Emra vetjake mesjetare te shqiptareve
- Botuar: 17 vite më parë
- Shkruar nga:
Zanafillën e kanë në shekujt e parë të krishtërimit zyrtar dhe fillimet e Mesjetës. Janë emra mbarëshqiptarë dhe kanë hyrë shekuj përpara skizmës së shekullit të XI-të. U mënjanuan duke u zëvendësuar nga emra të nomenklaturës së kishës sunduese, sllave në Shqipërinë Verilindore dhe me emra të nomenklaturës greke në Shqipërinë e Jugut dhe të Mesme
Antroponimia iliro-shqiptare mbetet një fushë me rëndësi për studimin e gjuhës shqipe dhe vazhdimësinë e saj nga ilirishtja, me ndikim dhe në historiografi. Me gjithë rëndësinë që ka ajo, mendojmë se mbetet shumë për tu bërë në këtë0 lëmë. Do të ishte një ndihmesë e madhe për studiuesit, botimi i të gjithë emrave, që ruhen në arkivat e qendrave kërkimore, në radhë të parë si material bruto në internet, ose të jetë disponibël në format elektronike, përfshirë këtu dhe toponiminë e trevave ilire-shqiptare (makro dhe mikrotoponimi), që do të përbënte një lëndë bazë dhe me vlerë, për studimet antroponimike dhe daljen e saj nga disa korniza të ngushta e gjykimesh sipërfaqësore që përsëriten.
Studimet e derisotme, në një vështrim të parë përgjithësues, kanë treguar se emrat vetjakë mesjetarë të shqiptarëve në tërësinë e tyre paraqiten karakteristikë dhe të dallueshëm vetëm për etninë tonë, duke u përdorur në këto forma vetëm prej tyre, duke u veçuar qartë në këtë mënyrë nga popujt e tjerë, në radhë të parë nga fqinjët. Siç kanë treguar me kohë studiuesit, ato vijnë nga dy burime kryesore: emra të burimit vendas (ilire, iliro-shqiptare dhe shqiptare) dhe emra të huazuara (laikë dhe fetarë).
Në këtë grup të dytë, mbizotërues gjatë mesjetës, një vend të rëndësishëm zënë emrat e nomenklaturës kishtare, të përdorura e të transmetuara që në shekujt e parë të krishtërimit zyrtar në trajta karakteristike të gjuhës sonë. Këta emra që dëshmohen gjatë Mesjetës së Mesme duket se u formuan të tillë në trajtat bazë të tyre që gjatë shekujve të Antikitetit të Vonë dhe Mesjetës së Hershme. Si Gjin, Gjon, Gjokë, Lekë, Meri, Dede, Gjergj, Meksh, Bue, Dodë, MëhiIl, Kolë e shumë të tjerë. Ato kanë arritur deri në ditët tona qoftë si emra vetjakë, ashtu edhe në toponimi, në emërtime që lidhen me ndërtime kulti.
Për sa i përket dokumentacionit historik ku takohen këta emra, ai vjen nga Mesjeta e Mesme e sidomos nga regjistrimet venedikase e turke të shekujve XV-XVI. Qysh nga rasti i parë që njihet, i përdorimit të një emri shqiptar (Leka-udhëheqës i revoltës së bogomilëve në shekullin e X-të në Bullgari), e deri në mesjetën e vonë, lista e emrave vetjakë të shqiptarëve që dalin në dokumentacionin historik është mjaft i madh. Ato gjenden në gjithë habitatin e shqiptarëve nga Antivari e deri në gjirin e Ambrakisë e jo vetëm aty por edhe në trevat e diasporës historike. Ato dalin fillimisht si emra vetjakë, ndërsa më vonë dhe si emra të familjeve apo të fisit (mbiemra). Shumë prej tyre me kohë zhduken, të tjerë fillojnë të përdoren. Ky grup emrash vetjakë ndër të tjera, meriton të studiohet dhe nga gjuhëtarët, për ndryshimet që kanë pësuar në kohë në gojë të shqipfolësve, si fjalë që vijnë qysh nga mesjeta e hershme dhe përherë në gojë të shqiptarëve.
Toponomastika, ndër to emërtimet e ndërtimeve të kultit dhe vendet e emërtuara sipas personave (pronarë, banorë apo histori të lidhura me ta), emrat e njerëzve në dokumentacionin historik e mbi të gjitha në defteret osmane të trojeve të banuara nga shqiptarët, tregojnë për një përdorim të këtyre emrave në këto forma tek i gjithë etnosi arbëror. Me interes është gjithashtu njohja e parapëlqimeve për emrat vetjakë për krahina të veçanta dhe lidhja e tyre me pajtoret e kultit.
Në këto radhë duam të kontribuojmë për sqarimin e problemit se kujt i përkasin këta emra ndër shqiptarët, përderisa studiues të veçantë i kanë lidhur ato vetëm me popullsinë e besimit katolik, duke u nisur nga përdorimi sot i tyre, kryesisht vetëm nga popullsia e besimit katolik. Gjetja e këtyre emrave në toponimi dhe në defteret osmane në gjithë Shqipërinë e Jugut, përherë ortodokse dhe të palidhur në aspektin kishtar me Perëndimin, qysh në prag të pushtimit osman, d.m.th pa filluar emigrimet brenda trojeve shqiptare si dhe në diasporën më të hershme, e hedh poshtë këtë mendim pa lënë vend për gjykim të kundërt. Njëherazi hidhet poshtë dhe teza e gabuar se popullimi me shqiptarë i trojeve jugore të Arbërisë Mesjetare ka ndodhur pas pushtimit osman. Sigurisht që migracion të brendshëm ka pasur por jo si një dukuri masive.
Njohja e historisë së organizimit administrativ kishtar në trojet e shqiptarëve na ndihmon për ta ndriçuar këtë problem. Nga studimet na rezulton se për sa kohë që kisha e shqiptarëve ishte e inkuadruar në struktura administrative të perandorive shumëkombëshe, përdorimi i emrave vetjakë të nomenklaturës kishtare sipas gjuhës së secilit komb, nuk përbënte ndonjë problem, madje ishte një praktikë e zakonshme e gjithë botës së krishterë. Për Patrikanën e Kostandinopojës gjatë periudhës bizantine, asnjëherë nuk u shtrua ky problem e po kështu dhe për kishën e Romës, nga e cila varej Shqipëria e Veriut nëpërmjet Tivarit duke filluar nga shek. XI. E njëjta mund të thuhet për trojet në Shqipëri të Mesme dhe të Jugut që vareshin nga Patrikana e Ohrit.
Por situata historike, gjatë së cilës ishin në përdorim emrat vendas të nomenklaturës kishtare, ndryshoi në fillim të shek. XIII, kur pas pushtimit të trojeve verilindore të shqiptarëve, nga shteti serb i Rashës me Stefan Nemanjën (viti 1198) u krijua Patrikana e Pejës (1217), e cila u krijua si kishë kombëtare e serbëve. Patrikana e Pejës përfshiu në juridiksionin e saj peshkopatat që deri atëherë vareshin nga patrikana e Ohrit. Që nga kjo kohë dëshmohen raste të shumta të intolerancës fetare të ushtruar nga kisha serbe në trojet e Shqipërisë veriperëndimore të përfshira ndërkohë në kishën e Romës nëpërmjet kryepeshkopatës së Tivarit, të cilës në shek. XV-XVII i varet dhe peshkopata katolike e Prizrenit.
Patrikana ortodokse e Pejës duket se kërkonte që emrat t’i përmbaheshin trajtës në të cilën shqiptohen dhe shkruhen nga popullsia sllave, pra sipas nomenklaturës së tyre kishtare. Për pasojë shqiptarët filluan, edhe me detyrim, të marrin edhe emra të nomenklaturës kishtare sllave, pra të pagëzohen me to dhe të thirren me to. Regjistrat turke e dëshmojnë këtë dukuri, ashtu siç ndodh dhe e kundërta, që megjithëkëtë, një numër i madh shqiptarësh vazhdon të mbajë emra karakteristikë të vetat, një pjesë e mirë e të cilëve rrjedh nga emra shenjtorësh. Kërkesa për marrje të emrave sllave duhet të ketë qenë me dhunë dhe jo pa synime asimilimi. Rezistenca për të dhe politika armiqësore nacionale dëshmohet dhe me kthimin masiv të shqiptarëve në fenë islame qysh në periudhën e parë të pushtimit osman, ndër të tjera dhe si mjet për t’u dalluar nga jo shqiptarët.
Në Shqipërinë e Mesme dhe atë të Jugut këto emra u ruajtën për një kohë më të gjatë, deri në shek. XVIII-XIX, kur nga ana e Patrikanës së Stambollit, pas suprimimit të asaj të Ohrit në vitin 1776, kemi fillimin e një politike greqizuese dhe identifikimin e ortodoksit me grekun, politikë që me sa dukej përkrahej dhe nga Porta e Lartë. Megjithëkëtë, në gjuhën e folme shqipe emrat e shenjtorëve qoftë për ditën e kremtimit të tyre, qofte si emërtim i kishës me atë pajtor janë në shumë raste sipas emrave mesjetarë shqiptarë: Shën Mëri, Shën Gjergj, Shën Mitër, Shën Koll, etj. Të gjitha këto dukuri dëshmohen më së miri në Defteret e kohës dhe burime të tjera dokumentare.
Pra, kjo kategori e emrave mesjetarë shqiptarë e ka zanafillën në shekujt e parë të krishtërimit zyrtar dhe fillimet e Mesjetës. Ato janë në përdorim të gjerë nga e gjithë popullsia shqiptare. Këta emra janë pra, mbarëshqiptarë dhe kanë hyrë shumë shekuj përpara skizmës së shekullit të XI-të, dhe për këtë arsye nuk duhet të lidhen vetëm me popullsinë e besimit katolik. Ato u mënjanuan, duke u zëvendësuar nga emra të nomenklaturës së kishës sunduese, përkatësisht sllave në Shqipërinë Verilindore dhe me emra të nomenklaturës greke (jo bizantine) në Shqipërinë e Jugut dhe të Mesme. Ky menjanim detyrohej e lehtësohej dhe nga perdorimi i gjuhes se sunduesit si gjuhë e shkruar në kontaktin e shqiptarëve me administratën dhe kishte, në të njëjtën kohë, synime të qarta afatgjata asimilimi, për sa kohë që nuk shkruhej masivisht gjuha shqipe.
Pra sa herë që peshkopatat në trojet e shqiptarëve ishin të inkuadruar në një kishë të shtetit shumëkombësh ose në një kishë që përfshinte kombe të ndryshme, ishin në përdorim emrat mesjetarë të shqiptarëve, po kështu, kur kisha shtrihej në shumë shtete. Një gjë e tillë vështirësohej deri në mënjanim, kur kisha ishte e një shteti me synime të qarta kombëtare e deri në antishqiptare.
Siç vërejtëm më lart, ka ardhur koha e hartimit të një fjalori historik të emrave vetjakë të shqiptarëve gjatë Mesjetës. Kjo sot është e mundur, sepse burimet dhe dokumentacioni historik në dorë të studiuesve është i madh. Këtu përfshihen dokumentet historike të botuara në Acta Albaniae, Kadastri venedikas i Shkodrës, Defteret e periudhës osmane, si të botuarat ashtu dhe ato që janë të përkthyera dhe presin botimin, Relacionet e misionarëve të Vatikanit, Acta Albaniae Veneta, Sixhilatet e shumë të tjera të shpërndara në botime të ndryshme e të tjera ende të pabotuara. Pjesën më me vlerë për studim e paraqesin emrat që rezultojne deri në fund të shekullit të XV-të, pra përpara pushtimit dhe lëvizjeve të popullsisë që pasuan.
Me të njëjtin interes do të ishte dhe studimi i emrave të huazuara gjatë Mesjetës së Vonë, ku vërejmë të njëjtat dukuri si në periudhat e mëparshme, d.m.th. emrat e rinj dhe ato të fesë islame përdoren dhe ndryshohen në kohë sipas rregullave të gjuhës shqipe dhe mënyrës së përdorimit të emrave nga shqiptarët, duke u shkurtuar dhe si të tilla më vonë kalojnë dhe në mbiemra.
Studimi i antroponimisë shqipe me kritere të rrepta shkencore është një ndërmarrje e rëndësishme e cila fillon me evidentimin e tyre nga botimet e derisotme të burimeve dhe dokumentacionit historik, dhe që duhet të vazhdojë me kërkime të mëtejshme në arkiva. Më tej këto materiale duhet të vihen në dispozicion të të gjithëve, për tu vështruar dhe analizuar nga këndvështrime të ndryshme. Kuptohet që do të jenë gjuhëtarët ata që duhet të japin të parët mendimet e tyre për përkatësinë gjuhësore të këtij fondi emrash vetjakë dhe rrugën e formimit të tyre në trajtat që i kemi ne në dokumentacionin historik si edhe sot.
Studimet për emrat vetjakë shkencorë do të shmangin dhe interpretimet jo të drejta shkencore për probleme që lidhen me emrat e shqiptarëve të huazuara nga nomenklatura fetare. Por gjithnjë, kusht themelor për studime reale dhe të besueshme mbetet evidentimi dhe vënia në dispozicion të studiuesve dhe publikut të fondit të këtyre emrave të përdorura në trojet e shqiptarëve dhe emrave në përdorim gjatë shekujve nga diaspora historike.