Kjo shkaktoi shqetësim të thelle të abonentët të cilët e cilësuan të papranushme tarifimin e çmimet e reja në një moment kur vendimi për rritjen e çmimit të energjisë elektrike nuk kishte hyrë në fuqi.
Nisur nga kjo, drejtori i Përgjithshëm i Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes, Josef Hejsek, premtoi dje gjatë një konference të posaçme për shtyp kompensimin e qytetarëve nëse vërtetohet se janë faturuar gabimisht. Mësohet se shuma e faturuar gabimisht, konsumtorëve do t'u zbritet në faturat e muajve mars ose prill.
"Kemi filluar kontrollet për të zbuluar rastet e abuzimit në faturim.
Nga kontrollet e deritanishme që kemi bërë për sa i përket vitit 2009 janë zbuluar disa raste shkeljesh gjatë faturimit të cilat vlerësohen në 105 milionë lekë. Të gjitha këto raste do vërtetohen një për një dhe shuma e mbifaturuar do t'u zbritet konsumatorëve në faturat e muajve mars ose prill. Gjithashtu do të rishikojmë faturat e janarit dhe ditet e muajit dhjetor do rillogariten me çmimet e këtij muaji dhe jo me ato të rritura",- deklaroi dje Hejsek.
Ditë më parë OSSH publikoi edhe mënyrën se si do të bëhej verifikimi dhe kompensimi i konsumatorëve. Në ldihje me faturat e muajit janar, nëse leximi i matësit është kryer para datës 20 dhjetor 2009 qytetarët do të kompensohen për kilovatët që u janë llogaritur me çmim të ri. Fillimisht qytetarët duhet të dërgojnë faturat bashkë me një fletë-ankesë pranë sporteleve OSSH-së në lagjet e tyre.
Ndërkaq, faturat e majme që u janë dërguar qytetarëve për muajin janar por edhe më parë kanë bërë kurban edhe një numër të konsiderueshëm faturuesish. OSSH bën me dije se gjatë kontrolleve të ushtruara për vitin e shkuar janë hasur shkelje të shuma që kanë bërë të shkarkohet drejtori i shitjeve si dhe rreth 100 faturistë.
Anomalitë e hasura gjatë faturimit, OSSH ia vesh performancës së keqe të faturistëve si dhe sistemit të vjetëruar të përllogaritjes që sipas saj ka përdorur ish-kompania shtetërore.
"Ne jemi të ndërgjegjshëm për problemet dhe për sfidën e madhe, por gjithashtu na duhet kohë për t'i korrigjuar këto mungesa të mëdha të trashëguara. Shumë shpejt do të jemi gati për të filluar përdorimin e teknologjisë së avancuar për kontrollin e konsumit të energjisë", - tha Hejsek.
Por përkundër rasteve kur vërtet është gabuar, sipas OSSH-së faturat e larta kanë ardhur edhe për shkak se në vend mungojnë burimet e tjera të energjisë, çka bën që qytetarët te gatuajnë por edhe të ngrohen me energji elektrike. "Konsumi i energjisë elektrike është rritur gjatë muajve të fundit me rreth 30 për qind.
Në Shqipëri janë më pak të përdorshme format e tjera të energjisë, si për ngrohje apo edhe gatim. Pra këto fatura kaq të shtrenjta nuk janë për shkak vetëm të faturimit abuziv apo rritjes së çmimit", - shpjegon OSSH.
Problemi me energjinë fillon që në shpërndarjen e faturave të muajit janar të cilat përgjithësisht përfshijnë edhe rreth 10-12 ditë nga muaji dhjetor 2009. Vendimi për të rritur çmimin e energjisë elektrike hynte në fuqi në datën 1 janar 2010. Por me marrjen në dorëzim të faturave qytetarët kanë vërejtur se krahas ditëve të janarit kanë paguar me çmimin e ri edhe 10 ditëshin e muajit dhjetor.
Lindita Kokaj :Gazeta Shekulli