Në një artikull të para pak ditëve botuar në këtë gazetë, me titullin "Enciklopedi me gabime të turpshme", Enver Robelli vinte në dukje disa gabime dhe pasaktësi të Fjalorit Enciklopedik Shqiptar (FESH-it), dy vëllime të së cilit janë prezantuar tani së fundi në Tiranë.
Meqë nuk kam pasur mundësi ta shoh nga afër këtë botim, nuk jam në gjendje të konfirmoj nëse përmban vërtet gabime "të turpshme" apo jo; aq më tepër që turpi është kategori subjektive, kryekëput e kushtëzuar nga personi që e përjeton. Megjithatë, artikulli i Robellit hap shtegun për një diskutim i cili i duhet sot patjetër botës akademike shqiptare.
Botime të tilla si fjalorët enciklopedikë me pjesëmarrjen dhe ndihmesën e një numri të madh specialistësh të fushave të ndryshme janë përgjithësisht të kushtueshme dhe kanë inerci të madhe, meqë korrigjimi i gabimeve të mundshme - të turpshme e të paturpshme - kushton ndoshta po aq sa edhe botimi fillestar.
Nga ana tjetër, kryeredaktori i FESH-it prof. Lafe është një nga dijetarët më të përgatitur, në krejt hapësirën shqiptare, për të përballuar konceptimin dhe bashkërendimin e një ndërmarrjeje kaq ambicioze; prandaj gabimet dhe pasaktësitë i duhen faturuar më tepër disa vështirësive dhe mangësive objektive të strategjisë për hartimin dhe botimin e FESH-it, sesa kompetencës ose vizionit të drejtuesve të projektit.
Fakt është që në kontekstin e sotëm teknologjik të përhapjes dhe të shkëmbimit të informacionit, një Fjalor Enciklopedik në trajtë libri të shtypur është i dënuar, si dinosaurët, të ngecë në baltën e inercisë që sjell me vete dhe të vjetërohet që pa u botuar ende.
Edhe pse fjalorët e këtyre përmasave gjithnjë i janë ekspozuar rrezikut të vjetërimit, sot publiku e ka më të lehtë se kurrë të bashkëveprojë me informacionin, duke i ballafaquar mes tyre burimet e ndryshme dhe duke i perceptuar si "të meta" të gjitha diferencat ose mospërputhjet me burime të tjera, njëlloj autoritare, të dijes.
Aq më e vërtetë bëhet kjo në rrethanat e një kulture si ajo e sotmja në viset shqiptare, e cila po pasurohet e po rikufizohet me ritme aq marramendëse, sa ta vërë në pikëpyetje vetë arsyen e ekzistencës të veprave kodifikuese monumentale, si FESH-i.
Prandaj e vetmja zgjidhje praktike për drejtuesit dhe autorët e ndërmarrjeve të tilla madhore është që veprat të vendosen në Internet dhe t'ia hapin dyert publikut falas, në mënyrë të tillë që proceset e pasurimit dhe të korrigjimit të bëhen pjesë e vetë veprës, jo t'i bashkëngjiten kësaj si njolla ose nota negative.
Edhe pse është e udhës që FESH-i të mbetet fjalor i natyrës akademike, duke e ruajtur autoritetin që i mungon, bie fjala, një enciklopedie me autorësi të hapur si Wikipedia, përsëri publikut i duhet dhënë mundësia që të japë ndihmesën e vet, duke komunikuar me redaktorët e faqeve dhe të rubrikave drejtpërdrejt.
Ashtu, gabimet e vëna në dukje nga Robelli, por edhe të tjera që me siguri u kanë shpëtuar hartuesve, do të mund të vlerësoheshin dhe, sipas nevojës, të ndreqeshin brenda pak ditëve ose javëve; duke ia garantuar publikut një informacion jo vetëm të plotë, por edhe të përditësuar dhe të vërtetësuar në kohë reale.
Natyrisht, hapësira e Internetit nuk duhet përfytyruar si dyzim ose zëvendësim i hapësirës së komunikimit me shkrim; por si pasurim i mediave komunikuese.
Fjalori enciklopedik i vendosur online nuk do të nxirrte jashtë përdorimit librin e shtypur, por vetëm do të ndihmonte që informacioni enciklopedik shqiptar të bëhej më i përdorshëm për masën e publikut shqiptar, duke përfshirë edhe nxënësit e shkollave, studentët dhe të gjithë ata të tjerët që, për arsye të ndryshme, nuk do ta blejnë dot një vepër akademike shumëvëllimëshe.
Nga ana tjetër, formati i botimit online jo vetëm nxit ndërveprimin e fjalorit me publikun dhe ndreqjen e pasaktësive dhe gabimeve, por edhe ia rrit ndjeshëm rendimentin vetë mediumit enciklopedik, nëpërmjet mekanizmit të hiperlidhjes (hyperlink), e cila ia thyen vijueshmërinë drejtvizore tekstit të shkruar, duke e lejuar përdoruesin të "kërcejë" nga një pikë e tekstit në tjetrin, duke ndjekur fillin e mendimit ose të referencave.
Brezat e rinj, të cilët janë mësuar tashmë me mënyrat numerike (dixhitale) të parashtrimit të informacionit dhe do të vijnë duke kaluar gjithnjë e më shumë kohë të lidhur në rrjet, do ta kenë shumë më të lehtë ta shfletojnë enciklopedinë shqiptare online, sesa ta lexojnë librin e shtypur në bibliotekë. Ashtu informacioni enciklopedik jo vetëm do të ruhet, por edhe do të paraqitet më miqësor ndaj përdoruesve.
Gjithashtu, formati elektronik do t'ua bënte më të lehtë punën bashkërenduese redaktorëve të Fjalorit, duke shmangur inercinë e letrës së shkruar dhe vështirësitë përkatëse të përditësimit; pa folur pastaj për uljen e kostos së botimit, shtypshkrimit, mirëmbajtjes dhe përditësimeve.
Si në një rast, ashtu edhe në tjetrin, lehtësia e përdorimit dhe e hartimit/redaktimit do të vihej drejtpërdrejt në shërbim të kulturës, në pajtim edhe me misionin dhe arsyen e veprës enciklopedike në vetvete.
Bota shqiptare, dhe këtu nuk kam parasysh vetëm Tiranën, ka nevojë të ngutshme për një bibliotekë enciklopedike të vendosur në Internet dhe të hapur ndaj përdoruesve.
Sa më shpejt të veprohet për ta realizuar këtë bibliotekë, aq më shpejt do të mbyllet hendeku midis rojtarëve të informacionit, ose Akademisë, dhe publikut dijedashës, i cili ka nevojë për burime informacioni të besuara dhe autoritare, për të përballuar më mirë sfidat që ia nxjerr sot përpara moderniteti kulturës dhe identitetit shqiptar.
Përmbledhje
Bota shqiptare, dhe këtu nuk kam parasysh vetëm Tiranën, ka nevojë të ngutshme për një bibliotekë enciklopedike të vendosur në Internet dhe të hapur ndaj përdoruesve.
Sa më shpejt të veprohet për ta realizuar këtë bibliotekë, aq më shpejt do të mbyllet hendeku midis rojtarëve të informacionit, ose Akademisë, dhe publikut dijedashës, i cili ka nevojë për burime informacioni të besuara dhe autoritare.
Gazeta Shekulli