Takim i kryeministrit Edi Rama me artistët shqiptarë që jetojnë jashtë më 29 nëntor ka krijuar jo pak pakënaqësi në rrethin e artistëve shqiptarë brenda Shqipërisë. Por vetëm aktorja Ema Andrea ka vendosur ta shprehë hapur këtë pakënaqësi duke I kujtuar kryeministrit kushtet ku punojnë artistët shqiptarë dhe e ka cilësuar darkën një akt “prepotent provincial”
Ja çfarë shkruan ajo në profilin e saj në facebook:
“Në natën e bardhë Ministria e Kulturës më lajmëron se Portat e të Madhnishmes Kryeministri do të jenë të hapura në orën 9 për artistët, jo për ndonjë takim, por për të parë mobiljet dhe korridoret!! Më erdhi të qesh në fillim me këtë prepotencë prej provinciali që të fton të shohësh kolltuqet e reja. Pastaj më erdhi keq për veten, për kolegët, për sakrificat! Më vonë mora vesh se rreth të njëjtës ore Kryeministri pinte një gotë verë me artistët që jetojnë jashtë….. bukur…..shumë bukur Zoti i Shtëpisë!!
Ata mundën me të nderu me ardhjen e tyre, jo vetëm se kanë ecur me talentin dhe punën e tyre por edhe sepse kanë para për të blerë një biletë avioni! Unë i dashur zoti i Shtëpisë, nuk kam mundësi të blej biletën e avionit, përsa arritjet e mia nuk shpërblehen financiarisht (dhe këtë ju e dini shume mirë) e kështu s’mundem me qenë në tryeza mik pritjesh, por ftohem për me pa karrika dhe mure bosh! Kam punuar në këtë vend, pa drita, pa ujë, zhgënjyer dhe gënjyer nga të gjitha politikat kulturore shqiptare, kam nderuar këtë vend kudo kam shkelur në skena e auditore ballkanike dhe evropiane…. dhe jam kthyer sërish këtu..në tokën time të cilën e jetoj edhe në të keqen e vet!… Kështu kam zgjedhur, por kjo s’më bën më pak të talentuar e aq më pak nuk më vë në rreshtin e lypsarëve që i ftoni të habiten me muret dhe me kolltukët tuaj !! Të bardhë e paç mendjen siç ke mosmirënjohjen dhe fyerjen i dashur Zoti i shtëpisë që……. . ani…….unë t’kam zgjedhë……..e tash duhet me të durue!!! Edhe Ty…..!!!”