Emile Cohl legjenda vazhdon
- Botuar: 17 vite më parë
- Shkruar nga:
Njeriu, dëshirën për të zbërthyer lëvizjen e ka po aq të hershme sa ekzistenca e tij. Shpellat e Altamirës mes vizatimeve të gjuetive, Lojërat Olimpike dhe skulpturat e Antikitetit, Art i Orientit, kanë një sërë dëshmish për përpjekjet mes vizatimeve dhe afreskeve të zbërthimit të sekuencave të lëvizjeve në natyrën e gjallë. Rilindja me kërkimet shkencore solli shembuj të shumtë përmes pikturës, Leonardo da Vinçi me krijimin e dhomës së errët do të na çonte te kinemaja e sotme. Çdo shekull krijoi historine e vet të kërkimeve, por shekulli i 19-të, ishte ai që çoi në shpikjen madhore mes shkencës së fizikës dhe optikës. Shkencëtari belg Josef Plateau shpjegoi përqendrimin e imazhit për disa të dhjeta të sekondës në retinën e syrit. Mes këtij studimi ai krijoi aparatin e quajtur Phenakistiskop. Francezi Emile Reynaud krijoi Praxinoskopin ku mes fotografive dhe vizatimeve jepte përshtypjen e lëvizjeve. Më vonë ai e moderoi duke krijuar teatrin e tij optik. Edisoni në Amerikë dhe Vëllezërit Lumierë në Francë, krijuan aparatin e filmimit të kuadrove të gjalla. Por ai që e bëri realitet filmin vizatimor në vartësi me teknikën, ishte francezi Emile Cohl. Dhe mbeti babai universal i filmit vizatimor.
Emile (Courtet) Cohl u lind në Paris më 1857 në një familje argjendarësh. Cilësitë dhe talenti i tij shpërtheu si iluzionist, por gjatë shërbimit ushtarak u zbulua tek ai aftësia për të vizatuar dhe në fare pak kohë realizoi portretet e gjithë regjimentit. Humori dhe satira që e karakterizonte i dha dorë që të bëhej penë e njohur për ilustrimet humoristike të revistave. Nuk vonoi dhe u bë nxënës dhe bashkëpunëtor i Andre Gill-it, një nga ilustratorët më në zë të kohës. Në atelierin e tij ai zhvilloi talentin dhe bujë të madhe patën portretet që Cohl-i i bëri Verlain-it dhe Toulus Lautrekut. Më 1896 u martua me vajzën e mjeshtrit, Suzane Delpy dhe e fikson aktivitetin tek revistat e ilustruara për fëmijë si dhe tek shkrimet për historinë.
Deri më 1907 ky njeri brilant e i gjithanshëm nuk e kishte prekur akoma kinemanë edhe pse marrjet kuadër për kuadër ishin në rrugë të mbarë si në Francë dhe në Amerikë. Po atë vit, ai hyn në zyrat e Gaumont-it jo për të punuar por për tu ankuar kur vuri re që në një nga prodhimet e Gaumont-it një ide e tij ishte shfytyruar. Por aty për aty i erdhi oferta për të punuar në sektorin e trukeve.
Ishte 50 vjeç kur nis historia e tij si kineast. Në atë kohë në Francë, shfaqej në ekrane filmi amerikan “The Haunted Hotel” i regjisorit James Stuart Blackton. Shumë profesionistë nuk e kuptuan misterin e xhirimit të këtij filmi ku mes xhirimeve të gjalla kishte efekte të mbinatyrshme. Gaumont-i e caktoi Cohl-in që ta studiojë filmin në fjalëkuadër për kuadër. Cohl-i zbuloi çelësin e misterit dhe me të hap portën e kinemasë. Që nga ai moment e deri në fund të jetës xhiroi 700 vizatime, duble në një sfond të zi dhe në film negativ për të dhënë idenë e një ndriçimi.
Personazhet i mbajti mes siluetash duke përdorur për herë të parë metamorfozën e tyre. Filmin e titulloi “Fantazmagoria”, titull që i referohej fantazmotografit, një lloj aparati si lanterna magika i përdorur në shekullin e 19-të. “Fantazmagoria” u shfaq në Paris më 17 gusht 1908, i shoqëruar dhe me 2 filma të tjerë, që i bashkonte një stil. Profesionistët dhe publiku i asaj kohe e priti me entuziazëm duke e quajtur këtë spektakël shpikjen e një arti të ri. Pikërisht prej këtij momenti Cohl-i e çoi përpara krijimtarinë e tij dhe filloi që të kërkojë rrugë të reja eksperimentimi. Ai kombinonte jetën e gjallë me vizatime të xhiruara kuadër për kuadër ose direkt në kamera. Tek Gaumont-i ai realizoi shumë filma. Ndër më të arrirët kujtojmë “Mikrobet e gëzuara”,“Njeriu në hënë”, “Fausti i vogël”. Në këtë ai fillon punë tek “Pathe” ku realizoi filmin me një teknikë të kombinuar vizatime dhe jetë e gjallë, i titulluar “Shpirti hakmarrës”.
Vitet 1912-1914 e gjejnë artistin e madh në Amerikë së bashku me familjen. Aty përhap përvojën e tij evropiane dhe njëkohësisht animon personazhet e artistëve animatorë amerikanë nga më të dëgjuarit. Punon për Eclair në Fort Lee Nju Xhersi, studio që deri në atë kohë prodhonte komedi për audiencën amerikane. Cohl-i e përqendron krijimtarinë në filmat serialë për të cilët lidh kontrata me Winsor McCay. 14 serialet e filmit me titull “I porsamartuari” bënë shumë bujë. Artisti francez i përshtatet kështu stilit amerikan, mes humorit dhe animacionit dinamik.
Filmat “Historia e një mishkonje” dhe “Dinosauri” fituan një numër rekord spektatorësh në Hammerstein Theater në Nju Jork. Artistë si Balcton Winsor McCay, J.R Bray etj., përpiqeshin të shfrytëzonin përvojën e tij. Emile Cohl-i u kthye në Francë më 1914 për shkak të një fatkeqësie dhe s’kalojnë shumë ditë kur studioja “Éclair” merr flakë. Filmat e tij bëhen pluhur e hi dhe disa që shpëtuan nuk mundën asnjëherë të mbërrinin në Francë, për shkak të fillimit të luftës. Gjatë kësaj periudhe merret me filmat shkencorë dhe propagandistikë. Deri më 1923 realizon afro 300 filma dhe fatkeqësisht shumë prej ty nuk i trashëgojmë.
Në 10-vjeçarin e fundit të jetës, Cohl-i kalon vështirësi të mëdha ekonomike, aq të mëdha sa për të jetuar detyrohet të vizatojë për 50 franga. Ky artist i madh i vlerësuar nga Wallt Disney, McLaren e të tjerë artistë të avangardës, e mbylli jetën në varfëri më 20 janar 1938, pak orë pas vdekjes së kineastit të famshëm Gerge Melie. Nipi i tij Pierre ishte 6 vjeç, ndërsa mbesa Suzanë, 4 vjeç. Pierre Courtet Cohl (1932- 2008) gjatë gjithë jetës së vet prezantoi filmat e gjyshit të tij, përmes artikujsh, projeksioneve etj., duke shpëtuar nga harresa veprën e një artisti i Cohl-i i “Fantazmagorisë”. Ai kishte shumë dëshirë që të bënte një aktivitet edhe në Shqipëri. Kemi patur fatin ta njohim personalisht dhe mbetet për ne një nga miqtë më të vyer. Ditët e festivalit të Annecy-së në Francë më 1999 i kaluam duke biseduar edhe për planet e së ardhmes.
Ndërsa gjatë ditëve të qëndrimit në Paris, patëm fatin që të shihnim studion muze të realizuar nga vetë Pjeri mes kamerave, vizatimeve, fotografive dhe filmave të mjeshtrit të madh Emile Cohl. Vitet e mëvonshme na informonte vazhdimisht për aktivitetet që organizonte. Në një letër dërguar në nëntor 2007, shkruante: Miqtë e mi, 100 vjetori i “Fantazmagorisë” po afron. Unë kam bërë të gjitha përgatitjet, por fatkeqësisht shëndeti im po keqësohet, a thua fati s’do mund të më japë kënaqësinë e këtyre momenteve...” Jeta e tij u ndal pak muaj më parë dhe ashtu dinjitoz dhe stoik ai u përcoll për në parajsën e kinemasë. Kishte aq shumë për t’i treguar Emile Cohl-it historinë që ai la pas dhe që e tregojnë Kinemateka Franceze në Paris, Muzeu i Filmit në Annecy, shkolla me emrin “Emile Cohl” në Lion dhe organizma të kinemasë së animacionit të cilat që nga 1 qershori e deri më 31 tetor festojnë madhërishëm dhe nderojnë mjeshtrin e madh.
Gazeta: Shekulli