S. Bizantini, shek VI, i cili ishte edhe një analist linguist dhe logograf serioz, duke nxjerrë edhe disa konkluzione nga e gjithë literatura antike që ai analizonte, shkruante: “EPEIROS, vendi në përgjithësi. Disa e ndajnë atë në dy, të tjerët në tri e katër pjesë. Prej këndej vijnë epeirotes dhe epeirotikos”. (“Ilirët dhe Iliria te autorët antikë”, bot. 1965, f 419, zëri Epeiros. Nxjerrë nga përkthimi gr. “Peri Poleon xai demon”/ lat. “De Urbibus et Populis”)
Për të dhënë një tablo të Epirit, afërsisht në shek I p.e.r., po citoj me pak përzgjedhje fillimisht Strabonin dhe pastaj edhe disa autorë të tjerë.
Straboni shkruante: “Hekateu prej Miletit thotë për Peloponezin se, këtu para helenëve kanë banuar barbarë… pothuajse e gjithë Helada në kohë të lashta ka qenë e banuar nga barbarë… thrakët, ilirët dhe epirotët edhe sot banojnë në krahinat anësore (të Helladës); shumë më tepër më parë se tani që barbarët padyshim kanë pjesën më të madhe të Helladës së sotme: thrakët kanë Maqedoninë dhe disa vise të Thesalisë, ndërsa viset e sipërme të Akarnanisë dhe Etolisë i kanë thesprotët, kasopët, amfilohët, molosët dhe athamanët fise epirote… Ndonëse më parë këto fise kanë qenë të vogla, të shumta dhe pa famë, nuk ka qenë e vështirë të përcaktoheshin kufijtë e tyre… por tani që pjesa më e madhe e vendit është shkretuar dhe banesat sidomos qytetet janë zhdukur nuk do të mund askush t’i përcaktonte këto… Polibi thotë se, Paul Emili shkatërroi shtatëdhjetë qytete të epirotëve (shumica e tyre kanë qenë të molosëve) dhe robëroi njëqind e pesëdhjetë mijë njerëz…
Ata që kalojnë nga rruga “Egnatia”, duke u nisur nga viset pranë Epidamnit dhe Apolonisë, në të djathtë kanë fiset e Epirit… nga ana e majtë kanë malet e Ilirisë …Theopompi thotë se fiset e Epirit janë katërmbëdhjetë, më të dëgjuar nga këta janë kaonët dhe molosët; sepse këta kishin sunduar dikur mbi të gjithë Epirin – kaonët më parë dhe molosët më vonë, të cilët morën fuqi më të madhe për shkak të fisit mbretëror (sepse këta ishin Aiakidë) dhe për shkak se, në vendin e tyre ishte faltoria/orakulltoria e Dodonës, e vjetër dhe e dëgjuar. Kaonët, pra dhe thesprotët, e me radhë kasopët (dhe këta janë thesprotë), banojnë në anëdetjen që nis nga malet Keraune deri te Gjiri i Ambrakisë… kur lundron në të djathtë të gjirit të Ambrakisë, banojnë akarnanët, fis helen... epirotë janë edhe amfilohët, si edhe të gjithë ata që banojnë nga veriu dhe që kufizohen me malet e Ilirisë; këta banojnë në vende të ashpra dhe quhen molosë, athamanë, ethikë, tymfej, orestë, parorej dhe atintanë. Një palë nga këta janë më afër maqedonëve…
Me këta janë përzier fiset ilire që banojnë në malësitë e jugut, si dhe mbi gjirin e Jonit… gjithë Epiri dhe Iliria ishin të pasura, kurse tani një pjesë e madhe e tyre është e shkretuar dhe vendet e banuara janë fshatra dhe gërmadha të braktisura. Fatin e këtyre e pati deri diku edhe Orakulli i Dodonës. Ky orakull sipas Eforit ishte ndërtuar nga pellazgët. Për pellazgët mund të flitet se kanë qenë më të vjetrit që sunduan; dhe poeti Homer thotë kështu: “O Zeus, sundimtar Dodonas i pellazgëve” dhe Hesiodi thotë: “Dodona dhe lisi ishin qendra e pellazgëve” Sa për Dodonën, që banorët rreth saj ishin barbarë, këtë na e thotë Homeri… Hesiodi thotë: “Është një farë vendi që quhet Hellopi, e begatshme dhe me shumë livadhe, në fund të këtij vendi ndodhet një e quajtur Dodonë…
…ishte edhe qyteti me emrin Emathia, afër detit. Këtë vend e sundonin disa nga fiset epirote dhe ilire…
Efori thotë se fillimi i Elladës është Akarnania nga ana e perëndimit, sepse kjo takon e para me fiset epirote… athamanët janë nga të fundit nga epirotët… veçanërisht disa fise epirote me dashje apo pa dashje ishin nën sundimin e thesalëve ose të maqedonasve, si për shembull athamanët, ethikët dhe talarët ndër thesalët, ndërsa orestët, pelagonët dhe elimiotët nën maqedonët… Pindi është mal i madh, nga veriu ka Maqedoninë nga perëndimi perrebejt, njerëz nomadë, nga jugu dolopët… Mbi vetë Pindin banonin talarët, fis molos, një pjesë prej atyre të Tomarit dhe ethikët te të cilët poeti Homeri thotë se u shpunë kentaurët prej Peirithit… Afër thesalëve dhe oitëve nga perëndimi janë etolët, akarnanët dhe athamanët, në qoftë se duhet t’i quajmë edhe këta helenë…”. (“Ilirët dhe Iliria…”, cit. f 154-164; nxjerrë nga “Geographica”, Lib. VII; Frag. Nga Lib. VII; Lib. VIII, IX e X)
Nga Herodoti (shek V p.e.r.) e me radhë deri te S. Bizantini (shek VI) u fol për Ilirë dhe Iliri, për racën e bardhë evropoide-adriatike ilire, për “Tokat e Ilirëve”, për mënyrën e jetesës, për Hyjtë ilirë, për veshjet ilirike, për një gjuhë ilire, për bukurinë dhe punëtorinë ilire, për hapësirën ku gjallonin dhe shtriheshin, për një emërtim gadishullor, si Gadishulli Ilirik, për një gji/pellg-deti ilirik e deri edhe te një “Taksë Ilirike” etj.
Ky territor gjatësor Iliria fillonte nga ngushtica Jonike e deri te Venetia, dhe në një gjerësi gadishullore të konsiderueshme. Ndërsa Epiri, fillonte nga malet Keraune, diku tek Oriku e poshtë deri te Epiri i Vjetër, Akarnania.
Qysh nga antikiteti i hershëm u vërejt se, popullsia ilire ishte shumë e madhe dhe kishte brenda gjithfarë nën fisesh që përfshiheshin në krahina etnografike me emërtime nënndarje, Dardania, Triballia. Fqinjë me ilirët kanë qenë edhe thrakët dhe ka shumë mundësi që mbi shtratin thrak ishin vendosur edhe një sipërshtresë dake-mëze baritore e përhapur kand e kand gadishullit.
Sipas disa autorëve antikë, kishin qenë vetë disa autorë antikë më të hershëm, që kishin specifikuar, lokalizuar e dalluar një zonë më primare të ilirëve si: “illyrii proprie dicti” . Pompon Mela, shek. I, në librin“De Chorographia”, Lib. II, 55, 56, 57, shkruante: “Ky deti Adriatik… shtrihet në anëdet nga fise ilire nga malet Keraune deri në Tërgeste… ndeshen së pari parthinët e dasaretët pastaj taulantët, enhelejt, feakët. Pastaj vijnë ata që i quajnë ilirë të vërtetë pyrët, më tej liburnët dhe Istria… Në fundin e detit Adriatik, ku mbaron bregu i Ilirisë është Tergeste”.
Në lidhje me “ilirët e vërtetë/të quajturit ilirë”, edhe Plini Sekundi, afërsisht i njëkohshëm, shkruante kështu: “…mbas Epidaurit janë qytetet që gëzojnë të drejtën romake Rizini, Akriu, Butua, Olcini, më parë i quajtur Kolkin, sepse u themelua prej kolkasve; lumi Drin…Scodra… Përveç asaj po zhduket kujtimi i shumë qyteteve greke dhe shumë qendrave të fuqishme. Dhe me të vërtetë në këtë krahinë qenë labeatët, enedët, rudinët, sasët, grabejt; ruajnë emrin e tyre edhe ilirët e vërtetë taulantët dhe pyrejt… Iliria në gjerësinë më të madhe ka 325.000 hapa, gjatësia e saj që nga lumi Arsia deri te lumi Drin arrin 800.000 hapa dhe nga lumi Drin gjer te Kepi Akrokeraun 172.000 hapa. Ky gji në kufijtë që ne i kemi dhënë përfshin dy dete: detin Jon në pjesën e parë, më brenda Adriatikun që e quajnë edhe të epërm.
… Në bregdet gjendet qyteti Orik, themeluar nga kolkasit. Prej këtej fillon Epiri, malet Akrokeraune, te të cilët ne kemi vendosur mbarimin e këtij gjiri të Europës …
I njëjti autor, Plin Secundi do të shkruajë edhe “për Epirin e epirotët e vërtetë” kështu:
Epiri i marrë në përgjithësi, fillon te malet Keraune. Ai përfshin në fillim kaonët, prej nga vjen emri Kaoni, thesprotët, antigonasit, vendin Aorn me gazrat e këqija për zogjtë, kestrinët, perrebejtë, te të cilët është Pindi, kasopët, dryopët, selët, helopët, molosët ku ndodhet tempulli i Zeusit të Dodonës… mali Tomar me njëqind burimet që gurgullojnë në këmbët e tij, mal i lavdëruar nga Teopompi …
… Epiri i vërtetë, duke u zgjatur në drejtim të Magnezisë e Maqedonisë ka në shpinë të tij dasaretët, fis ilir dhe dardanët, fis i egër;” në krahun e majtë të dardanëve shtrihen tribalët dhe fiset e Myzisë… Në bregdet të Epirit kështjella e Himerës, mbi malet e Akrokeraunit. Nën të burimi i Ujit Mbretëror, fortesat Meandria, Kestria, Thyami, lum i Thesprotisë; Buthroti; Gjiri i Ambrakisë… këtu derdhet lumi Aheron…
(Plini Secundi, “Natyralis Historiae”, Lib. III, 21, 22, 23, 26, 30; Lib. IV, 1, etj.)
Ndërsa Apiani, shek II, shkruante kështu: “Helenët quajnë ilirë ata që banojnë mbi Maqedoninë dhe Thrakinë, që nga kaonët e thesprotët deri te lumi Istër/Danubi. Dhe kjo është gjatësia e vendit, ndërsa gjerësia shtrihet prej maqedonëve dhe thrakëve malorë deri te paionët, deri në Jon dhe në rrëzë të Alpeve. Gjerësia mban 5 ditë rrugë, kurse gjatësia 30 ditë, siç thonë helenët. Sipas matjes që bënë romakët, gjatësia kalon 6.000 stade, kurse gjerësia është rreth 1.200 stade... Sa për fiset ilire këta janë akoma tani të shumta dhe të dëgjuara... ndërsa romakët ... viset e të gjitha këtyre vendeve i quajnë me emrin e përbashkët Iliri... Agroni ka qenë mbret/bazileus i atij vendi të Ilirëve që është buzë gjirit të detit Jon/Adriatik dhe që e zotëronte Pirrua, Mbret i Epirit dhe trashëgimtarët e tij...”. (Appiani Alexandrini, “Historia Romana”, Illyrike, 4, 1-8.)
Në qoftë se mbi sa sipërcituam do bënim një farë konkluzioni, del se kemi një zonë veri-jug, ku ilirët e epirët/epirotët kanë një përzierje e interferencë dhe gradualisht duke shkuar më poshtë do kalojmë në Epir e epirotë të qartë. Po ashtu, do gjejmë epirotë të përzier me maqedonë, me thrakas edhe me helenë. Kjo përzierje me një dominim etnosi helen, ilir ose edhe maqedon, diku edhe si bilinguistë, shtrihet edhe në emërtimet e fiseve më të vegjël. Siç e dalloi vetë Straboni, asokohe ishte e pamundur të kishte preçizime të imta se, si ishin këto dominime dhe me çfarë kufijsh ndarjeje.
Siç njihet, ka patur disa ndarje si, Epiri i Vjetër dhe Epiri i Ri, Epiri i Jugut dhe Epiri i Veriut dhe, me sa duket duhet të ketë pasur edhe dallime mbi bazë etnosi, si Epiri Helladik dhe Epiri i Vërtetë, me një bazë etnosi autoktone dhe me përzierje me ilirët, sepse ilirët i gjejmë herët me dominime në Korfuz, në Dodonë e Etoli.
Vërejtja kryesore, çuditërisht e nënvleftësuar pothuajse krejtësisht nga autorët tonë është se, krahas “Iliria e ilirëve të vërtetë” kemi edhe “Epir e epirotë të vërtetë”! Mbi këtë emërtim kemi edhe fisin pyrrej/pirrej, i harruar krejtësisht (?!) afër taulantëve, i klasifikuar edhe si “fis ilir i vërtetë! Këtu kemi edhe pretendimet reciproke të Pirros së Epirit dhe të dinastisë ilire si sundimtarë të një mbretërie të bashkuar. Duke kujtuar tani lidhjen midis vendit Epir dhe emërtimit Pirro/Pyrrhus, mbase ky fis Pyrria/Pirria afër taulantëve do ishte një pikë bazimi. Le të kujtojmë kopetë pirrike etj. (Për fisin Pyrrej/Pyrisej, kemi fis në Iliri, Mela, II, 56, 57; Plin, NH, III, 22; App. Ilyr. 16; Pyrri, vend në Mollosi, Liv. XXXII, 13, 2)
Kur del në skenë ndarja Epiri i Vjetër dhe Epiri i Ri, nga koha e perandorit Theodhos, Epiri i Ri shkon deri te Durrësi si kryeqendër, madje edhe perandori Anastas, do të quhej “dyrrahas nga Epiri i Ri”. (Joannis Malalae, “Chronographia”, cit. sipas “Ilirët dhe Iliria…”, f 447)
M. Barleti, në shek XV - fillimi i shek XVI, sigurisht mbi bazën e autorëve antikë që cituam e quante, “Durrësin/Dyrrhachium qytet detar i Epirit dhe ish-kryeqytet i fiseve taulante, pirreje dhe parthinëve”. (HS, bot. 1967, f 486) Duke bërë edhe një farë origjine të prejardhjes M. Barleti i shtrin epirotët/albanët edhe deri në Shkodër, si fis e gjak mbretërorësh nga Eacidët/Aiakidët e Pirros dhe që kanë edhe shpirtin edhe zjarrin e Pirros. (Rr. Sh, f 108)
Futja e konceptit “zjarri” edhe si pjesë e një etimologjie dyfishe, mendoj se, lidhet me Nymfateum-in e Epirit, një vend ku digjej nafta natë e ditë dhe me Pyriflegeton, disa vendburime të nxehta në Epir.
Fare mirë njihet se, Pirrua i Epirit kishte edhe një epitet shqiponjë, ishte madje edhe rritës shqiponjash, mbante simbolin e shqiponjës, të cjapit, të demit. Aeliani shkruante: “Ka një lloj shqiponjash, që i duan ata që i ushqejnë, siç ishte shqiponja e Pirro Epirotit… Pirro Epiroti gëzohej kur dëgjonte se, i thoshin shqiponjë… (Aeliani, “De Animalium Natura”, Lib. II 40; Lib. VII, 45)
Pirroja i Epirit, ndiqte traditat e një Mbreti Pirro, një paraardhës i shquar si mbarështrues i kopeve me dhen dhe lopë të quajturat “Kope Pirrike të Epirit”, siç e dëshmon Aristoteli. (“De Animullum Natura”, Lib. III; Lib. VI; Lib. VIII, cit. “Ilirët dhe Iliria…”, f 40-41)
“Pirroja, Mbret i Epirotëve, nga e ëma me prejardhje nga Akili, kurse nga i ati nga Herakliu, deshi të sundonte Botën”… (Aurel Viktori, “Liber De Caesaribus”, cit nga “Ilirët dhe Iliria…”, f 339)
Futja e alfabetit dhe e shkrimit grek qysh nga koha e Aleksandërit të Madh e në vazhdim, në një hapësirë kolosale, nuk ka qenë ekskluzivisht një tregues i vendbanimeve helene, madje nuk duhet parë as si një imponim kulturor i hegjemonizmit e kolonizimit helen por, si një nevojë e aleancës së madhe gadishullore me Aleksandërin e Madh, për dominimin e botës. Është mjaft paradoksale që në vendin tonë, nuk pranohet se, përdorimi i alfabetit ka filluar së paku qysh nga shek IV p.e.r., dhe jo nga ajo koha gjytyryme e errësirës turko-osmane më 1908!
Etnosi integrues antik ilir-epirot-dardan, në procesin e nacionalitetit me formacion emërtimin Epir, gjuhë epirotike dhe popull epirot, në konkurrencë dhe krahas me formacionin Albani, gjuhë albanike e popull alban. Emërtimet e reja shqiptar, gjuhë shqipe dhe Shqipëria.
Ajo që disa qarqe nacionaliste agresive greke e quajnë sot për provokacione brenda territorit tonë si, Vorio Epiri/Epiri i Veriut, për shtetin dhe historinë tonë është një pjesë e ish-Epirit, term i cili kishte mbijetuar e zhvilluar te ne edhe në kohën e Despotatit të Epirit, me qendër në Durrës.
Ajo që duhet nënvizuar e theksuar fort është se, te ne formacioni Epir, epirotë gjuhë epirotike, mori edhe parametrat e parë për prezantim nacionaliteti e nacioni, siç do ta gjejmë disa herë te M. Barleti.
Ky fakt historik nuk ka ndodhur asnjëherë te grekët.
Vetë heroi ynë nacional Gj. K. Skënderbeu e deklaronte: “Në mos gënjefshin kronikat tona ne quhemi epirotë dhe siç do ta dini, në kohë të lashtë paraardhësit tanë kaluan në vendin që ju mbani sot dhe bënë luftime të mëdha me romakët…” (Nga Letra e Gj. K. Skënderbeut, dërguar Princit të Tarantos 31 tetor 1469. F. Noli, Gj. K. Skënderbeu, 1946, përkth. 1967, f 243, dok. Nr.31)
Princit Gj. K. Skënderbeu, nga Selia e Shenjtë e Vatikanit, i qe premtuar edhe kurora mbretërore e epirotëve, krahas asaj ekzistuese zyrtare të albanëve e Albanisë qysh nga 21 shkurti i vitit 1272. Kjo është data e mbretërisë albane feudale dhe jo ai anakronizmi i Zogogllit!
Siç dihet, ekzistenca e vetëdijes së gjuhës epirotike/epirotishte kishte mbijetuar deri edhe te F. Bardhi, mjaft të kujtojmë “Dictionarum latino-epiroticum”, 1635.
Për anëtarësimin dhe integrimin europian…
Nga Mesjeta e parë e në vazhdim, krahas me shtimin e dyndjeve dhe ngulimeve sllavo-jugore, dora-dorës, dolën jashtë lojës përfundimisht emërtimet e vjetra Iliri, gjuhë ilire e popull ilir, të cilat siç i gjejmë edhe te M. Barleti ishin përvetësuar nga sllavo-jugorët. Aty nga shek XIX e aktualisht edhe formacioni, Epiri, populli epirot, gjuha epirotishte, për popullin tonë e në territorin tonë kanë pushuar së funksionuari dhe këto ishin zhvillime e procese historike natyrale të vendit tonë.
Sa sipërthamë do të ishte e domosdoshme, që Akademia e Shkencave të Shqipërisë dhe autoritetet akademike, t’i marrin në dorë urgjentisht plot nga çështjet e bëra sallatë nga falsifikimet, tendenciozitet e ndërhyrjet në epokën vataniste e enveriste.
Nuk mundet të lihen, sidomos aktualisht, çështjet e historisë edhe të Kushtetutës etj., në mëshirën e fatit dhe në dëshirat tendencioze të disa qarqeve vendase, të disa mediokërve pushtetarë, që ndryshojnë si fazat e hënës…
Regjistrimi europian nuk është aspak një lloj hataje e pakontrollueshme! Mjafton që ai të organizohet me seriozitet, me realitet dhe të kontrollohet me rigorozitet me mbikëqyrës vendas dhe nga Europa. Në Republikën e Shqipërisë ka disa pakica etnike dhe është një detyrim me vlera të gjithanshme evidentimi, numërimi etj., sipas atyre kritereve dhe parametrave modernë e realë që na kërkon KE.
Por, në qoftë se politika shqiptare do vazhdojë me imponime, duke u orientuar nga të tjera parametra kulturorë e qendra integruese, atëherëë me të vërtetë se, po na këndon qyqja mbas veshit!
(Vijon në një nga numrat e ardhshëm me fiset vllaho-aromune dhe me disa minoritete në territorin e Shqipërisë)