Emiri, një nga njerëzit më të pasur në planet, ka prona në të gjithë botën por qe dashuruar me ishujt disa vite më parë ndërsa shëtiste me jahtin e tij në ujërat e Itakës. Blerja e ishujve u krye pas 18 muajve bisedime.
Synimi i emirit nuk është të krijojë një resort turistik por një kompleks të madh për familjen e vet me 24 fëmijë dhe tre gra. Al Thani mendon të kalojë pushimet e verës në Greqi dhe sakaq ka dërguar arkitektët për të ndërtuar kompleksin, por po has disa probleme të vogla teknike. “Ka një ligj idiot që thotë se pavarësisht se sa tokë ke blerë, nuk mund të ndërtosh një shtëpi më të madhe se 250 metra katrore,” thotë kryebashkiaku i Itakës. Problemi është se emirit i nevojiten 250 metra katrorë vetëm për banjon e tij ndërsa kuzhina kërkon më vete 1 mijë metra katrorë ndërtesë.
Katari dëshiron të blejë edhe aeroportin e Athinës për ta kthyer në një qendër europiane për kompaninë e vet të fluturimeve ajrore ndërkohë që ka shprehur interes për të blerë bankën turke Finansbank, e cila është aktualisht nën pronësinë e Bankës Kombëtare të Greqisë NBG.