Mirela Kumbaro/ Ministrja e Kulturës vjen në një rrëfim në Ditën Ndërkombëtare të Gruas për “Seksin e dytë”… Çfarë ka ndryshuar sot nga lëvizjet feministe që nisën me ngulm në shekullin XIX…
Në shoqëritë e pazhvilluara, gratë vazhdojnë të jenë ende “qeniet e dobëta”. Gati një shekull nga fillimi i lëvizjeve feministe që u dhanë femrave një sërë të drejtash, në shumë vende ende flitet për të drejtat e grave. Shqipëria është një prej tyre. Pavarësisht nivelit të përfaqësimeve që gratë kanë në politikë apo fusha të tjera të jetës, diskriminimi vazhdon të ndihet ndjeshëm. Lufta gjinore duket se nuk ka mbaruar, e do të vazhdojë të jetë e tillë për sa kohë shoqërive do t’u mungojë zhvillimi. Mirela Kumbaro beson se vetëm përmes shkollimit mund të përfitojmë një shoqëri më të mirë, e nuk do të kemi më shprehjen “qenie të dobëta”. Ministrja e Kulturës vjen më poshtë në një intervistë në Ditën Ndërkombëtare të Gruas, duke u nisur nga gratë që sollën ndryshime në Francën e shekullit XIX, të cilat ajo i ka sjellë në gjuhën shqipe, te gjendja e gruas sot…
Le ta nisim bisedën nga një grua, të cilën ju e njihni shumë mirë. Është Marguerite Duras. Sapo kam lexuar përkthimin tuaj të “Moderato Cantabile”. Çfarë solli Duras për Francën e kohës kur jetoi? Çfarë ka lënë ajo te ju?
Marguerite Duras është një shkrimtare e një lloji të veçantë dhe kaq vite pas kulmeve të saj ajo vazhdon të mbetet e tillë, për atë produkt jo vetëm letrar që prodhoi. Ajo solli një produkt intelektual elitar. Duras i përket një periudhe kur intelektualët francezë, të ndikuar nga filozofi përgjithësisht të majta, filozofi ekzistencialiste, ishin le të themi në qendër të vëmendjes së fushës ideologjike e të letrave jo vetëm në Francë, por edhe në Europë. Dhe Marguerite Duras ishte ajo lloj femre, e cila bëhej gjithnjë e më tërheqëse jo sepse ishte femër, por sepse kishte mendje, sepse kishte ide dhe shije në kuptimin intelektual të fjalës. Kjo është ajo çfarë më ka tërhequr te Marguerite Duras. Përkthimi im i parë ka qenë një libër prej saj, gati 30 vjet më parë, “Hiroshima Mon Amour”. Është një shkrimtare, e cila ulet dhe ngrihet brenda meje me një lloj letërsie elitare, ekzistencialiste, por shumë inteligjente.
Ana Debered, personazhi i saj femër te “Moderato Cantabile”, është një grua e vetmuar, e cila lufton brenda saj me tundimin?
Ana Debered është një lloj ure komunikimi, me të cilën Duras përpiqet t’i flasë lexuesit dhe jo domosdoshmërish lexuesit femëror. Ajo nuk është letërsi femërore tipike, por një inteligjencë femërore. Dhe mesazhi i Duras në “Moderato Cantabile” është një lloj thirrjeje për të thënë se emocionet e forta nuk janë ato që jetohen gjithë jetën, gjithë inteligjenca dhe sensibiliteti është për t’i kapur ato për aq kohë sa ato zgjasin. Ato mund të zgjasin një sekondë ose një jetë. Ky është mesazhi i librit dhe kjo është e vlefshme si për një burrë ashtu edhe për një grua.
Le të ndalemi sërish në Francë, te një tjetër personazh që kërkoi me ngulm të ndryshonte gjendjen e grave. E kam fjalën për Simon de Bovuar, dhe librin e saj “Seksi i dytë”. A vazhdojnë të ndihen gratë sot ende “seksi i dytë”…?
Simon de Bovuar mbetet nga ato autore që kanë bërë traktatet e para të versionit të feminizmit europian. Ajo është një bazë dhe emocioni është përpunuar shumë më tepër. Simon de Bovuar është pjesë e një dysheje, e cila nuk ekziston pa njëri-tjetrin. Zhan Pol Sartri dhe Simon de Bovuar, janë të dy autorë që kanë hedhur bazat e një lloj filozofie ekzistencialiste, që theksin nuk e vë te njeriu thjesht si një qenie e përditshme, por te njeriu si një qenie filozofike dhe ekzistenciale. Është ai çift që ka kontribuuar te nocioni i intelektualit si një qenie e angazhuar në shoqëri. E intelektualit që nuk jeton i mbyllur në kullë i vetëm, por e jeton gjithë ekzistencën e vet edhe instiktive, edhe në angazhimin social. Kjo i bën ata të jenë një referencë e pashmangshme, pavarësisht revolucionit dhe ideologjive në Europë apo në botë. Megjithatë, sot tekstet apo traktatet mbi rolin e femrës dhe pozicionin e saj në shoqëri kanë evoluar jashtëzakonisht shumë. Por, në një farë mënyre, të gjithë i janë mirënjohës “Seksit të dytë”.
Colette, një tjetër franceze e famshme, tha në vitin 1927 se “Kur gratë fitojnë pushtet, janë absolutisht të tmerrshme. Janë më keq se burrat dhe jo vetëm kaq…”
Nuk jam dakord. Kjo është një lojë fjalësh shumë e bukur e Colette, që sigurisht mbetet dhe ajo një personazh i jashtëzakonshëm e shumë interesant që Franca ka në katalogun e vet të intelektualeve femërore shumë të fuqishme. Colette është një prej tyre. Por kjo nuk ka të bëjë me faktin që një femër ose një mashkull kur merr pushtet bëhet i tmerrshëm, kjo është thjesht problemi i karakterit të një njeriu. Mund të kemi femra që kanë treguar në historinë njerëzore sesa të fuqishme kanë qenë duke ruajtur dimensionin e tyre human, ashtu sikundër mund të kemi burra monstruozë, të cilëve pushteti ua ka nxjerrë në pah monstruozitetin që kanë brenda. Nuk besoj se është pushteti ai që i bën njerëzit monstra. Monstrën e kanë të gjithë brenda vetes së tyre. Gjithë problemi është sa e dominojnë atë.
Megjithatë, lëvizjet feministe që nisën me ngulm në shekullin XIX duket se janë zbehur. Si i shihni femrat sot? Çfarë ka ndryshuar nga ato vite?
Unë nuk kam qenë asnjëherë pjesë e lëvizjeve feministe, ndonëse gjithnjë kam shprehur hapur qëndrimin dhe pozitat e mia në mbrojtje të qenieve të dobëta, të qenieve që bëhen viktima të një dhune. Besoj se çdo gjë shkon paralel me nivelin e zhvillimit të shoqërisë së një vendi. Në një shoqëri relativisht konservatore, që vjen si pasojë e zhvillimit të ulët kulturor, siç është Shqipëria, tipike mesdhetare ballkanike, ku pa diskutim roli kryesor i jepet mashkullit, jo se është i mençur, por se është mashkull, femrat futen në kategorinë e qenieve të dobëta, sikundër futen fëmijët, pleqtë, njerëzit e margjinalizuar apo ata me aftësi të kufizuara. Një situatë e tillë është tipike e shoqërive të pazhvilluara. Kjo shprehet qoftë në format e dhunës, qoftë në format e diskriminimit të fshehur. Por nuk besoj se kjo zgjidhet me lëvizjet feministe. Jam pro lëvizjeve që janë të pastra pa qëllim në vetvete. E kam thënë dhe do ta them vazhdimisht, që këto probleme zgjidhen gradualisht me shkallën e zhvillimit dhe të edukimit të një shoqërie. Sepse, e para ka qenë fjala e çdo gjë kalon përmes fjalës. Kur një shoqëri që përpara se të shkojë te fjala përdor të gjitha mjetet e tjera, përveçse fjalës, atëherë ajo është një shoqëri që ka nevojë të zhvillohet e të kultivohet. Fjala është mendim, është intelekt, është edukim, është shkollim. Kur ne të kemi rritur parametrat e shkollimit dhe të edukimit, do të kemi një shoqëri që do të komunikojë, e gjërat do t’i thotë përmes fjalës e jo përmes dhunës. Unë besoj se atëherë do të kemi një stad të ri zhvillimi, ku të gjitha qeniet që janë të dobëta do të kenë një pozicion më të fortë. Nga ana tjetër, në të gjitha kategoritë, ka individë të fuqishëm femra apo meshkuj që janë mjaftueshëm inteligjentë, mjaftueshëm të kultivuar dhe dinë të çajnë jo sepse janë femra apo sepse janë meshkuj, por se janë në radhë të parë njerëz të kultivuar e të shkolluar. Mendoj se çelësi i suksesit në një shoqëri është forca e edukimit. Kjo do kohë, por i duhet dhënë koha që duhet.
A mund të flasim ne sot në shekullin XIX për të drejta të grave?
Pa diskutim, sikundër duhet të flasim për të drejtat e fëmijëve apo të drejtat e njerëzve të diskriminuar për arsye raciale apo sikundër duhet të flasim për të drejtat e njeriut në përgjithësi, sikundër duhet të flasim për lirinë e fjalës. Gruaja, për shkak të zhvillimit të shoqërisë në një vend të caktuar, e për shkak të zhvillimeve historike, shpesh bën pjesë te viktimat e qeniet e diskriminuara. Unë jam për diskriminimet pozitive, por nëpërmjet shkollimit e jo nëpërmjet mjeteve artificiale. Jam shprehur publikisht, përgjithësisht kam qenë kundër kuotave gjinore, sepse nuk besoj te kuotat gjinore, por te forca e shkollimit, edukimit dhe komunikimit.
Cilat femra nga historia e Shqipërisë ju kanë frymëzuar?
Ka shumë figura femërore që unë i kam vlerësuar, por përgjithësisht nuk bëj pjesë te njerëzit që frymëzohen nga emra të përveçëm. Ka shumë libra e figura femërore që më pëlqejnë brenda kontekstit ku i lexoj, brenda një letërsie të caktuar, por nuk kam idhuj. Nuk kam idhuj në jetë. U besoj gjërave të vërteta dhe jo idhujve.
Cila është për ty një grua e fortë?
Një grua e mençur dhe e ditur.