Ndikimi që pati tek adoleshentët ishte i menjëhershëm dhe i jashtëzakonshëm dhe bëhet fjalë për adoleshentë që u përkasin familjeve të shtresave të mesme dhe të larta të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, të cilët gjetën në këtë lëvizje një mënyrë për të shprehur tendencat e tyre depresive dhe vetmitare. Në kulturën "emo", melankolia, depresioni dhe mënyra e rëndë e veshjes janë një normë. Këta të rinj preferojnë të dëgjojnë grupe rroku që këndojnë këngë të trishtueshme e qaramane, me akorde herë pas here të forta e me tekste në të cilat shprehet inati dhe zemërimi, përveçse trishtimi. Stereotipi botëror i "emo"-s është një adoleshent anglosakson që i përket sërës së mesme, apo të lartë, i cili ndihet i vetmuar dhe i rrethuar nga njerëz që nuk e kuptojnë dhe që mendon se është shumë më i ndjeshëm nga të tjerët dhe shumë më emocional. Ky adoleshent ka një paraqitje fizike tipike: preferon ngjyrat e errëta, është i dobët, ka tendenca vetëvrasëse, ose i shkakton vetes goditje e dëmtime fizike për të përjetuar dhimbje. Instrumenti muzikor i preferuar është kitara, por ndërkohë praktikon edhe aktivitete të ndryshme artistike. Të rinjtë që i bashkohen kësaj lëvizjeje takohen me njëri-tjetrin në qendrat tregtare për të kërkuar veshjet që i përshtaten psikologjisë dhe gjendjes së tyre emocionale. Pak nga pak kjo lëvizje, fillimisht muzikore, është shndërruar në një lëvizje gjithnjë e më në modë dhe më në fund, siç ndodh me të gjitha rrymat që e kanë zanafillën në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ka nisur të përhapet edhe në vende të tjera të botës, por më së shumti në Meksikë. Edhe ata takohen me njëri-tjetrin nëpër sheshe të ndryshme për të kaluar në shoqërinë e ndjenjave dhe emocioneve të njëri-tjetrit disa orë. Nëse do të dalësh nëpër rrugët e qytetit e ke të lehtë të dallosh tipat që i përkasin "emo"-s. Ata janë të gjithë me flokë të zinj, me ndonjë fije rozë nëpër to. Veshin gjithmonë vetëm xhinse, kanë një numër të madh vëthësh e pirsing në pjesë të ndryshme të trupit dhe mbajnë unaza e byzylykë, pa harruar të lyejnë sytë me të zi. Bluzat e tyre janë gjithmonë të zeza. Por, sa më shumë që rritet e shtohet numri i të rinjve që i përkasin një grupimi të tillë, aq më e madhe është edhe pakënaqësia dhe kundërshtia e të tjerëve ndaj tyre. Shumë anëtarë të tribuve të tjera urbane, si "punk", "dark" e të tjerë, i shohin "emo"-t me sy të keq, pasi ata nuk kanë një bazë ideologjike dhe nuk janë një kulturë në kuptimin e mirëfilltë të fjalës. Ata akuzohen se janë plagjiatorë të ideve e tendencave të grupeve të tjera dhe për këtë qëllim i tallin me shprehjen "grup qendre tregtare". Të tjerët i urrejnë sepse "emo"-t janë disi të brishtë e vajzërorë. Nga ana e tyre, "emo"-t u kanë shpallur një betejë të vërtetë kundërshtarëve në internet. Përmes faqeve të pafundme ata kundërshtojnë dhe hedhin baltë mbi grupet kundërshtare dhe mundohen që t‘i bindin të tjerët se edhe ata kanë një ideologji të tyren dhe një mënyrë të menduari. Urrejtja dhe frika ndaj "emo"-ve sa vjen e po përhapet gjithnjë e më tepër në shoqërinë meksikane. Madje ajo është shndërruar në një kulturë të vërtetë dhune ndaj pjesëtarëve të këtij grupi emocional. Askush nuk e di nëse të bësh pjesë në "emo" është vetëm një modë, apo një pjesëmarrje në një grup që mbart një ideologji të caktuar rinore. Një pjesë e madhe e të rinjve që bëjnë pjesë në këtë grupim nuk di asgjë në lidhje me thelbin e tij dhe vjen në takimet e mëdha vetëm për të ndjekur modën, apo për të dëgjuar muzikë. Rekrutimet kryesore bëhen përmes internetit dhe një veçori e këtij grupi është papërcaktueshmëria seksuale. Sipas një anëtareje të këtij grupi, të gjithë fillimisht duhet të kalojnë eksperienca të përziera, pra biseksuale, e më pas mund të përcaktojnë shijet e tyre, pra nëse duan të vazhdojnë të jenë heteroseksualë apo homoseksualë. "Emo"-t luajnë gjithmonë rolin e viktimave që refuzojnë dhunën e çfarëdollojshme dhe i përgjigjen asaj me tërheqje dhe me qetësi. Tributë e tjera i konsiderojnë "kopjacë" dhe ndjekës të një tendence e mode kalimtare, por "faji" i tyre më i madh është se ata janë një risi në vetëve dhe sa herë që në një shoqëri të caktuar shfaqet një gjë e re, kundërshtitë janë të kuptueshme. Por, për arsye ende të panjohura, inati ndaj "emo"-ve është aq i madh, saqë ka nga ata që do të donin t‘i shihnin të eliminuar, madje edhe fizikisht. Që këtej kanë ardhur përleshjet e dhunshme mes grupeve, që shpesh përfundojnë edhe me të plagosur rëndë. Në këto rrethana askush nuk e ka marrë në konsideratë faktin se dhuna e pastër dhe e pamenduar është një instinkt i njeriut dhe mbi të gjitha i të rinjve. Historia e dhunës mes grupeve të ndryshme nuk është e re. Ajo që ndodh aktualisht të sjell ndërmend dhunën mes grupeve britanike "mod" dhe "rocker" në vitet ‘60, si dhe trazirat racore në Los Anxhelos në vitin 1992.
Fëmijët "emo"
Është termi për adoleshentët që dëgjojnë muzikë të tipit "emocore". Shumëkush mendon se ata janë të dështuar, se nuk kanë forcën e duhur për të fshehur emocionet e tyre, se janë jashtëzakonisht të ndjeshëm, të turpshëm, të mbyllur në vetvete dhe shpesh të heshtur. Fëmijët "emo" parapëlqejnë t‘i shprehin ndjenjat e tyre përmes poezive, në të cilat trajtojnë çështjet e depresionit dhe të humbjes së shpresës që ndjejnë, problemet e konfuzionit, inatit dhe e gjithë kjo sepse ata mendojnë se bota, duke filluar që nga prindërit e tyre, nuk është në gjendje që t‘i kuptojë. Poezitë e tyre kanë një tonalitet shumë emocional, nuk ndjekin ndonjë skemë të përcaktuar rime, u referohen gjithmonë problemeve të zemrës dhe dhimbjes. Këta të rinj që kanë zgjedhur të bashkohen nën këtë grupim e kanë shumë të vështirë ekzistencën edhe për shkak të paragjykimeve të shoqërisë, të cilat shndërrohen herë pas here edhe në persekutime të mirëfillta. Në rrethet e adoleshentëve termi "emo" ka kuptim fyerjeje. Nëse do të quash dikë "emo", atëherë do të kesh dashur të thuash se personi është jashtëzakonisht emocional, domethënë i dobët. Muzika "emo" krahasohet me të ashtuquajturat "boyband" të viteve ‘90.
Skeda
Termi "emo" vjen nga anglishtja (emocional) dhe i referohet një dege muzikore që e ka prejardhjen nga "punk rok" në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në mesin e viteve ‘90.
Sot, muzika "emo" përfshin edhe këngë shumë melodike e emocionale. Grupet më të preferuara nga "emo"-t janë: "My chemical romance", "Tokio Hotel", "Funeral for a friend".
Vajzat dhe djemtë "emo" vishen me xhinse llastiku, bluza të zeza, në të cilat stampohen figura të bandave të preferuara dhe mbajnë vëthë në pjesë të ndryshme të trupit.
Nga : Gazeta Shqip