Depozitat bankare janë rritur në muajin Gusht pas tre muajsh radhazi në rënie. Sipas të dhënave zyrtare të Bankës së Shqipërisë, totali i depozitave të sistemit bankar në fund të Gushtit ishte afro 948 miliardë lekë, 13 miliardë lekë më shumë, krahasuar me Korrikun.
Muaji Gusht konfirmohet edhe këtë vit si periudhë e favorshme për shëndoshjen e bazës së depozitave të bankave. Rritja ka ardhur në masën dërrmuese prej depozitave në valutë dhe kryesisht në segmentin e individëve. Kjo dëshmon se emigrantët ngelen një faktor në shtimin e kursimeve në ekonomi, pavarësisht nga kriza. Ndonëse prurjet e parave prej tyre në vitet e fundit kanë rënë ndjeshëm, rritja e Gushtit tregon se burimi nuk ka shteruar. Mbi baza më të gjata krahasimi, depozitat vazhdojnë të jenë në rritje pozitive, që për Gushtin ishte 1.9% kundrejt të njëjtës periudhë të një viti më parë.