Enigmat e universit sa prane zbardhjes jemi?

Enigmat e universit, sa pranë zbardhjes jemi?
Makineria me pak fjalë përbëhet nga një tunel nëntokësor, perimetri i të cilit është 27 kilometra. Në pika të ndryshme përgjatë tunelit janë vendosur katër instrumente masive që luajnë rolin e mikroskopëve subatomikë. Ato do të përdoren për të analizuar krijimin e energjisë jashtëzakonisht të madhe nga përplasja e dy rrezatimeve me protone. Qëllimi i eksperimentit është kuptimi i forcave themelore të natyrës dhe copëzave subatomike, që janë edhe përbërësit e lëndës së universit.

Por një eksperiment i tillë ka shkaktuar shumë diskutime?

Edhe pse "copëzuesit e atomit" janë ndërtuar edhe më parë, ky i fundit është shumë i ndryshëm për sa i takon sasisë së energjisë së përfshirë në të. Dy rrezet e protoneve do të lëshohen nga kahet e kundërta të tunelit me një shpejtësi që do t‘i afrohet shumë asaj të dritës. Kjo do të thotë që Pyetja e madhe ato të bëjnë 11000 xhiro rreth tunelit brenda një fraksioni të sekondës. Kur të kenë fituar shpejtësi të madhe, do të përplasen me njëra-tjetrën dhe rezultati i këtij "takimi" do të gjenerojë një energji rreth 7 herë më të madhe se makineritë e tilla të ngjashme. Një e tillë Tevatron ndodhet në Batavia të Ilinoisit, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Shkencëtarët e LHC shpresojnë që të marrin një energji të nivelit 14 teraelektron volt (TeV) dhe në këtë mënyrë të krijojnë kushtet për një përplasje. E fundit e këtij lloji ka ndodhur gjatë "Big Bang"-ut, kur universi u krijua rreth 13.7 miliardë vjet më parë.

Cili është qëllimi i këtij eksperimenti?

Në mënyrë që të kuptojmë se nga se përbëhet lënda dhe forcat që e mbajnë atë të bashkuar dhe unike, është e nevojshme që të arrijmë të ndajmë përbërësit e saj subatomikë. Vetëm duke ndarë një proton, shkencëtarët janë të aftë të shohin se çfarë ndodh brenda kësaj copëze jashtëzakonisht të vogël të lëndës. Përgjigjja vjen edhe nga copëza më të vogla, disa prej të cilave janë aq të vogla saqë deri më tani i janë shmangur "kapjes". Deri në këtë moment njohim 12 substanca subatomike dhe 4 forca, por ky është vetëm fillimi. Ajo çka është më e rëndësishme është fakti që shkencëtarët shpresojnë që të zgjidhin disa prej problemeve më të mëdha të fizikës. Ata shpresojnë për shembull që një ditë të unifikojnë të gjitha forcat e ndryshme të natyrës, që nga forcat e vogla bërthamore brenda bërthamave atomike e deri te forca e gravitetit, që vepron mes planetëve të galaktikave. Ata e quajnë këtë teori "teoria e gjithçkaje" dhe ekziston shpresa që LHC do të japë një kontribut të rëndësishëm për zgjerimin e njohurive tona të deritanishme në lidhje me çështjet thelbësore që kanë të bëjnë me krijimin, kohën dhe natyrën e lëndës.

A përbën rrezik përfshirja në një eksperiment të tillë?

Ka disa teoricienë që mendojnë se përplasjet mund të krijojnë disa vrima të zeza të vogla. Por edhe në rast se një gjë e tillë do të rezultojë nga eksperimenti, ato do të jenë të përmasave sub-mikroskopike dhe do të zhduken brenda fraksionit të një sekonde. Megjithatë, numri i shkencëtarëve që mendojnë se ky eksperiment paraqet rrezik është i vogël. Por ata që janë të këtij mendimi mendojnë se vrima e zezë që mund të krijohet mund të "gëlltisë" brenda saj gjithë Gjenevën, ose botën mbarë. Disa shkencëtarë rusë kanë sugjeruar se mund të jetë e mundur që LHC të krijojë kushtet që teorik- isht mund të mundësojnë udhëtimin në kohë. Ata imagjinojnë një skenar sikur nga kjo vrimë e zezë që mund të krijohet mund të na vijnë në këtë realitetin tonë udhëtarë nga e ardhmja, ndërkohë teoricienë të tjerë thonë se këta "udhëtarë" duhet të kenë përmasat e një grimce atomi për të kaluar përmes "vrimave të krimit", përmes hapësirës dhe kohës.

Çfarë do të ndodhë saktësisht kur të nisë eksperimenti?

Për herë të parë shkencëtarët do të tentojnë që të fusin një rreze protonesh brenda një tuneli dhe t‘i japin asaj shpejtësi të madhe për të qarkulluar brenda qarkut. Më pas, ndoshta një ditë më vonë, por me siguri ditët që do të pasojnë, do të lëshohet rrezja e dytë e protoneve në kahun e kundërt me të parën dhe ajo do të fitojë gjithashtu shpejtësi. Ka mundësi, edhe pse është shumë e vështirë, që të dyja rrezet të përplasen ende pa arritur shpejtësinë e duhur, por në një rast të tillë eksperimenti do të dështonte. Ai do të ketë rezultat vetëm kur përplasja e rrezeve të protoneve do të ketë arritur shpejtësinë e duhur. Vetëm në kushte të tilla mund të krijohet terreni për arritjen e zbulimeve interesante.

Cilat janë disa nga zbulimet e mundshme?

Zbulimet më interesante do të jenë ato që pritet më pak të ndodhin, apo që janë tërësisht të paparashikueshme. Megjithatë, ekziston një copëz subatomike që teoricienët janë të bindur se ekziston. Ajo njihet me pseudonimin "Thërrmija e Zotit" dhe mund të na shpjegojë për shembull se përse lënda ka masë dhe në këtë mënyrë të na çojë në një shkallë më të thellë njohjeje të teorisë së forcave të gravitetit. Në nivelet e energjisë së LHC-së ka të ngjarë që të regjistrohet edhe ekzistenca e parë e kësaj thërrmije. Teoricieni që e mbështet më fort ekzistencën e saj është profesor Peter Higgs, i cili ka besim në masën 90% që kjo copëz që mban shkencërisht emrin e tij do të zbulohet. Por ky është vetëm një nga zbulimet e mundshme që LHC mund të bëjë. Fizikanët shpresojnë se makineria do të zbulojë gjithashtu edhe copëzat misterioze supersimetrike që mendohet se u krijuan në fillimet e para të universit. Teoria e supersimetrisë thotë që të gjitha copëzat që ekzistojnë kanë një partner më të rëndë diku, por deri tanin nuk është vërtetuar asgjë. Nëse LHC do të zbulojë fakte për copëzat supersimetrike, mund të zbulohet edhe arsyeja se përse 90% e masës së universit ekziston në formën e "lëndës së errët". Sa e vështirë ishte të ndërtoje një makineri si LHC? Shumë. Tuneli 27 kilometërsh ishte shumë i vështirë të ndërtohej nën tokë. Magnetet gjigante që do të përdoren për të arritur përshpejtimin e grimcave duhet të mbahen bashkë me një forcë që u reziston të 500 tonëve për metër katror, ekuivalente me një avion për metër katror. Ata janë super të ftohtë, në temperaturën -273C, duke e shndërruar LHC si vendin më të ftohtë në universin e njohur deri më tani, me një kapacitet ngrirës për të mbajtur 140 mijë frigoriferë shtëpiakë në temperaturën -271.2C. Data e eksperimentit të sotëm ishte caktuar tre vjet më parë.

A ia vlen një eksperiment i tillë?

Po... * Ne duhet të njohim të fshehtat e universit, për të kuptuar më mirë vendin dhe rolin tonë në të * Kostoja është qesharake në krahasim me njohuritë e reja që mund të na japë një eksperiment i tillë Jo... * Këto lloj zbulimesh mendohet se nuk ndikojnë drejtpërdrejt në mirëqenien e jetës së njerëzve në këtë planet * Fizika e grimcave është më pak e rëndësishme se mjekësia dhe biologjia * Nëse shkencëtarët kanë gabuar në përllogaritje dhe intuita, atëherë ekziston rreziku i krijimit të vrimave të zeza dhe më pas askush nuk mund të parashikojë gjë saktësisht...


Gazeta: Shqip

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama