Emrat e femijeve cfare po ndodh?

Emrat e fëmijëve, çfarë po ndodh?
Fetë ndër shqiptarë, nga ana e tyre, e kanë sistematizuar emërtimin prej shekujsh, në kuptimin që pagëzimi ndër besimtarët funksionon më tepër si akt përkatësimi, teksa dëshira e prindërve përtretet në dëshirën e përbashkët të komunitetit për t’u riprodhuar dhe përkushtimin e përbashkët ndaj hyjnisë. Për këtë arsye, konfirmimi i shqiptarisë si fe` kombëtare, që nga Rilindja e këtej, përkoi me gjallërimin dhe përhapjen e një sistemi të ri emrash shqip, të cilët do t’ia ndërronin pamjen madje ngjyrën shoqërisë në shtetin shqiptar, edhe ai i porsapagëzuar sërish në 1912-ën. Emrat me prejardhje nga fjalë të shqipes, si Ylli, Drita, Agim, Vjollca, Luan, Lumturi, Dashamir, Liri, Bekim, Fatbardh e dhjetëra të tjerë të këtij lloji, tip emri që nuk kishte munguar ndër shqiptarët më parë, filluan tani të përdoren si shenjë e vullnetit për ta identifikuar shqiptarinë me gjuhën shqipe.

Madje edhe emra me prejardhje të huaj, si Liliana, Robert, Kozeta, Ernest, Hektor, Diana, Edmond, Roland e të tjerë u përdorën më tepër si shprehje e shekullarizimit të kulturës shqiptare, ose e një prirjeje për t’iu shmangur emrave tradicionalisht të diktuar prej feve. Kultura kombëtare kërkonte kontroll mbi emrin e përveçëm; dhe shekulli XX u shtjellua edhe shekull ndërrimi rrënjësor të emrave ndër shqiptarët, çka u shoqërua me shndërrime të tjera shoqërore po aq të thella dhe gjithëpërfshirëse, mes të cilave hapja ndaj kulturës botërore, veçanërisht asaj perëndimore. Meqë rilindja e shqiptarit modern parakuptonte përvetësimin masiv të historisë kombëtare, në shkolla dhe gjetiu, kjo hodhi në qarkullim një grup emrash që u përkisnin burrave dhe grave të shquara të kombit në të shkuarën - duke filluar me Lekën e Madh, e pastaj me radhë Pirron, Gjergjin, Kastriotin, Donikën, Gjinin, Vojsavën, Kamanin, Gjonin, Aranitin, Mamicën, Jerinën; krenaria për lavdinë e shkuar shkonte krah për krah me gjeografinë e atdheut, si tokë të shenjtëruar nga historia; që andej emra si Korab, Shkëlzen, Drin, Sazan, Arbër, Rozafë, Tomor. Shqipëria, e shtrirë në hapësirë dhe në kohë, po riprodhohej tani në identitetet vetjake të qytetarëve të saj.

Një hap më tutje do të hidhej me emrat ilirë, qëmtuar prej mbishkrimeve mbetur nga lashtësia ose vjelë nga tekstet klasike. Bardhyl, Agron, Genci dhe Tefta u hapën rrugë një vargu emrash të tjerë të çuditshëm, të panjohur, por të bukur; në fonetizmin ilir, kultura shqiptare gjeti, ndoshta vetëm duke e përfytyruar, shenja të një të kaluare që përndryshe kish humbur. Këtë proces të natyrshëm shekullarizimi dhe shqiptarizimi nëpërmjet shekullarizimit e përçudnoi ndërhyrja totalitare në kulturë, ose imponimi ndonjëherë forcërisht i detyrimit për t’i emërtuar fëmijët sipas listash politikisht të miratuara. Si në fusha të tjera, totalitarizmi përvetësoi prirje kulturore të natyrshme e në thelb pozitive, duke i zbrazur nga kuptimi, për t’i kthyer në rituale po aq të konsumuara sa ato fetaret, të cilat kërkonte të zëvendësonte me çdo kusht. Zgjedhja e emrit nga prindërit ose kumbari ka edhe një aspekt estetik; gjuhëtarët prej kohësh kanë vënë re parapëlqimin për emra që përmbajnë bashkëtingëllore sonante si n, l dhe r; veçanërisht u parapëlqye eufonia për emra vajzash, në rrethanat kur femra erdhi duke iu larguar modelit të nënës me shumë fëmijë, për t’iu afruar atij të së dashurës dhe objektit të bukur në përgjithësi. Të detyruar të zgjidhnin emra për fëmijët e tyre nga një meny zyrtare e afishuar në zyrat e gjendjes civile, shqiptarët e viteve 1970-1980 u kapën pas estetikës formale të bukurtingëllimit si i mbyturi pas fijes së barit - siç e vërejmë sot në emra njëzet-tridhjetëvjeçarësh si Alketa, Kleid, Erion, Blendi, Elona, Suela, Ledio, Eriola, Entela, Klea.

Vlera e emrave ilirë mbeti e lartë në bursën e shkëmbimeve kulturore; por tashmë pakkush kujtohej për domethënien e tyre, historike ose tjetërlloj, ose për funksionin që kishin pasur në krye. Vitet 1990 ishin për shqiptarët vite përmbysjesh të mëdha, por edhe dëshirash të mëdha, mes të cilave shquhej ajo për ta bërë “Shqipërinë si gjithë Europa”; gjakimi për këtë farë shndërrimi kërkonte investime gjithfarësh, por investimi në një emër fëmije mbetej më simboliku e ndoshta më i mbarsuri me vizion. Ashtu edhe fëmijët shqiptarë erdhën e u bënë, me marramendje prej orteku, Tedi, Sara, Fiorela, Xhoni, Samanta, Franc; për të mos folur për të gjitha ato raste, kur prindërit iu rikthyen ritualit fetar të ndërprerë brutalisht dhe artificialisht gjatë viteve totalitare. Si dhe herët e tjera, ky ndërrim paradigme ishte përgatitur prej kohësh dhe duhet lexuar si rezultat procesesh largvajtëse; mes të cilave duan dalluar, nga njëra anë, bjerrja e rëndësisë simbolike të aktit emërtues ose trajtimi i emërtimit si të ishte fjala për të zgjedhur një xhaketë ose një palë këpucë në dyqan; dhe nga ana tjetër, kriza e Shqipërisë post-totalitare, që i shtyu shumë qytetarë shqiptarë t’u uronin fëmijëve, pavetëdijshëm, një të ardhme si joshqiptarë, por si qytetarë “të botës”. Prirja instinktive, në situata të tilla, është që zgjidhja të kërkohet nëpërmjet ndërhyrjes, sadoqë ndërhyrja, sidomos nga ana e autoriteteve çfarëdo, jep rezultate gjithnjë kundërprodhuese. Njerëzit nuk duan më që dëshirat e tyre, duke përfshirë aty emrat e fëmijëve, t’ua diktojnë të tjerët, madje edhe kur këta të tjerë mbahen si më të mençëm, më të virtytshëm, e më shqiptarë se kallaballëku.

Gjithnjë është me dobi praktike që valët e përhapjes së emrave më të përdorur të këqyren e të studiohen si epidemi të modës, të cilat ndjekin ligjësitë e përhapjes së sëmundjeve ngjitëse. Mirëpo modën, edhe kur është e qortueshme, nuk e kundërshton dot me metodën e karantinës; meqë gardhet e digat, sado të forta, veç krijojnë tensione shpesh të papërballueshme. Përkundrazi, një mënyrë e këshillueshme ndërhyrjeje do të ishte vetëdijësimi i publikut për procesin, krahas me nxitjen e një kulture të tillë të së përditshmes, që t’ia kthejë aktit pagëzues shekullar solemnitetin dhe prindërve përgjegjësinë kulturore ndaj emërtimit. Megjithatë, shqiptarët ndoshta do t’u rikthehen emrave shqiptarë kur Shqipërisë t’i jetë rikthyer sado pak dinjitet, brenda dhe jashtë vendit; sepse vetëm ashtu dëshirat e individëve do të përputhen me aspiratat e elitave kulturore kombëtariste dhe përzgjedhja e emrave nga tradita kombëtare shekullare do të përjetohet nga prindërit dhe komunitetet si cool.


Gazeta: Shekulli

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama