Në jetën e tyre djali i vogël, Roan, (ashtu si edhe "përkthehet" emri në Indonezi), ka domethënien e diellit. Pas 13 vjetësh bashkë, për çiftin e balerinëve Enada Hoxha e Gerd Vaso, ardhja në jetë e një fëmije do të thoshte të lidheshin edhe më, me një premtim "të shumëfishuar" të asaj... derisa vdekja të na ndajë. Duket si një film rozë gjithçka përreth, por në fakt asgjë nuk ka qenë kaq e thjeshtë. Të arrish të jesh në majë, apo edhe afër saj kërkon shumë mund, sakrificë deri "në djersë dhe gjak", siç pohon balerina Enada Hoxha, e cila tashmë i është rikthyer skenës në rolin e koreografes dhe të balerinës.
E përzgjedhur për të bërë koreografinë e "Moulin Rouge", me përvojën edhe të disa muzikaleve të mëparshme (“Shekuj e dashuri”, "Dhjetë urdhëresat" dhe "Katedralja e Parisit", "Romeo e Zhuljeta", "Çikago"), etj., artistja që ka hequr nga vetja edhe ndonjë kile më shumë që mund të ketë marrë gjatë shtatzënisë, shfaqet para publikut edhe si balerinë. E angazhuar edhe në "Star Academy", ajo pohon se në qershor do të jetë protagoniste në një shfaqje klasike me koreografin italian Tony Candeloro...
"Moulin Rouge", megjithëse një projekt privat, mund të cilësohet si projekti që ju riktheu në skenën e TKOB pas muajve të gjatë të shtatzënisë. Sa e vështirë ishte të punonit me këtë musical, duke qenë se shfaqeni së pari si koreografe?
Këto muaj kam munguar, pavarësisht se kam qenë prezente me koreografi me trupën e TKOB-it. Gerdi është vazhdimisht në skenë. Pres muajt në vazhdim të jem prezente në skenë. Tani po vij edhe në formën e duhur. U harruan shpejt dhjetë muaj, megjithëse mungesën e skenës e kam ndier shumë dhe e kam përjetuar madje me të qara. Megjithatë, mund të pohoj se kemi qenë shumë të impenjuar me trupën e baletit. Në musical aktrohet, këndohet, kërcehet balet. Baleti është pjesë e rëndësishme e një musicali. Sigurisht kërkon vite që musicali i vërtetë të realizohet duke kërcyer. Ky është musical që kërkon më shumë këndim e kërcim. Roli im e i Gerdit është ai i koreografit. Kemi realizuar disa musicalë si koreografë të kësaj kompanie teatrore. Përveç këtij roli, Gerdi gjithmonë është prezent edhe si balerin. Këtë radhë unë marr pjesë si balerinë vetëm në një pjesë të vogël, sa për ta ndier veten prezente pas një kohe të gjatë pushimi. Gerdi është marrë shumë edhe me aktorët, sidomos me gjestet koreografike. Pjesa është sa groteske, aq ka brenda dramën dhe dashurinë. Është një koreografi që i është përshtatur shumë mirë pjesës. Është hera e parë që pa filluar shfaqja, unë me Gerdin jemi kënaqur me punën tonë. Këtë koreografi mund të themi se "e kemi goditur". Është kënaqësi, ky është shpërblimi më i madh i punës sonë.
Si mund të arrish "më të mirën", duke qenë njëkohësisht edhe nëna e një bebi të vogël? Në ç'mënyrë e programoni ditën për të marrë maksimumin prej saj?
Pas një darke të pagjumë, (jo se djali, Roan qan, pasi falë Zotit është tepër i urtë) sepse përkujdesem gjithmonë "non stop" për djalin kur jam në shtëpi, duke e lëkundur apo duke i dhënë gji kur kërkon të pijë, shumë shpejt vjen mëngjesi. Është një përkushtim, një lodhje për Roan që s'e quaj fare, por që sigurisht ndihet gjatë ditës. Në orën 9.00 të mëngjesit duhet të jem në punë, në TKOB. Pas katër orë provave dhe pas një ore në "Star Academy", kthehem në shtëpi në orën 21.00 të mbrëmjes apo shpesh edhe në orën 24.00. S'bëhet fjalë fare për pushim e relaks, madje as për të takuar familjarët e mi që i shoh rrallë, e me të cilët tani rrallë kemi dhe "weekend".
Sa ju ndihmon prania e Gerdit, meqenëse jeni edhe në të njëjtin profesion, për të përballuar këtë ritëm të ngjeshur pune?
Jemi gjithë kohës bashkë. Gjithë punët, streset i zgjidhim së bashku, ashtu si dhe kemi kënaqësitë e përbashkëta. Në këtë raport ka vetëm pozitivitet. Duhet të dish në çift si të krijosh marrëdhëniet që të vijnë në mënyrë të natyrshme, të përcjellësh streset, e t'i kthesh në gëzim dhe në harmoni. Ky është dhe çelësi i suksesit tonë.
Sukses, që në fakt duket se "rrënjoset" që në fillim të udhës artistike. Mund të thoni cilët janë ata persona që iu kanë përkrahur në zgjedhjet tuaja si balerinë?
Në radhë të parë çdo gjë ia kushtoj punës sime të pashtershme, ambicies, pa delirin e unit. Pavarësisht vullnetit, sakrificës, nuk mund të lë pa përmendur koreografin Agron Aliaj, që ka punuar në mënyrë të mrekullueshme e plot pasion me mua e Gerdin. Ka qenë fat i madh për mua që kam punuar edhe me koreografë jashtë, si: Tony Candeloro, Renato Greko, koreograf me emër në Itali, e ku kam pasur fatin të studioj në shkollën e tij.
Shumë eksperienca që më kanë dhënë mundësi të kërcej punët e tyre e më kanë dhënë frymëzimin të punoj punët e mia si koreografe. Eksperienca që jo gjithkush ka fatin t'i përjetojë. E padyshim, gjithë këtë sukses ia dedikoj familjes, përkushtimit, edukatës së dhuruar. Falë tyre jam kjo që jam dhe pata fatin të hyj edhe në një familje po shumë të mirë, me parime të mrekullueshme dhe shpresoj që këtë përkushtim t'ia përcjellim edhe djalit tonë, që kemi ëndërr ta kemi djalë të mrekullueshëm e të edukuar.
Një djalë, i cili dëshironi të jetë balerin si edhe ju?
Gjithmonë shprehem se të jesh balerin është sakrificë e jashtëzakonshme. Do të doja të bëhej balerin, pse jo, vetëm nëse do të jetë talent. Në të kundërt do të doja të studionte shumë për të qenë dikush në jetë, pavarësisht fushës. Por duket se ka "të dhëna" gjenetike për balerin, po të marrim parasysh se edhe mamaja e Gerdit, Aishe Toto, ka qenë një nga balerinat e para të teatrit.
Duke qenë prej kohësh pjesë e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit, si e shihni TKOB në këtë periudhë?
Vlen për t’u përmendur që në teatër ka shumë artistë të talentuar. Është bërë punë shumë e mirë, pavarësisht se sa përkrahet teatri nga donatorët si në botë. Falë drejtorit Zhani Ciko dhe stafit janë realizuar vepra të jashtëzakonshme, që i realizojnë vetëm teatrot më prestigjiozë.
E lidhni këtë edhe me suksesin që keni patur personalisht?
Jo. Teatri vërtet ka realizuar vepra të mëdha, prestigjioze. Megjithatë, nuk mund të mohoj se gjithë gjërat që kam ëndërruar janë realizuar. Po të kem parasysh edhe se unë e Gerdi arritëm të jemi të preferuarit e publikut.
Nuk mendoni se këtu "ka dorë" edhe fati? Apo nuk jeni supersticioze?
Me raste bëhem. Por të them të drejtën, jam tepër koshiente se ky fat ka ardhur i kërkuar prej meje. Por nganjëherë duhet që fatit t'i besosh. Më bën të besoj se ky fat ekzistoka, kur mendoj që ka edhe plot njerëz që punojnë shumë, por nuk spikatin. Kaq, jo më shumë.
Sa e vështirë është për ju të ruani linjat trupore? Do të këshillonit diçka në këtë drejtim për balerinat e reja?
Çdo gjë fitohet me djersë dhe gjak. Në këtë profesion vritesh, ka probleme me trupin, shumë sakrifica. Në këtë drejtim më ndihmon edhe fakti se jam vegjetariane në shije. Por nëse nuk sakrifikon, që nga puna e palodhur me orar dhe pa orar, mbajtja në formë e vetes për të qenë bukur estetikisht dhe artistikisht, nëse s'arrin të jesh magji në skenë, atëherë nuk arrin të jesh balerinë. Njoh shumë balerina që kam takuar e kam biseduar. Frymëzim për mua ka qenë Carla Fraçi. E kam pëlqyer gjithmonë si komportohet e fal emocion në skenë.
Duke vënë në peshore baletin dhe koreografinë, me të cilën së fundmi jeni marrë shumë, ku e shihni të ardhmen tuaj të largët?
U bënë disa vite që bashkë me Gerdin jemi marrë me koreografi. Koreografia është pjesë e pandarë e jona. Bënim koreografi dhe interpretonim vetë, apo koreografitë tona i interpretonte trupa e baletit. Pas disa vitesh do t'i përkushtohem koreografisë. Por është shumë herët të lë baletin.
Atëherë, kur do të arrijmë të shohim Enadën të interpretojë si protagoniste në një shfaqje baleti?
Si balerinë klasike protagoniste do të shfaqem në një projekt të TKOB-it me koreografin italian Tony Candeloro. Është punë e mirëfilltë klasike që do të jetë në qershor sipas kalendarit të teatrit.
Bisedoi: Blerina Goce
Nga Gazeta Metropol