Energjetika - Spiralja pafund e krizes

Energjetika - Spiralja pafund e krizes
Në nëntë vitet e fundit, fuqia e përgjithshme e instaluar në Shqipëri është rritur në vlerë pothuaj zero. Qindra koncesione, por pothuaj asnjë burim i ri energjitik. Paaftësia në menaxhim dhe mungesa e strategjive për të nesërmen, e ka futur vendin në një spirale krize energjitike të cilës nuk i shihet fundi. Vetëm kryeministri shpreson të jetë ëndërr kafshimi i krizës dhe flet për ëndrra në një Shqipëri të begatë si Norvegjia. Gjithë shifrat që përgënjeshtrojnë optimizmin pa bazë.

Herë Gjermani kur flitet për qëndrueshmërinë ekonomike, herë Kinë kur flitet për urbanizimin dhe herë Norvegji kur bëhet fjalë për energjitikën. Kryeministri i vendit Sali Berisha i ka shumë për zemër krahasimet. Përdor shifrat në një kontekst të caktuar për të fshehur një realitet të caktuar që është shumë herë më i zymtë dhe pesimist se realiteti virtual që ai kërkon të ndërtojë për shqiptarët me fjalimet e përditshme. Javën e shpërthimit të skandalit për pezullimin  e ndërtimit të linjës së interkonjeksionit me Kosovën, zoti Berisha përdori pikërisht Norvegjinë për të krahasuar potencialet shqiptare në energjitikë, duke thënë se vendi është “...vetëm në agun e shfrytëzimit të potencialeve të saj të mëdha”. Një agim që në fakt është vetëm muzg. Referuar të njëjtit realitet. “Në 4-5 vitet e fundit, qeveria ka firmosur me sektorin privat 120 kontrata koncesionesh, për ndërtimin e 320 hidrocentraleve. ...këtë vit hapet tenderi për kaskadën e Devollit, i cili është investim prej 1 miliardë euro.

Po këtë vit janë në treg kaskada e Osumit dhe do të jetë edhe ajo e Vjosës që është padyshim një nga kaskadat më të mira të rajonit. Shqipëria në vetvete është një Norvegji e vogël në Ballkan...”. Por përtej asaj që thuhet, shifrat demontojnë optimizmin fals të kryeministrit. Së paku vetëm një e tillë është lebetitëse: në nëntë vjetët e fundit, nga viti 2003, fuqia e përgjithshme e instaluar në vend, është rritur me vetëm 29 MW. Më qartësisht, ishte 1446 MW dhe është bërë 1475 MW, ose një përqindje fare e papërfillshme në krahasim me totalin dhe nevojën reale. Dhe nëse në të tilla shifra ndahet lehtësisht e vërteta nga propaganda, shifra të tjera e bëjnë ulëritëse krizën që vetëm qeveria nuk do ta shohë. Nga fuqia e përgjithshme e instaluar, shfrytëzohet vetëm 36 për qind e saj. Eshtë njëlloj sikur vendi të ketë vetëm një të tretën e hidrocentraleve që ka në punë.
 
Cila është e vërteta e hidhur?

Politika ka ngritur akuza se rrënimi i energjitikës në vend, është bërë jo vetëm nga padija, por edhe nga mbështetja që i jepet importit të energjisë nga rajoni – në fund të fillit, janë kompani serbe që përfitojnë – në vend që të fuqizohet prodhimi vendas. Opozita është direkte kur përmend lidhje gati mafioze të njerëzve të kryeministrit me këtë treg importi, kurse vetë kryeministri, me po të njëjtin fjalor, konsideron si mafiozë deri dhe donatorë të huaj, si KFW-ja gjermane që mbulon financiarisht projektin e interkonjeksionit me Kosovën. Konflikti kësaj rradhe që e sheh edhe Berlinin si të pushtuar nga Mafia, megjithatë, pasojat i ka në aksin Tiranë-Prishtinë, secila prej tyre e varur nga importi i energjisë serbe. Diversititeti i rrugëve të furnizimit me energji i vendit, ngjan të jetë i huaj për fjalorin e qeverisë, sa kohë ajo nuk mbetet vetëm propagandë.

Çfarë ka bërë qeveria deri në këtë vit të shtatë të mandatit të saj? Përveç fjalëve, veprat flasin ndryshe, në rastin më të mirë, për paaftësi të saj. Në vitet 2002-2005, ekspertët shqiptarë dhe të huaj, të mbështetur nga donatorë të huaj, përpiluan Strategjinë Kombëtare të Energjitikës. Ndryshimi i ngjyrës në qeverisje bëri që kjo strategji “socialiste” të hidhej poshtë dhe të kërkohej rishikimi i saj. Vetë zoti Berisha, në vitin 2006, u vu në qendër të një miniskandali, kur duke pretenduar rishkrimin e strategjisë për energjinë, lexoi të njëjtin fjalim që kishte lexuar vite më parë paraardhësi i tij Fatos Nano. Një fjalim që lëvdonte pikërisht atë çfarë shante kryeministri i ri. Megjithatë, në vitet pasardhës, 2007-2008, u përgatit një dokument i ri për energjinë. Ky dokument, më së shumti u kritikua si i politizuar dhe aspak realist nga donatorët dhe vetë qeveria hoqi dorë në heshtje prej tij dhe nuk arriti ta aprovojë dhe ta kthejë në dokument zyrtar.

BE i ka kërkuar zyrtarisht Shqipërisë, si dhe vendeve të tjera të rajonit, përgatitjen e Planit Kombëtar të Eficensës së Energjisë. Ky plan, me ndihmën financiare të USAID-it, u përgatit në shtator 2009, por qeveria e miratoi vetëm dy vjet më pas, në shtator 2011. Një miratim krejt formal duke pasur parasysh faktin se që atëherë, në buxhetin e shtetit nuk është parashikuar asnjë fond për zbatimin e tij.

Pa ditur se nga është nisur dhe pa pasur asnjë plan realist se ku do të shkohet, problemi i energjitikës në vend po shkon drejt kolapsit të plotë. Situata në katër vitet e fundit, dëshmon se bilanci i energjisë elektrike është bërë tërësisht negativ duke e shndërruar vendin në një importues gjithmonë e më të madh të energjisë. 

Dhe nuk mbaron këtu, sepse të paktën që nga maji i vitit të kaluar, edhe ata hidrocentrale të dhënë me koncesion nga kjo qeveri dhe që kanë filluar prodhimin, nuk janë paguar për energjinë që i kanë shitur KESH. Nuk ka asnjë shifër zyrtare që të dëshmojë këtë borxh të grumbulluar, por shumica dërmuese e këtyre bizneseve, janë në prag falimentimi, në krizë likuiditetesh dhe në ngërç të plotë financiar me bankat që i kanë kredituar në ndërtimin e tyre. Të tjera koncesione as nuk kanë filluar ndërtimin e tyre.
 
Shqipëria virtuale, Shqipëria e vërtetë

Shqipëria është: “...një vend i pasur me burime të panumërta ujore, që e bëjnë prodhimin e energjisë ujore jashtëzakonisht të leverdishëm në kohë piku dhe e vendosur përballë një prej tregjeve më të uritura të Europës, si ai italian”, thotë kryeministri. Një pohim i vërtetë, por vetëm në letër dhe në shpresa të largëta. Potenciali energjitik i Shqipërisë deri më tani, është shfrytëzuar vetëm në gjysmën e tij.

Eficenca e shfryëtzimit të burimeve ekzistuese energjitike është e mjerë. Ka një matës konkret që e dëshmon atë. Sipas raportit zyrtar të ERE-s, koeficienti i përdorimit të ujit për prodhimin e energjisë është në nivele të frikshme. Gjatë vitit 2011, është përdorur 1.47 metra kub ujë për çdo KËH të prodhuar. Një krahasim me vitet paraardhës dëshmon dhe njëherë se performanca e KESH ka qenë jashtëzakonisht e keqe. Edhe pse në vitin 2008 ka kapur rekord në mirëmenaxhim duke kapur të anasjelltën e këtij rekordi në vitin 2011. Kështu, në vitin 2003, kur qeverisnin socialistët dhe drejtor i KESH ishte Andis Harasani, sot deputet i PS-së, ky raport ka qenë 1.17 metra kub ujë për çdo KWH orë të prodhuar, në vitin 2004 ishte 1.43, në 2005-ën zbriti sërish në 1.25, 1.18 në vitin pasardhës, 1.4 në 2007-ën, 1.04 në 2008-ën, 1.19 në 2009-ën dhe 1.2 në 2010-ën. Parashikimet për vitin 2012, duke nisur dhe nga niveli aktual i basenit të Fierzës janë të errëta dhe ky raport, do të rritet edhe më tej.
 
Pa ditur ku shkohet

Nevojitet energji, po për çfarë përdoret sot ajo në Shqipëri? Grafiqet e konsumit të energjisë elektrike dëshmojnë se ka një kërkesë në rritje për energji që shërben për ngrohje banesash, për gatim. Madje kjo kërkesë është më e madhe edhe sesa ajo që vjen nga nevoja për prodhim dhe shënon një nevojë prej 6 për qind më shumë në vitet pasardhës. 74 për qind e energjisë konsumohet nga familjarë – ata që përbëjnë fashën e konsumit deri në 300 KWH në muaj, janë 69 për qind e gjithë këtyre konsumatorëve. Piku i konsumit realizohet në muajt e ftohtë të dimrit, shenja që dëshmon se energjia përdoret kryesisht për ngrohje, shkon deri në 22-29 milion KWH në ditë.

Nuk ka vetëm një arsye se pse Shqipëria ka një eficencë shumë të ulët të përdorimit të energjisë. Moszbatimi i ligjit ekzistues i prillit 2005 për këtë qëllim, mungesa e auditimeve për konsumatorë të mesëm e të mëdhenj, mungesa e kodit energjitik të banesave e të tjerë, e bëjnë edhe të nesërmen të duket e zymtë.
 
Energjia, sa paguhet

Eshtë krijuar një situatë “kaçurrel”. Institucione shtetërore e publike dhe kompani të shumta kanë krijuar borxhe të mëdha nga mospagesat e tyre në arkën e CEZ-it, edhe vetë OST ka akumuluar borxhe të konsiderueshme – një shifër zyrtare mungon -  ndaj KESH-it, OST-së dhe palëve të treta në detyrim kontraktual me të. Vetë KESH ka hua shumë të mëdha ndaj bankave të nivelit të dytë që e kanë kredituar në blerje energjie dhe furnizuesve të saj me energji. Hallka e fundit, qytetari, është shpina ku derdhet gjithë pesha e krizës. Tarifat e energjisë për qytetarin kanë ardhur në rritje, edhe në rastet, kur energjia, si mall i kuotuar në bursë, ka pasur çmime në rënie. Tarifat për familjarët janë të ndarë në dy blloqe, janë 7.7 lekë dhe 13.5 lekë KWH për konsumin mbi 300 KWH në muaj.

Konsumatorët familjarë, vlerësohet një shifër prej 612 mijë të tillë, përbëjnë 54.9 për qind të konsumit të përgjithshëm të energjisë. Për konsumin nën 300 KWH në muaj, paguhet 20.44 miliard lekë në muaj, kurse ata që e tejkalojnë këtë konsum, paguajë 14.45 miliard lekë. Vetë ERE pranon se në gjashtë vjetët e fundit, çmimi i energjisë elektrike është rritur gati 50 për qind.

Viti 2010, një vit me prodhim të lartë të energjisë në vend për shkak të rreshjeve të shumta, bëri që qeveria të kushtëzonte ERE-en për mosrritjen e tarifave të energjisë. Madje ERE vendosi që të mos këtë rritje të tillë deri në vitin 2014. Por vetëm një vit më pas, në 2011-ën, situata energjitike shkoi sërish në kuotat e zakonta dhe rifilluan importe në vlera shumë të mëdha. Kësaj situate ju shtua dhe rritja e çmimit të energjisë në tregun ndërkombëtar. Dhe natyrisht, pa munguar as keqmenaxhimi i kaskadës së Drinit. E dëshmon një gjë të tillë edhe raporti mes importit dhe eksportit që ka bërë KESH. Kështu, në janar 2011, KESH ka shitur energji për vlerën prej 10 euro për MWH dhe vetëm tre muaj më pas, në prill, ka blerë energji me një vlerë prej gjashtë herë më shtrenjtë. Edhe blerjet që bën KESH dhe CEZ kanë diferencë të madhe me njëra-tjetrën, ndonëse operojnë në të njëjtin treg dhe në të njëjtat kushte. KESH paguan 20 euro më shumë për njësi në krahasim me çekët e CEZ.
E megjithatë kryeministri flet për agimin e energjitikës shqiptare. Të gjitha shenjat tregojnë se vendi është në muzg dhe me sy nga qielli për lutjen tashmë të vjetër: na jep ujin për energjinë e përditshme, o Zot!
 

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama