Enver Hoxha nga vrasjet e kryeministrave te arrestimi i 1400 studenteve ne 1 vit

Enver Hoxha, nga vrasjet e kryeministrave te arrestimi i 1400 studenteve ne 1 vit

Në listën e 33 drejtuesve të qeverive shqiptare, prej vitit 1912 deri më sot, Enver Hoxha ishte kryeministri i 22­të.

Ai e mbajti këtë detyrë nga 23 tetori 1944 deri më 19 korrik 1954, plot 9 vjet, 9 muaj e 26 ditë.

Në librin e tij “Historitë e 33 kryeministrave të Shqipërisë”, gazetari dhe pedagogu Roland Qafoku i jep të njëjtën hapësirë edhe diktatorit shqiptar Enver Hoxha, si edhe drejtuesve të tjerë të shtetit shqiptar, shkruan Panorama, që ka publikuar një pjesë nga libri.

Veçse ai e përdor shumë rrallë përcaktorin “diktator”.

Qafoku merr në shqyrtim vetëm periudhën gjatë së cilës ai kreu detyrën e kryeministrit. E nga sa rezulton, duken si vitet më të zeza të diktaturës. Mijëra të burgosur, të dënuar, të pushkatuar, pasuri të konfiskuara…

Ajo çka të bie në sy është goditja e inteligjencës nga ana e Hoxhës, janë me qindra mësuesit, profesorët dhe studentët e arrestuar e burgosur me firmën e tij.

E ndërsa numri i burgjeve dhe kampeve shtohej, Enver Hoxha forconte pushtetin e tij, shkruante kujtime dhe shtonte komoditetin për familjen e ti.j

Enver Hoxha, kryeministri i 22-të i Shqipërisë

Ato që kanë ndodhur në 10 vitet e Enver Hoxhës kryeministër do të bënin edhe Hitlerin të skuqej. E shndërruan atë në një diktator që as Shqipëria e as Europa nuk kishte parë. Hoxha instaloi regjimin më të egër diktatorial që ka parë jo vetëm vendi ynë, por edhe Europa, në bilancin e të cilit numërohen 100 mijë shqiptarë të pushkatuar, dënuar me burg, internuar dhe përndjekur, në një popullsi që në 1944­n ishte 1 milion banorë dhe në 1990­n ishte 3.2 milionë banorë.

Kryeministër që në një vit arrestori 1394 studentë

Terrori që kishte përfshirë gjithë Shqipërinë kuptohet me disa shifra me shumë kuptim. Vetëm në vitin 1947, në të gjitha burgjet e vendit kishte 1449 të burgosur. Prej këtyre ishin 836 mësues, 433 profesorë dhe habia është se mes tyre ishin edhe 1394 studentë! Vetëm në maj të vitit 1947 u arrestuan 129 studentë që vazhdonin studimet jashtë Shqipërisë, se në Shqipëri nuk kishte universitet.

Kryeministrat që vrau Enver Hoxha

Maliq Bushati u pushkatua si kriminel lufte. Kostaq Kotta u rrëmbye në Greqi dhe vdiq nën tortura në Burgun e Burrelit. Ibrahim Biçaku u dënua në fillim me vdekje dhe pas asaj që u quajt tolerim, dënimi iu bë 17 vjet burg dhe vdiq pastrues i banjave publike. Mehmet Shehu ishte bashkëpunëtori më i afërt, pasardhës në detyrë dhe cilësohej njeriu më besnik, u gjet i vdekur në dhomën e gjumit dhe për të cilin ka dyshime të forta se është vrarë në një komplot. Janë 4 kryeministra për jetët e të cilëve, në një formë apo tjetër, akuzohet direkt Enver Hoxha. Por, prisni! Në listën e hartuar nga Hoxha si kriminelë të luftës dhe nëpërmjet së cilës u kërkonte shteteve të huaja t’i kthenin në Shqipëri ishin edhe ish­kryeministrat: Ahmet Zogu, Shefqet Vërlaci, Mustafa Kruja, Rexhep Mitrovica, Fiqiri Dine, Mehdi Frashëri, Eqrem Libohova. Enver Hoxha është personazhi që gjatë ushtrimit të detyrës së kryeministrit u vranë 3 kryeministra dhe u kërkua vdekja për 7 të tjerë, pa llogaritur këtu vitet e burgut për të tjerë. Dukej se për Hoxhën viktima të sigurta ishin ata që dikur e kishin ndihmuar atë më shumë. Ibrahim Biçaku e kishte punësuar si shitës në firmën e tij “Flora” dhe Eqrem Libohova i kishte dhënë bursën për të studiuar në Francë, e futi në punë në konsullatën tonë në Bruksel dhe e punësoi në Liceun e Korçës. E megjithatë, këta të dy ishin viktimat më simbolike të Hoxhës.

Të keqen e Nurembergut

Më 1 mars 1945, gjykata speciale për krimet e luftës, dha 17 dënime me vdekje, 8 të përjetshme, 10 me 30 vjet burg dhe 23 persona të tjerë me 2 deri në 20 vjet burg. Por çfarë kishin bërë dhe cilat ishin pasojat e këtyre të dënuarve me vdekje, me burg? Për të kuptuar këtë mjafton të kujtojmë se Gjyqi i Nurembergut në Gjermani dha 10 dënime me vdekje për drejtues të lartë të Reihut të Tretë të Hitlerit. A mund të krahasohen me dënimet me vdekje në Shqipëri?


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama