njerëzimit), e ka pikërisht nga pakicat. Marrëdhëniet e saj me pakicat, janë dhe do jenë shkëmbimet më ekuilibruese për vetë raportet e saj me veten.
Zgjedh një fragment prej ditarit të Brancatit ku ai reflekton mbi alternativat fashist-komuniste të Luftës së Dytë, dhe kupton se historikisht "lufta mes dogmës katolike dhe asaj protestante përfundoi me dobësimin e të dyjave dhe me fitoren e parimeve të tolerancës":
"Cilin qytetërim zgjidhni" pyeteshin, para katër shekujsh, të gjithë njerëzit e lirë: "Atë katolik apo atë protestant?"
"As njërin as tjetrin!" përgjigjeshin njerëzit e lirë.
"Naivët e gjorë" turreshin fanatikët. "Kush don të bëjë prokopi duhet të zgjedhë mes papistëve dhe antipapistëve."
"E pra, ne nuk zgjedhim!"
"Do mbeteni jashtë historisë!"
"Do hyjmë në histori kur ju të dilni prej saj."
"Dhe kur kështu?"
"Kur bota të mos jetë më as papiste as antipapiste."
"Tolerante dhe liberale."
"Çfarë domethënë tolerante dhe liberale? Ne nuk i kuptojmë këto fjalë."
"Kanë për t'i kuptuar nipat tuaj."
Një popull i mbetur jashtë historisë si romët, nuk shpëtoi nga tmerret e historicizmit: ra viktimë e gjenecodit nazist. Ata e kanë bazuar mbi të qenit pakicë (e kudogjendur) të gjithë poezinë e identitetit të tyre. Në njërin prej koncerteve të fundit, De André tha në lidhje me Romët: Ky popull do meritonte Nobelin për paqe për të vetmin fakt se bredh nëpër botë pa armë prej më se 2000 vjetësh.
Arma më e mirë e pakicave është të qenit vetvetja. Të jesh rom do të thotë mos të kesh tjetër shtëpi në këtë botë, përpos jetës. Të jesh rom do të thotë të jesh njeri. Pakica, është një qendër e kulluar energjie dhe dritëza e parë që ndriçon në rast black-out-i. Sidhe e fundit ndërgjegje që bie gjumë. Gjatë ditës, ajo ka modestinë e qiriut, që duket gati ornamental. Identiteti i pakicës, i lejon një shoqërie ta vendosë veten përmbi politikën e saj. Përmbi dogmat. Është shtegu i ngushtë që na nxjerr në bregun e gjerë të së ardhmes.