Emmy Gjykata Prinderit do te trashegojne pasurine

'Emmy', Gjykata: Prinderit do te trashegojne pasurine
Pasuria e luajtshme dhe e paluajtshme që la pas vdekjes Elsina Hidersha, këngëtarja 21-vjeçare e njohur si “Emmy”, do t’i trashëgohet dy prindërve të saj.Trashëgimtarët e kën-gëtares që ndërroi jetë pak orë pasi u aksidentua rëndë mbrëmjen e 27 shkurtit të këtij viti në Tiranë, u përcaktuan nga një vendim gjyqësor i Gjykatës së Tiranës. Gjykata shqyrtoi kërkesën e babait të këngëtares, shtetasit K.Hidersha për “lëshimin e dëshmisë së trashëgimisë për të ndjerën Elsina Hidersha”. Pasi shqyrtoi kërkesën, gjykata çmoi se ajo ishte “e drejtë, e bazuar në ligj dhe në prova dhe si e tillë duhet të pranohej. Këngëtarja 21-vjeçare e njohur si “Emmy”, ndërroi jetë pak orë pasi u aksidentua rëndë mbrëmjen e 27 shkurtit të këtij viti në Tiranë. Ajo u tërhoq për disa metra nga një automjet që drejtohej nga biznesmeni kosovar Azis Kelmendi, aktualisht i paraburgosur për llogari të hetimit të kësaj ngjarjeje.

TRASHEGIMIA

Vendimi i Gjykatës së Tiranës, që i jep të drejtën e trashëgimisë të së ndjerës “Emmy” dy prindërve të saj, u shpall pak ditë më parë nga gjyqtari Fatri Islamaj. “Lëshimin e dëshmisë së trashëgimisë ligjore për trashëgimlënësen Elsina Hidersha, duke përcaktuar si trashëgimtarë ligjorë të radhës së dytë të saj:   K.Hidersha, babai dhe F.Hidersha, nëna, të cilët trashëgojnë në mënyrë të barabartë 1/2 pjesë secili të pasurisë së luajtshme e të paluajtshme trashëgimore kudo që ajo ndodhet dhe po në këto raporte përgjigjen trashëgimtarët edhe për detyrimet që burojnë nga kjo trashëgimi”, thuhej në vendimin e gjykatës. Bëhet e ditur se pasuria e paluajtshme e së ndjerës Hidersha, ishte pjesa takuese në apartamentin në kryeqytet, si edhe një automjet “Opel Corsa” i mbetur në vendin ku ajo gjeti vdekjen në periferi të Tiranës. Ajo ka qenë makina me të cilën Emmy kishte mbërritur tek pub “Venue”, natën kur ndodhi ngjarja. Ndërkohë, si pasuri e luajtshme mësohet se janë edhe disa kontrata të nënshkruara prej saj me shtëpi diskografike. Mësohet se këto kontrata Kanë të bënin me përfitimet që vinin nga shumëfishimi, transmetimi dhe shpërndarja e CD-ve me këngët e Elsina Hidershaj.

AKSIDENTI

Përplasja me tokën, pasi ishte tërhequr 50 metër zvarrë, duke u mbajtur tek xhami i një automjeti që lëvizte me shpejtësi, rezultoi tragjik për këngëtaren “Emmy”, mbrë-mjen e 27 shkurtit 2011, pranë pub “Venue” në Tiranë. Pak orë më pas ajo ndërroi jetë në Spitalin Ushtarak. Prokuroria e Tiranës ka vënë nën akuzë për vdekjen e saj, biznesmenin, i cili ishte në drejtimin e makinës. Hetimet në lidhje me këtë ngjarje nuk kanë përfunduar ende. Pak ditë më parë Mjekësia Ligjore ka depozituar në Prokurorinë e kryeqytetit aktin e autopsisë ne lidhje me shkaqet e vdekjes së këngëtares. Sipas autopsisë, këngëtarja ka ndërruar jetë për shkak të goditjes së fortë që ka pësuar në kokë.

Hetimi

Pak ditë më parë Prokuroria e Tiranës ka marrë në dorëzim aktin e autopsisë në lidhje me vdekjen e këngëtares Elsina Hidershaj. Përfundimi i këtij akti ka dhënë ndihmëse të vyer për hetimin e çështjes pasi ka zbardhur mekanizmin e vdekjes së këngëtares 21-vjeçare. Burimet nga hetimi kanë thënë se autopsia ka nxjerrë si shkak të vdekjes së këngëtares goditjen në kokë. Sipas autopsisë, Emmy ka rënë me kokë në asfalt duke pësuar goditje të rëndë dhe konfuzion në tru. Sipas mjekëve që kanë bërë autopsinë këngëtarja nuk ka pasur gjurmë apo shenja dhune e dëmtimesh të tjera në pjesë të trupit me përjashtim të kokës. Prokuroria ka kqyrur edhe pjesët anësore të makinës së biznesmenit për të parë nëse ka pasur goditje të qëllimshme të viktimës.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama