Ndërsa letërsia franceze vazhdon të joshë lexuesin me personazhin e Zonjës Bovari, gruas plot sharm që Floberi e krijoi më 1856-n, në Parisin që ishte përfshirë nga ndryshimet, letërsia shqipe pas viteve 1960 e kishte një personazh që quhej Ema / “Mjegullat e Tiranës”, libri më i fundit i shkrimtarit Ismail Kadare, nuk është thjesht një histori e bukur dashurie, nga ato që i mungojnë letrave shqipe, por dhe një roman i guximshëm, i shkruar kur shkrimtari, që më pas do të befasonte kritikën ndërkombëtare me kalibrin e tij, ishte vetëm 22 vjeç
Ajo nuk është Ema Bovari. Ndërsa letërsia franceze vazhdon të joshë lexuesin me personazhin e Zonjës Bovari, gruas plot sharm që Floberi e krijoi më 1856-n, në Parisin që ishte përfshirë nga ndryshimet, letërsia shqipe pas viteve 1960, e kishte një personazh që quhej Ema. Një studente e ndrojtur e Gjuhë-Letërsisë, Ema Vasili, që vishte fustan mëndafshi dhe jetonte në heshtje, gati-gati fshehurazi dashurinë për shokun e kursit Bardhylin, dhe shpesh përfytyronte veten të ishte në vendin e De Grizit, të dashurës së Belinit, vuante në dorëshkrimin e një libri. Dikush, dikur i thirri asaj “Zonjushë Ema”, ashtu si Rudolfi, djaloshi që e çoi drejt mëkatit, thirri dikur Zonjën Bovari.
Ato quhen Ema, dhe përveç romantizmit që i bashkon, i ndan një shekull nga njëra-tjetra, i ndajnë rrugë, kultura e qytetërime apo karakteri. Floberi e krijoi Emën kur ishte 36 vjeç e kur miqtë e tij ishin emra të njohur të letrave, si Emil Zola, Zhorzh Sand, Hipolite Taine, Turgenjiev dhe kishte jetuar kryengritjen e Parisit apo dhe një histori të madhe dashurie me modelen Loise Colet. Ema franceze u konsiderua nga kritika si një sulm ndaj imoralitetit dhe fesë, ndërsa Ema shqiptare nuk mundi të merrte jetë në fletët e një libri. Floberi shqiptar (Ismail Kadare), ishte 22 vjeç kur e hodhi në letër Emën shqiptare. I magjepsur nga letërsia, Ema e tij ishte përpjekja e parë drejt prozës së gjatë, drejt ëndrrës torturuese që, në adoleshencën e hershme, e joshte drejt shkrimit. Ai e krijoi atë me padurimin e “herës së parë”, ku përzihen lehtë frika dhe dëshira për ta parë të përfunduar. I dha jetë dhe e la aty, nën titullin “Dashuria nr. 2”, shënuar me kujdes në fletët e një dorëshkrimi që nuk do të mund t’i merrte më me dorë pas më shumë se gjysmëshekulli. Ndërsa Ema Bovari vazhdonte të nxiste debate dhe të renditej si një prej personazheve më të përfolura të letërsisë botërore, Ema shqiptare flinte në heshtje bashkë me fatin e saj, në sirtarët ku ruante dorëshkrimet shkrimtari shqiptar. Kadareja nuk e nxori nga sirtarët, dhe pse nuk mund ta mendonte se ashtu si Zonja Bovari trazoi jo vetëm Francën, Ema e tij mund ta ndryshonte fatin e tij përgjithmonë.
Në letërsinë shqipe të viteve ‘50-‘60, ku dominonte tema e luftës, dhe ku historitë e dashurisë do të niseshin të botoheshin në fund të viteve ‘60, siç është “Hasta la vista” e Petro Markos apo “Lumi i vdekur” i Jakov Xoxës, një shkrimtar i ri guxonte të shkruante një histori të vërtetë dashurie, ku përfshinte dhe skena erotike. Një histori dashurie, e shkruar jashtë skeletit të realizmit socialist, në një laborator të ri krijues, i cili nuk e dinte se me këtë shkrim kaq të pafajshëm e njëkohësisht modern (parë në kontekstin e sotëm), po sfidonte sistemin. Kadareja e la të pabotuar, ashtu siç lihen shkrimet e para, pa iu rikthyer kaq vite me dyshimin që çdo shkrimtar i kalibrit të tij e sheh fillesën në rrugën e shkrimit, pa e ditur se duke e lënë aty në heshtje, ai kishte mundur “të shpëtonte” prej saj. “Mjegullat e Tiranës”, romani më i ri i shkrimtarit Ismail Kadare, një roman që ai e shkroi në vitin 1958, dhe që këtë vit e solli për lexuesin, ashtu siç e gjeti në arkivin e kohës, është ndoshta një nga historitë më të bukura të dashurisë në letërsinë shqipe. Dikush mund ta quajë një histori naive dashurie, pasi druajtja e Emës për t’iu dorëzuar e tëra dashurisë, nuk mund të perceptohet në kohërat e sotme, por me gjithë druajtjen, ky është një libër të cilin mund ta lexosh me padurim, ndoshta dhe gjatë një mbrëmjeje.
Një libër që të kujton se kjo temë kaq universale, për të cilën është shkruar kaq shumë, i ka munguar kaq gjatë letërsisë shqipe, dhe pse ka qenë aty… Libri përcjell një frymë bashkëkohore, duke pasur parasysh Tiranën e atyre viteve, por dhe prek tema “të guximshme” siç është raporti fetar. Ema e Floberit, në këtë roman të Kadaresë quhet “Vera”, dhe është gruaja e palumtur e një doktori patolog, ashtu si Sharl Bovari në provincën franceze. Vera e Kadaresë e josh Bardhylin drejt shtratit të saj, ku i jepet me pasion dhe pse përlotet. Tradhtia bashkëshortore është një rast i rrallë në letrat shqipe dhe Kadare e ka sjellë me aq elegancë dhe stil që në vitin 1958. Vera është një grua që e gjejmë shpesh sot, e do ta gjejmë gjithnjë sa të frymojë njerëzimi, një grua “me supet e zhveshura si të mermerta, flokët e shprishur, gjirin e lartë e të çrregulluar, e që në sytë e Bardhylit ngjante si një nimfë, nga ato që përshkruanin grekët e vjetër”, shkruan Kadare. Nëse nuk do të ishte treguar koha kur është shkruar ky libër, kush mund ta mendonte se “Mjegullat e Tiranës” është një libër që daton herët në kohë. Vetëm një sqimatar i letërsisë ashtu si i verës, do të ndiente pafajësinë e shkrimit, por pasi të kishte shijuar historinë. Disidenca estetike, atë çka shkrimtari do ta endte plot stil për t’u shpëtuar kornizave të kohës, te ky libër ndihet hapur.
Duke e nxjerrë këtë libër nga sirtari, Kadareja tregoi jo vetëm se është një shkrimtar që nuk i trembet raportit me të shkuarën, por i dha një ndihmesë të madhe dhe studiuesve të librave të tij. Ky roman është jo vetëm një ritakim i tij me vetveten, por dhe një stacion për të treguar rrugën drejt zbërthimit të qenies njerëzore, tensionit të errët të komunizmit, gdhendjen e gjuhës, krijimin e një galerie të jashtëzakonshme të folklorit dhe historisë sonë, nga ku eci një shkrimtar i tillë.
“Mjegullat e Tiranës”, titulli që shkrimtari vendosi t’i vinte në botimin tij, edhe nëse do të kishte ardhur si “Dashuria nr. 2”, ashtu si ai e kishte në dorëshkrim, është një joshje tjetër, e ëmbël dhe paduruese e Kadaresë, e cila nuk duhet humbur pa lexuar. Është një histori, që tregoi se vitet nuk e zbehin letërsinë e mirë dhe pse mbeti e fshehur për kaq vite, mundi t’i kthente letërsisë shqipe “Emën” e saj.