Kishte që më 13 mars që nuk shënonte, por ashtu siç kishte premtuar në deklaratën për "Panorama Sport" pak ditë më parë do të rikthehej te goli, pikërisht në ndeshjen ndaj Flamurtarit. Izair Emini shënoi me penallti, duke hipotekuar fitoren që e dërgoi Kukësin në finalen e Kupës. Pas ndeshjes, sulmuesi theksoi se është mirë për ekipin e tij që në finale do të përballet me Laçin dhe jo Skënderbeun.
"Jam shumë i kënaqur që tashmë jemi zyrtarisht në finale. Ishte një ndeshje jo e lehtë, edhe pse ne fituam 2-0, duke bërë detyrën në mënyrën më të mirë. Rezultati i ndeshjes së parë në Vlorë bënte që të ulej tempi, por ne e morëm seriozisht dhe arritëm të triumfonim sërish, duke merituar kualifikimin. Duam trofeun dhe ky është një hap i madh. Tani mbeten edhe 90 minuta për finalen", ka thënë fillimisht Emini.
Zhbllokimi
"Sa për golin tim, unë e dija që ishte çështje kohe, por më e rëndësishme është fitorja e Kukësit. Golin ua dedikoj tifozëve kuksianë, të cilët më kanë mbështetur shumë. Tashmë dua të mendoj për ndeshjet e radhës, që të arrijmë sa më parë vendin e tretë në kampionat. Jemi me këmbë në tokë, por po e shijojmë këtë moment të mirë, që shpresoj të zgjasë sa më shumë. Edhe unë dua të mos ndalem këtu, por të shënoj rregullisht dhe ta ndihmoj skuadrën".
Finalja
"Mendoj se është më mirë që do të kemi si kundërshtar Laçin, pasi është një skuadër jo në nivelin e Skënderbeut. Korçarët do të ishin më të frikshëm për ne, nisur edhe nga kualiteti që kanë si ekip, por dhe eksperienca. Gjithsesi, nuk dua të mendoj tani për finalen, sepse është shumë larg. Duhet t'i marrim ndeshjet sipas radhës".
E ardhmja
I pyetur nga "Supersport" për kontratën me Kukësin, Emini theksoi se pas përfundimit të sezonit do të ulet me presidentin për të negociuar. "Sikur të kisha ardhur më herët në kampionatin shqiptar, do të ishte edhe më mirë. Jam i bindur se do të kisha bërë të njëjtën gjë si tani. U përshtata shpejt te Kukësi dhe dua të vazhdoj të luaj për këtë skuadër edhe në sezonin e ardhshëm. Do të ulem të bisedoj me presidentin për kontratën pas mbylljes së sezonit", përfundoi Emini.
Përgatiti: S.Sulozeqi