Enveri ndoshta me i keq se Musolini historia e diktatoreve kuptohet nga grate e tyre

'Enveri, ndoshta me i keq se Musolini, historia e diktatoreve kuptohet nga grate e tyre'
Marco Bellocchio është fitues i “Luanit te Artë” ne Festivalin e Venecias dhe fitues i Festivalit Ndërkombëtar Veror të Filmit në Durrës me filmin “Vincere”. Në këtë intervistë me gazetaren Ilva Tare, ai flet për Italinë dhe Shqipërinë, për diktatorët dhe për ndikimin e grave të tyre. Shqipëria kaloi dy diktatura rresht, – thotë ai, – duke patur parasysh Musolinin dhe Enverin. Madje për regjisorin e njohur Italian, Enveri mund të ishte më i keq se Musolini. E vërtetë? Kjo ha diskutim, por ndërkohë z.Bellocchio, shton edhe që historia e diktatorëve mund të kuptohet drejtpërdrejt edhe përmes historisë së grave të tyre. Më poshtë, pjesë nga intervista:

Në filmin “Vincere” ju flisni për gruan e parë të Musolinit, për të kaluarën fashiste. Mendoni se ka ndikuar që shqiptarët, të cilët vijnë nga një e kaluar diktatoriale ta pëlqejnë apo të gjejnë një  pjesë të kaluarës së tyre në këtë film?

Nuk e di, pasi Shqipëria ka pasur një fat ndryshe nga Italia. Ajo ka qënë viktimë e vetë diktatorit, Musolinit, pastaj erdhi një tjetër, mbase edhe më i keq, nuk e di. Pra Shqipëria ka kaluar dy diktatura. Por mendoj se filmi të  përfshin, pikërisht sepse historia  përcillet nëpërmjet një gruaje, një personazh i zakonshëm, por që bie verbërisht në dashuri me diktatorin e ardhshëm, dhe në të njëjtën kohë, është e vendosur të refuzojë çdo lloj kompromisi, deri në vetëshkatërrim, deri në një çmenduri negative. Mendoj se përmes personazhit të gruas mund të  kuptohet historia e drejtpërdrejtë dhe  pastaj ajo e tërthortë e Musolinit. Kjo është ajo që ngjall interes.

Mendoni se vendet ku ka pasur diktaturë për një periudhë kohe, janë të mbrojtura pra të imunizuara nga rreziku i rikthimit të diktaturës  në një moment të dytë,  nëse populli e lejon?

Këtë nuk e di. Zakonisht diktaturat vendosen kur ka vërtetë situata të një  shpërbërjeje  ekstreme të shtetit, krizë ekonomike, pra situata ekstreme për shtresat e gjera të popullsisë. Atëherë mund të vendosen fillesat e një revolte që mund të kthehet në diktaturën e dikujt.

Pra ju mendoni se nuk ekziston një “vaksinë” kundër diktaturës?

Vaksina mund të jetë një lloj tolerance, apo pjekurie. Unë shkëmbeva dy fjalë me Ministrin tuaj të Kulturës. E pyeta në mënyrë pak naive – Shoh se këtu ka një tolerancë absolute. Dhe ai më tha: – Jo, ka harmoni. Faktikisht, është një  koncept i ndryshëm. Njerëzit nuk janë tolerantë ndaj njëri-tjetrit, pasi vetë toleranca përmban një sjellje të sforcuar për të mos thënë “jo”. Janë mendjet ato që duhet të ndryshojnë, të kenë liri, gatishmëri, një marrëdhënie me qëniet e tjera njerëzore, do të thoja një shëndet mendor, qe do ta shmangte pa dyshim vendosjen e çdo lloj diktature.

Çfarë çmimi ka liria artistike? Ndonjëherë, është më e lehtë të bëjmë kompromise, apo jo?

Ka disa lloje kompromisesh. Mund të bësh kompromise, por duke e ditur që mund të mbrosh pjesën më të rëndësishme të projektit tënd. Pastaj, ka edhe kompromise të cilat s’mund t’i dënoj. Nëse dikush duhet të mbajë familjen, nëse ka fëmijë, nuk mund ta dënoj pse përpiqet të krijojë gjëra pa cilësi. Por, ka një lloj tjetër kompromisi i cili s’më pëlqen. Gjithkush që  për të pasur sukses dhe para, deformon fantazinë e vet dhe e ka mendjen tek ajo që mund të mendojnë të tjerët, duke i bërë gjërat për të kënaqur publikun. Pra kthehet gjithçka në një lëvizje të përllogaritur. Ky është kompromisi më i keq.

Jeni shprehur se Shqipëria ishte një mister për ju. A e zbuluat ndopak misterin?

Këtu, duhet të themi të vërtetën; Tirana nuk është një qytet i bukur, kështu mendoj unë.

Çfarë ju bëri më shumë përshtypje?

Fakti që kam parë vetëm një monument antik: xhaminë e vogël. Thuajse në të gjithë kryeqytetet ka lagje të vogla antike, me një traditë të madhe, por duket se këtu s’ka. Unë bëra një vizitë të shkurtër në Muzeun Kombëtar, dhe do t’u sugjeroja shqiptarëve diçka. Mua do të më pëlqente të kuptoja diçka më shumë, por gjithçka ishte e shkruar në shqip. Do të ishte mirë të vendosnin sqarime pak më të pasura në anglisht apo frëngjisht.


“S’i ndjek më debatet TV për politikën, të ftuar të njëjtë të kthyer në kompani aktorësh”

Televizioni shtiret dhe bën një shpërndarje të hapësirave, në të cilat ftohen parlamentarë apo politikanë të ideve apo partive të kundërta, ku njëri thotë diçka dhe tjetri diçka tjetër. Në fund, këto dy të vërteta të ngjashme por edhe të kundërta, priren të njësohen. Ndaj unë nuk e shoh më politikën, pasi nuk gjej asnjë

dobi. Por kush e sheh, ose heq dorë nga vota ose nuk merr asnjë kënaqësi nga debatet televizive. Edhe për arsyen se këto debate kanë gjithmonë të njëjtët aktorë. Ata rikthehen gjithmonë nëpër  televizione, sikur të ishte një kompani aktorësh. Drejtuesit e shfaqjeve televizive i thërresin vazhdimisht. Janë gjithmonë të njëjtët dhe thonë të njëjtat gjëra.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama