Në një njoftim të shpërndarë për mediat, Ambasada Amerikanë sqaron se vetëm prindërit e ardhshëm birësues fëmijët e të cilëve po hyjnë në SHBA nën Procesin e Jetimit apo të Hagës, rezidentët në kthim, dhe ata të cilëve u është lëshuar vizë e tipit K, janë të përjashtuar nga tarifa e re.
Faqja e mëposhtme e internetit të USCIS ka më tepër detaje për tarifën e re, përfshirë edhe informacion kontakti për USCIS, nëse keni pyetje të mëtejshme: www.USCIS.gov/immigrantfee
Pyetje dhe Përgjigje
1. Kur duhet të paguaj tarifën e Vizës së Emigrimit të USCIS?
Ju duhet ta kryeni pagesën përpara se të niseni për në Shtetet e Bashkuara. USCIS nuk do t'ju pajisë me kartën jeshile derisa të ketë marrë pagesën. Gjithsesi, edhe nëse ju nuk e keni paguar tarifën, oficerët e Doganës dhe Mbrojtjes Kufitare të Shteteve të Bashkuara do t'ju pranojnë për sa kohë që ju plotësoni kushtet e tjera për të hyrë.
2. Po nëse mua më është lëshuar viza emigrimi para 1 Shkurtit 2013? A duhet të paguaj tarifën?
Jo. Vetëm aplikanët të cilëve u është lëshuar viza më datë 1 Shkurt 2013 dhe pas kësaj date do të paguajnë tarifën e re. Zyrtarët e Doganave dhe Mbrojtjes Kufitare të Shteteve të Bashkuara në kufirin ajror në aeroport apo në kufirin tokësor do të verifikojnë të dhënat për të përcaktuar se kur është lëshuar viza juaj emigruese. Nëse viza është lëshuar më datë 1 shkurt 2013 apo më vonë por pagesa e tarifës nuk është kryer, paketa e vizës emigruese do të pranohet nga ata në pikën e hyrjes, por USCIS nuk do t'ju lëshojë kartën jeshile derisa tarifa prej 165 dollarësh të jetë paguar.
3. Kush duhet të paguajë tarifën e Vizës së Emigrimit të USCIS?
Të gjithë aplikantët të cilëve u është lëshuar vizë emigrimi (përfshirë Vizat e Diversitetit – Lotarisë Amerikane) do të paguajnë tarifën e re. Përjashtim bëjnë fëmijët e birësuar sipas Proceseve të Jetimëve (IR-3/IR-4) ose të Hagës (IH-3/IH-4), emigrantët e veçantë nga Iraku dhe Afganistani që kanë qenë të punësuar nga qeveria e SHBA-së, rezidentët në kthim, dhe ata që u është lëshuar vizë e tipit K.
4. Si mund ta paguaj tarifën e re?
Ju do ta kryeni pagesën duke vizituar www.USCIS.gov/ImmigrantFee. Këtu do të klikoni linkun që ju çon në faqen e llogarisë së USCIS në Pay.gov, do t’i përgjigjeni pyetjeve në këtë faqe dhe do të futni të dhënat e llogarisë tuaj rrjedhëse, kartës së debitit ose kreditit. Për shkak se pagesa duhet tërhequr nga një bankë në SHBA, dikush tjetër mund ta kryejë për ju pagesën e tarifës së emigrimit të USCIS.