Emrat ja ke pergjoi Berisha

Emrat, ja ke pergjoi Berisha

Shërbimi Informativ Shtetëror ka përgjuar në mënyrë indirekte zyrtarët me imunitet. Sipas të dhënave të publikuara në emisionin “Opinion” të Blendi Fevziut, në listën e të përgjuarve janë kryeministri Edi Rama, kryetari i Kuvendit, Ilir Meta, kreu i opozitës, Lulzim Basha, kreu i Kontrollit të Lartë të Shtetit, Bujar Leskaj por dhe një numër i madh deputetësh të mazhorancës së sotme dhe disa nga deputetët demokratë. Në listën e të përgjuarve janë dhe gazetarë të njohur e botues mediesh. Të dhënat kanë dalë nga raporti paraprak i hartuar nga grupi i kontrollit në SHISH, i ngritur nga Komisioni i Sigurisë, pjesë të të cilit janë deputetët Pjerin Ndreu, Xhemal Qefalia dhe Pirro Lutaj.

Politikanët e përgjuar

Sipas të dhënave të publikuara në emisionin “Opinion”, Rama dhe Meta janë përgjuar duke komunikuar kryesisht me një pronar të rëndësishëm mediesh ndërsa Basha nga komunikimi me një drejtor të bashkisë që ishte vënë nën përgjim dhe me të cilin ai kishte komunikim frekuent. I njëjti burim sjell si shembull të përgjimeve një bisedë mes Vangjel Dules dhe Vasil Bollanos, në të cilën pjesa që është veçuar është ajo ku Dule njofton Bollanon se Rama dhe Meta kanë arritur një marrëveshje për të dalë bashkë në zgjedhje. Kjo bisedë është bërë disa kohë përpara 1 prillit të vitit 2013, kur Meta dhe Rama shpallën aleancën mes tyre. Në fund të 5 faqeve të raportit, vijon një listë me emrat e identifikuar të personave me imunitet apo personazheve publikë që kanë qenë nën përgjim ku figurojnë 25 deputetë të mazhorancës aktuale. Midis tyre janë, emrat e Edi Ramës, Ilir Metës, Sajmir Tahirit, Erion Veliajt, Vangjel Dules, Tom Doshit, Ben Blushit, Taulant Ballës, Besnik Bares, Paulin Stërkajt, Armando Prengës, Mark Frrokut, Ilir Beqjas, Pjerin Ndreut... Ndërsa nga opozita e sotme veç Bashës, të përgjuar figurojnë edhe Astrit Patozi, Ilir Rusmali dhe deputeti i ndjerë demokrat Sokol Olldashi. Sipas këtij raporti paraprak në listë janë dhe 3 gjyqtarë të Gjykatës së Lartë, disa emra të medias, gazetarë por dhe prokurorë.

Mënyra e përgjimit

Materiali paraprak prej 5 faqesh i cilësuar si “sekret shtetëror” është përgatitur nga grupi i kontrollit për të cilin janë në dijeni disa deputetë të parlamentit, shërbimet sekrete, kryeministri, kreu i kuvendit dhe personat që janë marrë me përgatitjen e tij. Sipas burimeve që i referohen raportit dhe punës së komisionit, ka disa gjëra që dalin nga kontrolli. Së pari, të gjitha hetimet e shqyrtuara nga përfaqësuesit e parlamentit figurojnë si “përgjime parandaluese”. Përgjime të tilla nisin mbi bazën e një indicie që vjen nga një prej agjencive shtetërorë të inteligjencës që ka për qëllim parandalimin. Agjencitë që mund ta kërkojnë këtë gjë janë: Shërbimi Informativ Ushtarak, Njësia e Inteligjencës Financiare; SHKB-ja e Ministrisë së Brendshme; Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm të Burgjeve; Departamenti Hetimor Operativ i Ministrisë së Financave dhe Drejtoria e Hetimit Tatimor. Të gjitha këto përgjime, nuk kanë nevojë për vendim gjykate dhe nuk përdoren si provë në gjyq! Sipas rregullores, transkriptet e këtyre përgjimeve shkatërrohen brenda 7 ditëve! Së dyti, të gjitha përgjimet janë bërë me autorizim të Prokurorit. Nuk figuron së paku nga hetimi i deritanishëm, asnjë përgjim i paautorizuar nga prokuroria. Së treti, sipas të njëjtit burim, nën përgjim figurojnë emra të njohur të mediave, figura periferike të politikës dhe ambasadorë të huaj. I njëjti burim pohon se përgjimet janë kryer në harkun kohor dhjetor 2012 deri më korrik 2014. Dokumentet që janë gjetur përbëjnë, sipas hartuesve të raportit, vetëm 5 për qind të akteve të përgjimit ndaj grupi i kontrollit ka kërkuar të hyjë në ambientet e brendshme të përgjimit por kjo gjë është refuzuar nga SHISH-i. Sipas ligjit, softi i përgjimeve, i instaluar në vitin 2005 me ndihmën e shërbimeve sekrete britanike dhe i vënë në përdorim në vitin 2008, përbën sekret shtetëror të shkallës më të lartë dhe ai nuk mund të preket as nga përfaqësuesit e Parlamentit. Në këtë rast, ai që duhet të autorizojë ndërhyrjen është kryeministri, por Edi Rama ka refuzuar të mbajë një qëndrim për këtë çështje.

Raporti, shkeljet në përgjimet e SHISH-it

Shërbimi Informativ Shtetëror ka përgjuar në shkelje të hapur të ligjit. Sipas konkluzioneve të hedhura në raportin paraprak të grupit të kontrollit të ngritur nga Komisioni i Sigurisë, SHISH-i ka përgjuar indirekt persona me imunitet të cilët janë vënë në përgjim duke marrë miratimin nga prokuroria të personave të tretë. Sipas burimeve të “Top- Channel” (TCH), ajo që krijon dyshime për abuzim është fakti se rezultatet e përgjimeve të këtyre bisedave nuk u janë dërguar sektorëve përkatës operativë, të cilët kanë kërkuar vendosjen në përgjim. “Bisedat e personave me imunitet në përgjithësi përmbanin elementë të përditshmërisë së tyre dhe janë printuar jashtë formatit standard të miratuar, në mënyrë të parregullt, të panormuar në aktet nënligjore, të paregjistruara dhe të pa firmosura nga askush”, citohet të jetë shkruar në raport. Prandaj, deputetët që kanë ushtruar kontrollin thonë se nuk ka qenë personi i vënë në përgjim vetëm objekti i punës së SHISHit por edhe ata me imunitet, sa kohë që këto regjistrime janë ende pjesë e memories së aparaturave përgjuese. Sipas tyre, nëse objekt i punës së drejtorit të SHISH-it do të ishte personi i vënë në përgjim, atëherë materiali i printuar duhej të përmbante nuanca të një veprimtarie që cenon sigurinë kombëtare dhe përgjimi duhej t’i kalonte direkt sektorit që kishte bërë kërkesën. Por ka ndodhur e kundërta. Sipas raportit, thotë TCH, “Përgjimi është printuar në një format jashtë standardit të miratuar dhe që lidhet me aktivitet private apo politike të deputetit”. Sipas dokumentit, janë me qindra rastet e përgjimeve të tilla, për të cilat është në dijeni edhe drejtori i SHISH-it, Visho Ajazi. “Këto informacione janë printuar e përdorur në kundërshtim me standardin e miratuar dhe nuk janë të regjistruara në asnjë regjistër, sikundër ndodh me informacionin zyrtar të përgjimeve”, citohet raporti. Më tej, në të kërkohet nga drejtori i SHISH-it që mbi bazën e detyrimit ligjor të sqarojë se cili ka qenë destinacioni i këtyre informacioneve, ku janë administruar dhe si janë asgjësuar ato.

 

Përgjimet nga SHISH-i, Çuko: Ajazi në shërbim të Berishës

Kryeministri Sali Berisha ka pranuar publikisht se është në dijeni të përgjimeve që ka bërë Shërbimi Informativ Shtetëror. Kjo, pohon deputeti socialist, anëtar i Komisionit të Sigurisë, Arben Çuko, tregon se Visho Ajazi Lika ka qenë në shërbim të tij. “Kjo tregon që Ajazi ka punuar direkt për Berishën. Madje unë kam frikë se mos punon dhe tani për Berishën”, - pohoi Çuko për “Shekullin”. Ndërsa sipas deputetit Xhemal Qefalia nuk është i vërtetë pretendimi i Sali Berishës se kryeministri Edi Rama ka rënë në kurth. Ky pohim i anëtarit të komisionit të Sigurisë, njëherësh pjesë e grupit të hetimit në zyrat e SHISH-i, lë të kuptohet se kanë qenë direkt zyrtarët që kanë qenë nën përgjim.

Reagimi i anëtarëve të Komisionit të Sigurisë

 

I pyetur lidhur me deklaratën e ish-kryeministrit Sali Berisha se: “Nuk ka pasur raste kur më thonë se Edi Rama është përgjuar, por jam i sigurt që ka rënë në kurth”, anëtari i Komisionit të Sigurisë, Xhemal Qefalia i cili është dhe një nga tre deputetët e grupit të kontrollit në zyrat e Shërbimit Informativ Shtetëror, pohoi dje se nuk ka informacion që kryeministri Edi Rama të këtë rënë në kurth. “Nuk kam informacion që të ketë rënë Rama në kurth. Nuk di të them se çka pasur në mendje ish-kryeministri Berisha por unë di që nuk ka rënë Rama në kurth”, - pohoi Qefalia duke lënë të nënkuptohet kryeministrit Rama duhej të kishte qenë në përgjim. Ndërsa një tjetër anëtar i Komisionit të Sigurisë, Arben Çuko pohoi se Berisha me deklaratat që bën, del vetë i zbuluar. “Berisha e fut kokën si struci në rërë dhe gjithë trupin e ka përjashta. Nuk mund të përgjohet kryeministri, kryetari i parlamentit dhe të gjithë ata që aludon Berisha, me një urdhër. Kush e ka dhënë urdhrin? Duhet të mbajë përgjegjësi ai që e ka ekzekutuar urdhrin verbal sepse Berisha është mësuar, jep gjithmonë urdhra me gojë që mos ketë asnjë gjurmë, por gjurma është atje, ai duhet të përgjigjet”, - deklaroi Çuko. I pyetur nga “Shekulli” se si është e mundur që ish-kryeministri të jetë në dijeni për përgjime sekrete, Çuko shton se: “Përderisa Berisha ka dijeni për përgjimet, kjo do të thotë se Ajazi ka punuar direkt për Berishën dhe unë kam frikë se mos punon dhe tani për Berishën”. Kryeministri pak ditë më parë pranoi edhe pse indirekt, që ishte në dijeni të përgjimeve të bëra nga Shërbimi Informativ Shtetëror.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama