Gjithashtu pritet që provinca të caktuara, të cilat kanë mungesa punëtorësh të kualifikuar, të kenë kuota më të larta vjetore në përzgjedhjen e emigrantëve. Bëhet fjalë për Saskatchewan dhe Alberta, provincat me papunësinë më të ulët në Kanada. Për muajin qershor 2012, papunësia na Kanada ishte 7.2%, ndërsa në Saskatchewan 4.9% dhe në Alberta 4.6%. Të dyja provincat kanë mungesë punëtorësh të kualifikuar, siç janë teknikët e ndërtimit, mekanikët, saldatorët dhe kuzhinierët. Rezervat e provuara të naftës në këto dy provinca janë të dytat pas Arabisë Saudite, por me kosto më të lartë. Vetëm Alberta pritet të dyfishojë numrin e punëtorëve të naftës me rreth 120 mijë punëtorë të rinj për 8 vitet e ardhshme.
Ndryshe nga Alberta, provinca e Saskatchwan është në fillimet e zhvillimit të industrisë së naftës dhe të mineraleve dhe ka një bum ndërtimesh. Saskachewan ka pasur rritjen ekonomike më të lartë në të gjithë Amerikën e Veriut këto pesë vitet e fundit. Dikur ka qenë një province tipike bujqësore me imazhin e fushave të grurit pa fund. Çdo gjë ka ndryshuar 10 vitet e fundit me rritjen e çmimeve të lëndëve të para dhe mineraleve me të cilat është e pasur.
Pagat janë nga më të lartat në vend. Është krejt normale për një teknik ndërtimi të paguhet me $30 në orë, një mekanik me $30-35, një saldator me $25-30. Kompanitë kanadeze janë të detyruara të rekrutojnë jashtë vendit për të plotësuar shumicën e nevojave të tyre. Mekanikët, saldatorët, teknikët e ndërtimit, kuzhinierët shqiptarë që kërkojnë diçka më tepër në jetë se e ardhmja që u ofron Shqipëria dhe që dinë pak anglisht, ia vlen ta marrin seriozisht emigrimin në këto provinca kanadeze.