Endrra kineze qe zevendeson endrren amerikane

Endrra kineze që zëvendëson ëndrrën amerikane
Dhe kjo ka të ngjarë të mos jetë shumë larg, të paktën në disa drejtime që nuk kanë të bëjnë edhe shumë me ekonomikë. Kështu po të flasim me gjuhën e saj, shifrat e vendosin Amerikën para Kinës. Psh: prodhimi kombëtar bruto i SHBA, vitin që shkoi ishte 13.8 trilionë, ndërkohë që ai i Kinës ishte 3.2 trilionë. Prodhimi kombëtar bruto për kokë ishte 46 000 dollarë, ndërsa i Kinës 5 300 dollarë. Ndër 30 kompanitë më të mëdha në botë, 11 janë amerikane, ndërkohë që kineze janë vetëm 3, gjithmonë sipas shtypit amerikan. E megjithatë, duke lënë mënjanë gjuhën e shifrave, ajo që të bën me të vërtetë përshtypje, sidomos kur bëhet fjalë për vizitorët e rastësishëm që ndodhen në Kinë, janë njerëzit dhe vetitë e tyre që dikur ishin thelbësore për amerikanët: optimizmi, dinamizmi dhe patriotizmi, shpirti i iniciativës, sipërmarrjes dhe vendosja për t‘i lënë brezit pasardhës vlera më të mëdha materiale dhe morale nga një brez më parë. Besimi dhe vetëbesimi janë në majat më të larta te kinezët në këto kohë. E kundërta ndodh në Amerikë, sigurisht deri në njëfarë shkalle.



Për momentin, të paktën, ky vend i ngërthyer nga kriza ekonomike, ajo e kredive, recesioni ekonomik, falimentimi bankar dhe lidershipi në krizë është zhytur në një krizë besimi. Pyetja që na vjen në këtë rast është se si do t‘i ishte përgjigjur Amerika një tërmeti të përmasave të tilla, si ai që tronditi në muajin maj krahinën e Sichuanit? Duke u nisur nga mënyra se si qeveria iu kundërpërgjigj uraganit "Katrina", mund të themi se nuk do të ishin kundërpërgjigjur kurrë me shpirtin, energjinë dhe vetëbesimin e kinezëve. Në zonat e dëmtuara në Kinë, njerëzit nuk prisnin urdhra për të vepruar, por gërmonin, pastronin, ndihmonin me çfarë t‘u ndodhej. Çudia më e madhe ndodhi me vetë viktimat, ata që e pësuan dhe mbetën pa strehë. Në vend që të humbitnin në dëshpërim, apo vetëmëshirim e në pritje të ndihmave të qeverisë, ato që në momentet e para nisën që të rindërtonin dhe të rivendosnin situatën në vend, sa më shpejt që të ishte e mundur, duke vënë menjëherë në funksionim edhe pse të dëmtuar restorantet, dyqanet, zyrat madje edhe fabrikat, apo punishtet e vogla. "Të vdekurit nuk ngjallen më dhe ne nuk duam që t‘u shkojmë pas", deklaroi një nga viktimat e tërmetit, një 40 vjeçar që humbi bashkëshorten dhe të atin në tragjedinë e madhe, por që kishte rihapur brenda tri ditësh berberhanën e tij, në të cilën ofronte për disa kohë shërbime falas. Në krahinën e Henanit, në një fshat të vogël të saj, mund të konstatosh me sytë e tu atë çka dikur konsiderohej si "ëndrra amerikane", por që tani mund të cilësohet fare mirë si "ëndrra kineze". Kjo ëndërr mishërohet te një djalë 27-vjeçar. Ai është një nga dhjetëra milionë kinezët e pashkollë, që janë dyndur në qytetet kineze për të siguruar një të ardhme më të mirë për vete dhe familjen. Ai punon në një shesh ndërtimi në Pekin dhjetë orë në ditë, shtatë ditë të javës, për të shkuar në shtëpi vetëm dy herë në vit. Këtë sakrificë ai e bën që një ditë të ketë mundësi të dërgojë në shkollë fëmijët dhe më pas në universitet, që ata të bëhen dikush. "Shpresoj që ata të jenë të aftë të projektojnë ndërtesa dhe jo t‘i ndërtojnë ata si unë", thotë kur e pyet se cila është ëndrra e tij e madhe. "Kur shoh shtëpitë e kryeqytetasve dhe jetën që bëjnë, nxitem që të punoj edhe më shumë".



Thënia e famshme e Presidentit Kenedi "Mos pyet çfarë mund të bëjë atdheu për ty, por çfarë mund të bësh t‘i për atdheun" gjen një kuptim shumë të madh te kinezët e sotëm. Dinamizmi i madh që ka përfshirë kinezët është i vetmi shpjegim i rritjes ekonomike të këtij vendi. Ndërtimet dhe ecuria e mbarë nuk mund të bëhen nga njerëz pa shpirt e që funksionojë vetëm si makina. Kudo ku hedh sytë në këtë vend do të shohësh rrugë e autostrada të reja, ura, aeroporte, hekurudha, stacione, qytete të tëra të reja që nuk kanë ekzistuar më parë, pra të paktën 2 dhjetëvjeçarë të shkuar. Ndërkohë që në Shtetet e Bashkuara, një pjesë e infrastrukturës po përkeqësohet, për shkak se amerikanët duan ulje të taksave. Kina ndërkohë po investon me ritme të çmendura për të ardhmen. Arritje të tilla bëhen më të lehta, sigurisht, nën një qeverisje autoritare, nën një qeveri që nuk i duron disidentët dhe disidencën, në një vend ku shkelen herë pas here të drejtat e njeriut dhe ku qindra milionë njerëz janë një krah i lirë pune që jetojnë me shumë pak para. Në Kinë nuk ndihet si në vende të tjera era e demokracisë, edhe pse peizazhi është i njëjtë, në mos më i përparuar se ai i Perëndimit. Duket se njerëzit kanë më shumë nevojë për siguri dhe begati, çka është realizuar në njëfarë mënyre nga qeveria kineze, e cila gjatë këtyre viteve të zhvillimit ekonomik, ka nxjerrë nga varfëria ekstreme 400 milionë kinezë dhe ka dyfishuar rritjen ekonomike.



Kinezët mund të udhëtojnë lirshëm në botë, pasi nuk kanë problem dokumentesh, por sa prej tyre ua mban xhepi një udhëtim të tillë? Jo shumëkujt, pasi edhe pse mirëqenie është rritur, ajo nuk i jep mundësinë shumicës që të bëjë një jetë si në Perëndim. Ndërkohë njerëzit janë në përgjithësi të kënaqur me qeverisjen. Sipas një sondazhi të fundit të Qendrës Kërkimore Pew, 86% e kinezëve janë të kënaqur me drejtimin që i bëhet vendit nga kasata në pushtet. Kështu Kina zë vendin e dytë në botë, pas Australisë, për gjendjen e kënaqshme që ka ndaj qeveritarëve. Ndërkohë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës renditen të 20-tat, në 24 vende që janë marrë për të kryer sondazhin. Para amerikanëve renditeshin madje edhe nigerianët, pakistanezët, meksikanët dhe tanzanianët. Por të gjitha këto rezultate të Kinës nuk para preferohen të pasqyrohen nga mediat perëndimore. Ajo ka raportuar shumë, sidomos gjatë periudhës së Olimpiadës për shtypjen e protestuesve, apo censurën e Internetit. Media Perëndimore është marrë shumë me ndotjen e ambientit, me gafa, apo gabime të bëra nga organizatorët e Lojërave Olimpike, veçanërisht për sa i takon ceremonive hapëse dhe mbyllëse të Lojërave. Me pak fjalë janë përpjekur që të gjejnë gjilpërën në kashtë. Sigurisht që kritikat nuk kanë qenë të gënjeshtërta, por hapësira që iu dha ishte e pajustifikueshme.


Gazeta: Shqip

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama