Parlamenti pritet të miratojë sot në seancën plenare pr/buxhetin 2015 dhe paketën fiskale. Deputetë të maxhorancës kanë shprehur mendimet e tyre në lidhje me paktën fiskale, pasi edhe sot opozita nuk ka qenë prezent, për të kundërshtuar apo mbështetur projektbuxhetin e 2015. Kjo e fundit ka akuzuar qeverinë se po rrit taksat për qytetarët, por kryeministri Edi Rama tha se ky buxhet është në shërbim të njerëzve, duke theksuar faktin se në fund të këtij mandati, parashikohet një rritje ekonomike prej 4%.
“Nuk e kemi harruar se buxheti ka të bëjë me njerëzit dhe është në funksion të njerëzve që duan të përfitojnë nëpërmjet punës, jo për njerëz që janë për zgjidhje magjike. Ky buxhet është me disa standarde të mirëcaktuara, me zgjidhje realiste. Synojmë një rritje ekonomike 4%, në fund të vitit të 4-t të mandatit”,- u zotua Kryeministri.
Më tej ai foli edhe për mungesën e opozitës në Kuvend, duke thënë se prezenca e saj do të ishte e vlefshme. “Mungesa e opozitës është e prekshme, duhet të ishin këtu që të ballafaqonim argumentet, do jepnin një pamje më të plotë, jo panoramë të fragmentuar. Buxheti është rezultat i konsultimeve dhe përplasjeve të mendimeve me partnerët ndërkombëtarë, FMN, BB dhe këshilltarëve tanë”, -sqaroi Rama.
Në lidhje me taksat, shefi i qeverisë tha se projektbuxheti 2015, zeron 15 taksa dhe rrit vetëm tre, duke nxitur kështu prodhimin dhe punësimin. “Tre fjalë për tre rritjet. Rritjen e akcizës së cigares ne nuk e konsiderojmë rritje taksash, por rritje të fuqisë shtypëse mbi këtë ves që shkatërron shëndetin dhe që sjell vdekje tek njerëzit. Së dyti, taksa e qarkullimit mbi benzinën dhe gazoil-in. Besoj ju kujtohet kur u rrit 10 lekë vitin e kaluar. Këtu u bë një betejë për të paralajmëruar fundin e botës. Çfarë ndodhi? Asgjë nga ato nuk ndodhi. Sot kemi një çmim më të ulët se sa ai që ishte me plus taksën.
Ndërkohë që të gjithë duhet të jenë të vetëdijshëm se kjo nuk është një dëshirë e qeverisë për të rënduar ata të cilët përdorin makina, por ky është kontribut i atyre që përdorin makina për të patur një mjedis më të pastër e të mbrojtur dhe për më shumë siguri në rrugë. Së treti, barazimi i tatimit mbi të ardhurat personale dytësore, me tatimin mbi të ardhurat nga paga. Kishim një disbalancim nga paketa e shkuar, ku tatonim të ardhurat 15 % nga kompanitë dhe të ardhurat dytësore 10%. Thjesht bëjmë një barazim të këtyre dy niveleve duke i dhënë secilit hakun që i takon.”- deklaroi kryeministri Rama.
Ai foli më tej për transport falas për 11 mijë mësues dhe 30 mijë nxënës që jetojnë në zonat më të vështira të vendit. Më pas Rama ka replikuar me deputetin e PS-së, Pandeli Majkon. Ky i fundit ka kërkuar që të behët një amnisti për kamatëvonesat e faturave të energjisë elektrike, për familjet në nevojë. Ai argumentoi se, “ne nuk jemi sherifët e pushtetit por mbajtësit e pushtetit”, duke lënë të kuptojë një tolerancë nga ana e qeverisë për kategori të veçanta në Shqipëri. Por pas fjalimit të Majkos e rimerr fjalën sërish Kryeministri, i cili replikoi me ish-kryeministrin Majko, duke bërë të ditur që e morëm pushtetin për të pasur një barazi ligjore: “Nuk do të ketë asnjë falje për kamatëvonesat e energjisë elektrike. Vjedhja e energjisë nuk ka pse të trajtohet ndryshe. Qytetarët na zgjodhën për të vendosur barazi ligjore. Nuk do të ketë asnjë tolerancë për ata që nuk paguajnë, të çfarëdolloj kategoria qofshin”.