Elvana Gjata Ndihem e Trazuar i kerkoj zotit ndjese Sjap kurre ryshfet

Elvana Gjata: Ndihem e Trazuar, i kerkoj zotit ndjese, S'jap kurre ryshfet
Kjo është intervista e parë e Elvana Gjatës pas fitores së çmimit në Dancing With The Stars. Na tregon se çfarë do të bëjë me apartamentin e fituar dhe ku mund ta gjeni këtë verë. Ka qenë gjithmonë e vështirë të gjesh pak kohë të lirë në ditën e Elvana Gjatës. Këtë herë ajo gjeti mundësinë të flasë me ne për “Jetë-n” pas fitores së “Dancing With the Stars”. Në një konkurrim mes VIP-ash për 12 javë më radhë transmetim televiziv,  arriti të kryesojë garën e të fitojë vendin e parë. Çmimi?

Një Apartament. Kështu ka ndodhur gjithmonë ku garon Gjata. Na tregon se e merr seriozisht garën, cilado qoftë ajo dhe kërkon të arrijë rezultate maksimale duke ja dalë edhe këtë herë. Këto ditë vetëm vrapon sa në një koncert në tjetrin. Duket sikur suksesi ka lindur me të, por për Elvanën nuk është kështu. I gjithë sekreti qendron te puna dhe serioziteti, me të cilën merr atë. Gjatë këtyre viteve në muzikë ajo nuk ka qëndruar asnjëherë bosh. Është kujdesur që t’i sjellë publikut në kohën dhe momentin e duhur produktin e saj muzikor, një produkt që ka mbetur për një kohë të gjatë në qendër të vëmendjes.

Këtë gjë po bën edhe këto ditë. Aq është duke punuar për këngën e saj më të re, e cila do të jetë shumë shpejt në televizion e radio.  Përpos punës, Elvana ka dhe jetën e saj private, në këtë pjesë është shumë e vështirë t’i shkëpusësh diçka. Ajo është e kujdesshme në çdo dalje të saj duke e ruajtur me fanatizëm privatësinë.

Elvana, si  ishte për ty gara në “Dancing With The Stars”?

Ishte një maratonë e vërtetë. Ka qenë një eksperiencë shumë e bukur dhe plot me emocione. Por nuk ka qenë e thjeshtë. Është bërë një punë shumë e madhe bashkë me partnerin tim Gerd Vaso dhe koreografen Enada Hoxha. Kam mbetur shumë e kënaqur nga puna me produksionin tepër profesional të Holta Dulakut.

Ju vjen mirë tashmë që përveç këngës keni një çmim edhe në kërcim?

Absolutisht po. Kjo plotëson një pjesë shumë të rëndësishme të figurës time artistike dhe realizon  një ëndërr të hershme timen, për të cilën jam e lumtur që u realizua në këtë formë profesionale. Këtë çmim e bëri dhe me të vlefshëm për mua mbështetja e plotë e publikut. Faleminderit të gjithë atyre që patën besim tek mua.

Çmimi që morët ishte një apartament, do e mbani apo do e shisni?

T’ju them të drejtën nuk kam menduar çdo bëj me të.

Na tregoni pak për projektet tuaja këtë verë, ku do jeni?

Do të jem në tur në qytetet më të mëdha në Shqipëri-Kosovë dhe Maqedoni bashkë me menaxherin tim “Andy gramm”. Ndërkohë po punoj për “singellin” të ri, që do të dalë shumë shpejt do të jetë një tjetër produksion i suksesshëm i “Threedots”.

Regjia

“Regjia ka qenë një pasion i hershëm. Tani që u diplomova kam dëshirën ta shijoj si profesion, duke realizuar shfaqje të bukura pranë Teatrit Kombëtar dhe pse jo jashtë saj. Mund të them që shfaqja e diplomës ka qenë një emocion dhe eksperiencë e mrekullueshme. Një monodrame nga Angelo Longoni me një tematike universale. E luajtur nga aktorja Valbona Imami. Publiku e priti shumë mirë shfaqjen dhe Elvanën si regjisore”.

Vlerësimet si këngëtare

“Të them të drejtën, sa vjen dhe bëhet më e vështirë. Sa më shumë vlerësohesh për këto karakteristika aq më shumë përgjegjësi ke. Në momentin që bëhesh një pikë referimi, mban mbi vete një përgjithësi shumë të madhe, sepse përqindja që ti të zhgënjesh publikun në një moment sado të vogël duhet të jetë zero!! Nga ana tjetër ky vlerësim më gëzon pamasë!”

Tek një mashkull vlerësoj aftësinë për të qenë i suksesshëm

E kemi vendosur këngëtaren përballë “Pyetësorit të Prustit” dhe kemi marrë prej saj përgjigjet e momentit. Elvana ndihet e trazuar kohët e fundit dhe kjo për shkak të… punës. Na tregon se ka kohë që nuk bisedon dhe Zotin dhe i kërkon ndjesë… Nga ana tjetër tek një mashkull vlerëson aftësinë për të qenë i suksesshëm, ndërsa tek një femër mirësinë. Lexoni Elvanën përballë këtij pyetësori.

PYETSORI I PRUSTIT

Çfarë është lumturia absolute për ju?

Nuk ka. Mund të flas për atë relative. Të jesh në paqe me veten.

Çfarë ju bën të zgjoheni në mëngjes?

Dëshira për të jetuar

Hera e fundit që keni qeshur me shpirt?

Unë gjithmonë qesh me shpirt.

Tipari kryesor i karakterit tuaj?

Karizma, humori

Defekti juaj kryesor?

Ndjeshmëria

Ndaj cilave gabime jeni më tolerante?

Ndaj gabimeve që nuk dëmtojnë të tjerët. Familjen miqtë që më rrethojnë

Pija juaj e preferuar?

Vera e bardhë.

Çfarë është ajo për të cilën pendoheni më shumë?

Nga mëkati, i cilidolloji qoftë.

Çfarë urreni më shumë në këtë botë?

Injorancën.

Frika juaj më e madhe?

Shëndeti tek  njerëzit që dua.

Në çfarë rastesh zgjidhni të thoni gënjeshtra?

Kur është e domosdoshme.

Keni dhënë ndonjëherë ryshfet?

Kurrë.

Cila është motoja juaj?

Te jap më të mirën time.

Si do të dëshironit të vdisnit?

Në gjumë.

Po të ndodhte të takonit Zotin, çfarë do t’i thoshit?

Meqë ka kohë që nuk bisedoj me të: Më fal që të kam lënë pas dore…Faleminderit për bekimet që më jep. Të dua shumë!

Në çfarë gjendje shpirtërore gjendeni kohët e fundit?

Pak e trazuar. E përqendruar në fluksin e punës që më pret.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama