Altin Gjoni, një ish-punonjës në Drejtorinë e Përgjithshme të Doganave, jeton sot në ShBA. Tetë vjet më parë ai e ka parë veten në krye të një liste të hartuar nga ish-deputeti i PD, sot president, Bujar Nishani. Zoti Gjoni thotë për JAVA se ende nuk i ka ikur shija e hidhur që i ka lënë mënyra sesi e kanë pushuar nga puna dhe duke iu drejtuar Presidentit Nishani, ai shprehet: "Të lutem, të paktën hesht!"
Zoti Gjoni, papritur e keni parë emrin tuaj në internet, në një dokument të disa viteve më parë të botuar në media, ku kërkohej pushimi juaj nga puna. Autori i pretenduar i shkresës është Bujar Nishani, dikur kryetar i PD së Tiranës dhe deputet i Partisë Demokratike, e sot President i Republikës. A mund të na thoni si qëndron e vërteta e kësaj historie? Cila është kronologjia e ngjarjeve që sollën largimin tuaj nga puna që bënit?
Në qershor të vitit 2006, pas rreth 9 vjet pune në sistemin doganor, mora një shkresë nga Drejtoria e Përgjithshme e Doganave, ku njoftohej shkarkimi im nga puna me motivacionin e shkeljes së kodit të etikës të kodit doganor, për pjesmarrje aktive në fushatën elektorale, në favor të Partisë Socialiste. Bashkangjitur me shkresën e DPD për pushimin nga puna, si provë për të vërtetuar shkeljen, ishte shkresa e deputetit Bujar Nishani, ky dokument i cili u bë publik kohët e fundit në mediat shqiptare.
Pas marrjes së shkresës për pushimin nga puna, rruga institucionale që duhej ndjekur ishte paraqitja në komisionin disiplinor të DPD, dhe më pas, në qoftë se komisioni do të linte në fuqi vendimin e DPD, ishte ankimimi i vendimit në rrugë gjyqësore. Në paraqitjen time përballë komisionit disiplinor të DPD, i cili ishte tërësisht me punonjës të ardhur pas zgjedhjeve të vitit 2005, unë paraqita pretendimet e mia për mosvërtetësi të dokumentit të përpiluar nga Bujar Nishani, për pjesëmarrjen time të pretenduar aktive në fushatën elektorale të vitit 2005, pasi unë nuk ndodhesha në Shqipëri, por në SHBA, në muajt qershor dhe korrik, muaj në të cilët u zhvillua fushata, dhe u mbajtën zgjedhjet e përgjithshme.
Për ta faktuar këtë, u tregova atyre pasaportën time me vulat e aeoroportit të Rinasit, të aeoroportit JFK në New York dhe gjithashtu biletën e udhëtimit. Asnjë nga faktet e mia nuk u mor parasysh, dhe arsyetimi i tyre, thënë shprehimisht ishte se një deputet i nderuar, si zoti Bujar Nishani, nuk mund të gënjejë. Ky ishte i vetmi fakt qesharak që ata paraqitën, megjithë këmbënguljen time se nuk isha një aktivist partiak dhe me arsyetimin, se po të isha i tillë koha më e rëndësishme për aktivistët që të impenjoheshin me partinë ku aderonin, ishte fushata dhe zgjedhjet, periudhë kjo në të cilën unë nuk ndodhesha në Shqipëri. Logjika ime e faktuar qe e kotë, pasi ata vazhduan refrenin që kishin përzgjedhur qysh në fillim: shkresa është hartuar nga një deputet dhe si rrjedhojë është mëse e vërtetë. Tingëllon qesharake, por ky ishte një realitet i asaj kohe.
Më pas ju drejtova gjykatës, ku pretendimet dhe faktet e mia u konsideruan të drejta. Edhe në gjykatë pala kundërshtare, që ishte DPD, nuk paraqiti asnjë provë tjetër, veç shkresës së Bujar Nishanit.
Si qëndron akuza që formulohet anë të shkresë, për implikimin tuaj në aktivitete politike?
Mbas zgjedhjeve të vitit 2005, pati disa valë pushimesh nga puna të kolegëve të mi, shumica e tyre me motivacionin e shkeljes së kodit të etikës, për pjesëmarrje në fushatën elektorale, gjithmonë në favor të partisë socialiste. E kisha përjashtuar veten time nga ky lloj kategorizimi, pra të shkelësve të kodit të etikës për pjesmarrje në fushatën elektorale për disa arsye; e para nuk isha përfshirë në asnjë fushatë elektorale, gjatë gjithë kohës që kam qenë punonjës i administratës doganore dhe e dyta, për afro nëntë vjet në administratë dhe afro dy vjet në Misionin Doganor të Komunitetit Europian, kisha fituar një eksperiencë dhe kisha kryer disa trajnime, të cilat mendoja më jepnin një vlerë të shtuar për të qëndruar në sistemin ku isha angazhuar. Por, një vit mbas zgjedhjeve, pavarësisht të gjithave sa thamë më sipër, asgjë nuk u mor parasysh dhe ashtu si shumë kolegë të tjerë, edhe unë mora shkresën për pushimin nga puna, me dokumentin qesharak të Bujar Nishanit, bashkangjitur asaj. Akuza e asaj letre nuk ka asgjë të vërtetë brenda dhe asgjë të faktuar mbi prova. Ato ishin thjesht justifikime dhe akuza të fabrikuara, për të legjitimuar shkarkimet e paligjshme nga puna të punonjësve të administratës.
Çfarë efekti ju bëri botimi masiv nga mediat i asaj shkrese? Si u ndjetë?
Kanë kaluar disa vjet dhe të them të drejtën me qëllim jam përpjekur t’i harroj ato ngjarje, sepse i konsideroj sa qesharake, aq edhe paradoksale. Për mendimin tim nuk ka një retrospektivë në to, që të kthesh kokën mbrapa dhe të nxjerrësh konkluzionet, ose mësimet e duhura, sepse pavarësisht se janë të krijuara nga njerëz që përfaqësojnë popullin, janë pa thelb dhe pa asnjë vërtetësi.
Kur një mik më tregoi dokumentin e botuar në një gazetë shqiptare, fillimisht m’u duk qesharake, por më pas ndjeva një lloj keqardhjeje, sepse sot nga një këndvështrim tjetër vlerësoj se eksperienca dhe karriera janë një aspekt shumë i rëndësishëm për çdo punonjës. Ky është një investim i vlefshëm në anën profesionale dhe kur ndodh që të shkatërrohet pikërisht nga ata njerëz që duhet t’i mbrojnë këto vlera të krijuara, është vërtetë për të ardhur keq.
Ju ndodheni sot në SHBA me gjithë familjen. Çfarë mendoni për mënyrën sesi u detyruat të lini vendin?
Ka një lloj paralelizmi midis biznesit dhe profesionit, sepse në të dyja ka një investim, i cili është një pjesë e rëndësishme e suksesit të tyre. Investimi në një profesion është eksperienca, përkushtimi dhe kualifikimet. Këto të bëjnë të qëndrushëm dhe të suksesshëm në profesion, dhe që më pas këtë do e përdorësh në të mirë ose në funksion të institucionit ose kompanisë ku punon. Këto, mendoj unë, ka parasysh një njeri normal, për të ndërtuar të ardhmen e tij dhe të familjes. Por nuk më rezultoi të ishte e tillë në Shqipëri, të paktën në atë kohë, kur me një letër deputeti ti hidhesh në rrugë megjithë eksperiencën e vitet e punës, duke u detyruar ta fillosh çdo gjë nga e para.
Administrata në Shqipëri, në atë kohe ishte punëdhënësi kryesor, ndërsa sektori privat kishte mundësi shumë të vogla punësimi. Për mua, të filloja punë në administratë, me një «damkë» politike tashmë mbi krye, ishte e pamundur. Sinqerisht, asokohe Shqipëria më dukej si një vend në kufinjtë e një diktature, ku e shihje veten të deklasuar apo të përkëdhelur me njërën nga partitë, sa herë që ato ndërroheshin në pushtet. Me keqardhje shikoja një perspektivë të pamundur në vendin tim, sepse ishte krijuar bindja e përgjithshme se sa herë që të ndërroheshin pushtetet, duhej të largoheshe nga puna, ose të filloje nga e para. Si pasojë e këtyre rrethanave, zgjidhja e vetme ishte të largohesha nga Shqipëria, me shpresën, por dhe me bindjen se paradokset shqiptare nuk do t’i gjeja në atë vend ku do shkoja.
Nëse do të mundeshit t'i drejtoheshit presidentit Nishani, çfarë do t'i thonit nëse do e kishit përballë?
Me gjithë respektin që mund të kem për postin që zoti Nishani mban, para shtatë vjetësh kur lexova për herë të parë shkresën e tij si deputet, isha i bindur dhe e kuptoja pak a shumë lojën politike dhe mënyrën sesi ajo funksiononte. Atyre që u ngjitën në pushtet, të sapoardhurve, u duheshin vende pune, sidomos në sistemin financiar, dogana dhe tatime, e në një farë mënyrë e dija dhe pa dashur dhe e pranoja këtë realitet, si shumë të tjerë.
Nuk e them këtë se e legjitimoj shkresën tuaj në atë kohë zoti Nishani, sepse ajo ka qenë dhe është fund e krye një paçavure juridike, si dhe krejt e pavërtetë. Por ajo çka më rëndon së tepërmi është se si ju mundoheni ta legjitimoni atë veprim tuajin edhe sot, duke deklaruar në publik se ju jeni respektuesi i pashoq i ligjit. Si mund të pretendoni, zoti President, se paskëshit denoncuar shkelësit e ligjit dhe për këtë ndjeheni krenar?!
Asaj kohe kur ju konstatonit shkelësit, zoti Nishani, çfarë kriteresh konstatimi përdornit, faktet apo gojëdhënat?! Ju sot jeni një ndër garantët e ligjit në Shqipëri, por dua t’ju kujtoj se në atë kohë, kur po më largonin padrejtësisht nga puna, nuk sollët asnjë fakt në gjykatë, për të mbrojtur konstatimin tuaj, ose më saktë as nuk denjuat, se edhe vetë ju e dinit qëllimin e vërtetë të shkarkimeve.
Me respekt do ju lutesha, jo të pranonit gabimin e asaj kohe dhe të kërkonit falje, sepse kjo do të kërkonte një fuqi të mbinatyrshme, e asnjë politikan shqiptar nuk e ka këtë fuqi, por vetëm do t’ju kërkoja të paktën të heshtnit. Do ishte më e udhës, për arsyen e vetme se nuk do vazhdonit të na lëndoni edhe sot, ne, të cilëve u keni bërë dikur një padrejtësi jo të vogël. I keni larguar nga puna, e pse jo edhe nga atdheu i tyre.