Emigrantet ne Greqi mund te punojne ne vendet e BE-se

Emigrantet ne Greqi mund te punojne ne vendet e BE-se

Emigrantët që ndodhen në Greqi tani do të kenë një shans tjetër punësimi, pasi me anë të një leje të lëshuar nga shteti helen ata mund të punësohen në vendet e tjera të Evropës. Ditën e sotme Parlamenti grek miratoi nen për nen me votat e Demokracisë së Re, PASOK-ut, dhe SYRIZA-s Kodin e Emigracionit.

Në bazë të këtij ligji qindra mijëra emigrantë, të cilët do të pajisen me leje të zgjatur qëndrimi, do u jepet e drejta e punësimit në vendet e Bashkimit Europian. Nga ky ligj përfitojnë edhe mijëra emigrantë shqiptarë që jetojnë prej vitesh në Greqi me dokumente të rregullta.

Duke prezantuar Kodin para deputetëve, ministri i Punëve të Brendshme, Leonidas Grigorakos tha se, me vënien në zbatim të kodit të ri, iu hapet rruga mijëra emigrantëve, të cilët kanë mbetur pa punë për shkak të krizës, të kërkojnë punësimin në vende të tjera të Bashkimit Europian.

“Ky projektligj lufton burokracinë, merr masa për mbrojtjen e familjeve, ofron stimuj për emigrantët që qëndrojnë prej shumë kohësh në Greqi”, nënvizoi ministri.

Sipas të dhënave që ministri paraqiti në parlament, në Greqi ka 473 424 emigrantë të ligjshëm, që disponojnë leje të rregullt qëndrimi.  Duhen rreth 2 muaj që ligji të botohet në fletoren zyrtare dhe të bëhet ligj i zbatueshëm në shtetin grek.

I vetmi nen i ligjit i cili nuk u votua është, ai që parashikonte se, “të gjithë emigrantët që bëjnë denoncim të rremë për ushtrim dhune raciste ndaj tyre, do të dëbohen menjëherë nga Greqia”.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama