Kuvendi pritet të vendosë sot për ngritjen e një komisioni hetimor për verifikimin e të dhënave, fakteve dhe rrethanave në lidhje me akuzën e 39 ligjvënësve të mazhorancës për shkeljet ligjore nga dy anëtarët e Këshillit të Lartë të Drejtësisë, Lulzim Lelçaj dhe Elvis Çefa. Vendimi vjen pas raportit të Komisionit të Ligjeve i cili pasi shqyrtoi kërkesën e 39 ligjvënësve dhe dëgjoi dy anëtarët e KLD-së, votoi pro kërkesës së deputetëve të mazhorancës për ti propozuar kuvendit ngritjen e një komisioni hetimor. Në përfundim të hetimit parlamentar, komisioni duhet t’i paraqesë kuvendit, në mënyrë të arsyetuar, nëse ekzistojnë ose nuk ekzistojnë shkaqet për shkarkimin e anëtarit të organit kushtetues, raport ky që sërish votohet në seancë plenare.
Dyshohet se i dha 2 mijë ha tokë, të afërmit, akuza nis hetimin për Çefën
Dy muaj pasi Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave (AKKP) depozitoi në Prokurorinë e Tiranës kallëzimin penal ndaj ish-drejtorit të Përgjithshëm të këtij institucioni, Elvis Çefa, aktualisht nënkryetar i KLD-së, organi i akuzës ka vendosur të nisë veprimet hetimore ndaj të denoncuarit. Lajmi bëhet i ditur nga burime të Prokurorisë së Tiranës që thanë se ndaj Çefës, kanë nisur hetimet me akuzën e shpërdorimit të detyrës, duke verifikuar dokumentet përkatëse për këtë kallëzim ndërsa hetuesit mësohet se i kanë dërguar një fletëthirrje nënkryetarit të KLD-së për të dhënë sqarimet e tij në lidhje me çështjen.
Abuzimet për të cilat akuzohet ky i fundit kanë ndodhur në kohën kur Çefa kryente funksionet e kryetarit të AKKP-së, ndërsa ai është denoncuar për shpërdorim detyre. Në këtë kohë sipas dokumenteve të AKKP-së, kanë ndodhur edhe një sërë falsifikimesh dokumentesh. Një kallëzim penal është bërë edhe për shtetasin Shefqet Preza, përfaqësues i trashëgimtarëve të familjes Preza, për konsumimin e veprës penale falsifikim i dokumenteve. Në deklaratën e korrikut të këtij viti AKKP thoshte se “trashëgimtari ligjor i familjes Preza, Asim Haxhiallushi, nga verifikimet rezulton i afërm i familjes së ish- drejtorit të Përgjithshëm të AKKP-së, Elvis Çefa. Ky i fundit është denoncuar se përmes veprimeve dhe mosveprimeve të tij ka shkelur ligjin në fuqi për kthimin dhe kompensimin e pronës, duke sjellë pasoja negative për shtetin dhe duke i hapur rrugë abuzimit me pronën shtetërore. Është konstatuar zmadhimi i sipërfaqes së njohur në zonën e Ishmit, në pyllin e Manzës, me 330 ha, në favor të familjes Preza.”
Nga ana tjetër, në njoftim thuhet gjithashtu se “AKKP-ja konstaton zmadhim të sipërfaqes së njohur në pyllin e Muzhlit dhe në pyllin e Bizës, në zonën e Ishmit Durrës, ku përmes përdorimit të dokumenteve të falsifikuara kanë përfituar 1220 ha, nga 220 ha të vërtetuara me dokument origjinë prone. Parashikohet se sipërfaqja e njohur, e bazuar në dokumente të falsifikuara, të jetë dy mijë ha dhe përllogaritet me një vlerë të përafërt prej 100 milion euro. Sipas verifikimeve të kryera është konstatuar se ish- drejtori ka patur dijeni për veprimet e realizuara nga subjektet e interesuara, përmes falsifikimit dhe mashtrimit në dëm të pasurive shtetërore, duke shumëfishuar sipërfaqet e njohura për familjen Preza.” Ndërkaq, për sa u përket të gjitha këtyre veprimeve, Çefa do të merret në pyetje nga Prokuroria e Tiranës, e cila i ka kërkuar AKKP-së, të gjithë dosjen në fjalë, për të verifikuar veprimet e ish-drejtorit të AKKP-së, aktualisht nënkryetar i KLD-së. M.Mullai