Duke folur për jetën e saj artistike, aktorja tregon momentet më të bukura dhe më emocionuese në filmin dhe teatrin shqiptar, ndërsa tregon se është nder për atë që i takon komunitetit të artistëve. Në jetën e saj artistike, aktorja pohon se roli i Marigosë ishte një fat për karrierën e saj. Ajo tregon se për një aktore është edhe çështje fati të ketë në duar një skenar të bukur, një rol që të përshtatet dhe një regjisor të shkëlqyer. Jo vetëm në film, por dhe në teatër ajo është mirëpritur nga publiku, ndërsa tregon se më komode është ndjerë në komedi dhe kjo sepse komedia për vetë atmosferën ka impenjim, por ka dhe lehtësimin e interpretimit. Aktorja tregon se ajo të lejon më shumë hapësirë se sa drama, por gjithsesi si drama dhe komedia janë interesante dhe janë të bukura kur bëhen mirë dhe me cilësi artistike. Me dhjetëra interpretime në kinematografi e kanë bërë aktoren Diamanti një nga emrat model dhe për të rinjtë, të cilët duan të ndjekin këtë rrugë arti.
Elvira Diamanti sot është dhe drejtoreshë e AQSHF, një institucion për të cilin pohon se ruan dhe mbron filmin shqiptar që në fillimet e tij. Por si ka qenë jeta artistike, cilat janë pengjet dhe projektet në të ardhmen, aktorja na i zbulon në vijim të kësaj interviste. Elvira Diamanti ka filluar karrierën e saj artistike me rolin e Teutës, në filmin “Radiostacioni”, 1979, me regji të Rikard Ljarjes. Më pas do të vazhdonin shumë role në kinematografi dhe në teatër, por roli që e bëri të njohur është ai i Marigosë në filmin “Përrallë nga e kaluara”, në vitin 1987. Pikërisht me këtë rol ajo u vlerësua me çmimin e tretë në Festivalin VII të Filmit Shqiptar në vitin 1987.
-Po punoni me regjisorin Spartak Pecani për filmin e tij më të fundit “Ada”. Çfarë mund të na thoni diçka më shumë rreth këtij projekti kinematografik, i cili ju ka sjell në shesh xhirimi?
Është një skenar shumë i mirë për filmin dhe roli im këtë herë është një psikologe. Në film është një vajzë e re, e cila mendohet se ka kryer një krim, por ajo ka një problem mendor. Jemi në ditët e para të xhirimeve dhe mendoj se do të jetë një punë shumë e mirë e të gjithë stafit që merret me filmin.
-Ju në këtë film jeni përkrah emrave të njohur të kinematografisë shqiptare si Ndriçim Xhepa, por dhe emrave të rinj të cilët janë zgjedhur nga regjisori Spartak Pecani për filmin “Ada”. Si ndiheni?
Është e vërtetë që kasti i aktorëve ka emra të njohur të kinemasë, por dhe të rinj. Ada interpretohet nga një vajzë e re nga Kosova, dhe përkrah meje qëndron gjatë gjithë kohës aktori Ndriçim Xhepa. Ndjehem mirë nga ky bashkëpunim i parë që do të jetë gjatë gjithë xhirimeve.
-Në jetën tuaj artistike ju numëroni me dhjetëra role, të cilët janë vlerësuar nga publiku, por dhe nga kritika. Si ndiheni nga ky fakt, që ju bën një nga emrat më të vlerësuar të kinematografisë shqiptare?
Të them të vërtetën kam pak frikë. E para është vështirë të rifutesh nëse të ka ikur ritmi i xhirimeve, i roleve, por unë në këtë film jam nisur sepse roli është shumë i mirë. Roli i psikologes është i ndryshëm nga ata që unë kam interpretuar deri më tani. Zana është një psikologe fëmijësh dhe mendoj se ai qëndron mirë tek unë. Mendoj se ky rol është një risi, pasi këto vite të fundit nuk ka qenë një rol i tillë, sepse vetë jeta ka sjellë personazhe të rinj në jetën e përditshme, të cilët kanë ardhur dhe në film. Mendoj se roli im këtë herë është shumë interesant sepse psikologja Zana përpiqet në çdo mënyrë të zgjidhë një enigmë shumë të vështirë dhe përpiqet që të jetë një suport i mirë për kolegun e saj hetuesin, që interpretohet në film nga Ndriçim Xhepa, ku Zana ka dhe një ndjejë të fshehtë simpatie.
-Filmi u cilësua nga regjisori si psiko-thriller, i cili ka dramën, vrasjen, por ju si e përjetoni këtë?
Ngjarjet në filmin “Ada” janë tronditëse dhe dyshohet për një serial killer në fillim, por nuk është shumë larg realitetit. Ne jetojmë në këtë situatë dhe sidomos kur përmendet bota e drogës.
-Si erdhi deri tek ju personazhi i psikologes në filmin “Ada”?
Kur mua mu ofrua ky rol, ai ishte një surprizë për mua, sepse unë nuk e dija se ekzistonte një skenar i tillë apo dhe ky rol, i cili nuk është kryesor në film por është mjaft i rëndësishëm. Është pak e vështirë për moshën tonë që ne të gjejmë role të tilla, që të na rrinë kaq mirë, sidomos në kinemanë shqiptare. Roli i psikologes ka hyrë goxha mirë brenda meje dhe kjo ka qenë një nga arsyet që unë jam habitur që ka gjetur vend një personazh i tillë. Natyrisht që ajo nuk e zbulon krimin, pasi psikologia është vetëm për të dhënë ndihmën e saj.
-Në karrierën tuaj artistike, cili ka qenë roli që ju mendoni se keni goditur tek publiku?
Mendoj se është Marigoja në filmin “Përrallë nga e kaluara”. E them këtë sepse ai ishte një kryerol, por dhe filmi ishte shumë i mirë dhe ishte dhe një regjisor shumë i mirë. Mendoj se Marigoja ka qenë roli i duhur në kohën e duhur, por dhe në filmin e duhur. Roli i Marigosë ishte një fat për karrierën time. Natyrisht që për një aktore është edhe çështje fati të ketë në duar një skenar të bukur, një rol që të përshtatet dhe një regjisor të shkëlqyer. Dhe unë mendoj se roli i Marigosë erdhi në një moment shumë të përshtatshëm për mua. Kisha mbaruar shkollën dhe e dija mirë se çdo të thoshte për mua skenari që m’u ofrua dhe roli i Marigosë. Ka qenë një film i lodhshëm, por me një ekip që më mbështeti fort.
-Për vite me radhë interpretime në filma dhe në teatër, por cili ka qenë roli që ju ka lodhur më shumë sa i takon anës artistike?
Ato role që unë i kam interpretuar i kam lozur me dëshirë, por mes tyre personazhi që më ka lodhur më shumë mendoj se është roli i Dorontinës në teatër. Pa aktoren e madhe dhe pedagogen time Drita Pelinku, atë rol unë nuk do ta kisha realizuar dot në veprën teatrore. Unë kam punuar shumë me Drita Pelinkun sa i takon edhe nëntekstit dhe këtë rol e kam arritur dhe prej një klithme të aktores Margarita Xhepa, kujtoj momentin kur ato takohen nënë dhe bijë, dhe këtu mund të them se unë kam bërë rolin, por me një lodhje të jashtëzakonshme, që ishte për dy muaj në prova. Të njëjtën gjë ka ndjerë dhe aktorja tjetër Eva Alikaj, pavarësisht se më vonë ajo për arsyet e saj e la rolin. Me Dorontinën unë kam parë vështirësi, që rrallë e kam ndjerë në ndonjë rol tjetër.
-Cili ka qenë momenti më i bukur për ju si aktore në jetën tuaj artistike?
Lira, vajza që luan personazhin e Adës në këtë film më kujton shpesh veten time, por natyrisht që Lira ka një rol jashtëzakonisht të vështirë, por në filmin e parë nuk e kupton që je duke bërë film. Ke kënaqësinë që je aktore, që të kanë zgjedhur për të qenë në film dhe që je në një shesh xhirimi. Kur mbaron filmin e parë dhe vjen filmi i dytë ose i treti, atëherë e kupton që kjo nuk është vetëm kënaqësi, por është dhe një detyrim shumë i madh. Mua më kujtohet filmi im i parë, që ka qenë “Radiostacioni”, ku kam qenë me rolin e një partizaneje, një nga personazhet e Ismail Kadaresë.
-Keni interpretuar në dramë dhe në komedi, ku jeni ndjerë më mirë?
Më komode jam ndjerë në komedi. E them këtë sepse komedia për vetë atmosferën ka impenjim, por ka dhe lehtësimin e interpretimit që të lejon komedia. Ajo të lejon më shumë hapësirë se sa drama, por gjithsesi si drama dhe komedia janë interesante dhe janë të bukura kur bëhen mirë dhe me cilësi artistike.
-I takoni emrave të aktoreve që keni interpretuar në filmat shqiptarë para viteve ’90, por vijoni edhe sot. Sipas jush pse vazhdon akoma nostalgjia e filmave shqiptarë që janë realizuar para shumë viteve?
Edhe unë nuk mund ta shpjegoj këtë, por në një bisedë që unë kam pasur me një kritik dhe studiues amerikan, i cili po punonte për filmat shqiptarë, ai duke qenë se unë jam dhe drejtoreshë e Arkivit të Filmit, më thotë nëse mund ta ndihmoja në këtë studim. Unë i tregova atij se unë nuk di çfarë të them më shumë veç faktit që ne i kemi bërë me shumë dashuri ata filma, kemi punuar me shumë përkushtim të gjithë si ekip, dhe ata kanë atë pjesën e dashurisë pa kushte që ne kemi dhënë. Por nëse sot publiku shqiptar ende i shikon ata filma që janë prodhuar në ato vite, mendoj që veç të tjerash është dhe pjesa e nostalgjisë. Pra në këta filma ne shohim veten se si kemi qenë dikur, kujtojmë rrethana dhe pjesëza të ngjashme të jetës sonë dikur.
-Si e shikoni kinematografinë shqiptare sot?
Kinemaja shqiptare sot ecën ngadalë, ecën me ritme aq sa mundet dhe i lejohet në buxhet, por gjithsesi është një fakt shumë pozitiv që vazhdojnë të bëhen filma. Kjo është një gjë shumë e vlerësuar, sepse ne jemi një vend shumë i vogël, ku nuk pretendohet që filmi të shitet dhe të fitohet nga ai. Sot i shikoj me shumë kënaqësi të gjithë kineastët, që përpiqen dhe vazhdojnë në këto kushte ta duan kinemanë dhe të bëjnë kinema.
-A ka pengje në jetën artistike të aktores Elvira Diamanti?
Pengje, mendoj se ka shumë. Sa më shumë kalon koha aq më të vështirë e ke që ti realizosh ato. Ndërkohë që ti nuk je më e re, ato role që ti ke ëndërruar kanë një tjetër strukturë dhe një tjetër moshë. Mund të them se jam me fat që jam ende në një set filmi, sepse ndryshe nga kinemaja e Hollivudit më shumë se sa kinemaja Europiane, filmat bëhen për një moshë të mesme gruaje, ku ti ke një përvojë jetësore, por ke dhe një përvojë si aktore, dhe tek ne nuk ka. Këtu janë skenarë ku janë protagonistë të rinjtë me problemet e tyre të gjakmarrjes, emigracionit etj, pra e them se është ende fat të jesh në një set filmi, dhe rolin e psikologes e kam parë jo vetëm si pjesë të fatit por dhe me shumë dashuri, sepse është një rol që nuk është bërë në kinemanë shqiptare. Unë ende përpiqem që ta formuloj të saktë në mendjen time atë që do të bëj.
-Më shumë keni qenë me role në kinematografi dhe më pak në teatër, edhe pse në skenën teatrore ju jeni mirëpritur?
Unë me teatrin jam shkëputur përfundimisht në vitin 2000, pra kam 11 vjet që nuk jam më pjesë e teatrit. Edhe para vitit 2000 unë kam qenë e shkëputur nga skena. Kjo për arsye se unë disa vite kam qenë jashtë, por kanë qenë dhe arsye të tjera që ndikuan në jetën time artistike.
-Aktore të reja kanë vlerësuar interpretimin tuaj në skenë dhe në film, a keni një mesazh për ato në rrugën e artit?
Më vjen shumë mirë nga kjo edhe pse unë nuk kam qenë kaq shumë prezent në kinemanë dhe teatrin shqiptar. Unë kam punuar me studentët edhe tek Akademia e Artit dhe tek akademia e filmit “Marubi”. Sot i shoh me dhembshuri, sepse të rinjtë nuk kanë fatin tonë dikur, ata që ia dalin janë vërtetë të zotë, por pavarësisht nga atmosfera ose nga ajo çka duket, ne le të punojmë se ia dilet.
-Jeni dhe drejtoreshë e Arkivit të Filmit, në çfarë përgjegjësie ju vë kjo?
Arkivi nuk ka të bëjë vetëm me filmin, por ka të bëjë me gjithë materialin filmik pronë të shtetit shqiptar, që daton që në vitin 1914 dhe është një punë shumë e bukur. Unë e dua shumë dhe kjo punë jo vetëm ruan dhe mbron ato vlera që ka duke i ruajtur dhe dixhitalizuar, por dhe promovon ato vlera që kanë qenë dhe vijojnë të jenë. Ne çdo të mërkurë kemi aktivitetet tona në AQSHF dhe më ka ardhur mirë që kemi parë pas kaq kohësh mjaft kineastë që i kanë dhënë një kontribut të madh ish Kinostudios dhe i kam parë me interes këto diskutime, ku ka lindur dëshira për të bërë ende diçka të bukur.
-Shumë aktivitete i keni kushtuar dhe kineasteve femra?
Në fakt kanë qenë shumë aktivitete dhe vetëm marsi ka qenë muaji që i kushtohej femrave, por në muajin nëntor unë kam njohur nga afër punën e kineastëve të parë shqiptarë dhe më ka bërë shumë përshtypje, një punë e jashtëzakonshme dhe përmend këtu Hamdi Ferhatin, Dhimitër Lalon, dhe më vjen keq që nuk i kam njohur më parë. Kanë bërë një punë të shkëlqyer dhe do ishte mëkat ti lije në harresë.
-Më mirë një aktore dje apo sot, kur ishte ajo më e vlerësuar?
Para viteve ’90 kur gjërat kishin zënë pozicionin e tyre, artisti, aktori kishte një pozicion shumë të nderuar, por kemi parasysh që ishte një shoqëri e gjitha njëlloj dhe nuk lëvizte, dhe natyrisht që vitet e tranzicionit këtë gjë nuk mund ta ruanin. Vitet e tranzicionit sollën një përpjekje të gjithsecilit për të bërë diçka, për të vrapuar dhe për t’ia dalë në krye në çdo fushë të jetës. Nuk mund të pretendojmë që të ishte i njëjti pozicion dhe i njëjti këndvështrim ndaj artistëve, por spektatorët tanë i duan shumë artistët dhe unë vazhdoj ta ndjej këtë gjë. Më vjen mirë dhe jam e nderuar që jam pjesë e këtij komuniteti.
-Ju ka lodhur jeta artistike?
Nuk mendoj se më ka lodhur, pasi unë kam ruajtur një ekuilibër të jashtëzakonshëm në familje, në punën time dhe në karrierën time. Pra kam përzgjedhur ato që kam bërë. I kam përzgjedhur dhe për faktin se nuk jam ndjerë kurrë dhe nuk jam dhe sot një aktore mjaft e sigurt në vetvete. Gjithmonë kam dyshimet e mia nëse do t’ia dal dhe nëse jam e aftë.