Pezullohet puna, digjet dosja për në UNESCO
Puna për hartimin e dosjes së Eposit të Kreshnikëve për në UNESCO është pezulluar. Grupi i punës, i ngritur me vendim të Komitetit Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore dhe Shpirtërore, rreth një vit më parë, nuk funksionon prej më shumë se tre muajsh. I përbërë nga studiuesi Zymer Neziri nga Kosova, studiuesi Shaban Sinani, Agron Xhangolli dhe Gjovalin Shkurtaj si përfaqësues të Qendrës së Studimeve Albanologjike, Olsi Lafe si drejtor i Drejtorisë së Trashëgimisë Kulturore në MTKRS dhe Esat Ruka, si drejtori i Qendrës Kombëtare të Veprimtarive Folklorike, në kohën e shpalljes së tij, u theksua se ky grup ishte një grup i përbashkët Shqipëri-Kosovë, për të hartuar dosjen, përmes së cilës do t’i propozohej UNESCO-s që Eposi i Kreshnikëve të futej në listën e veprave në rrezik. Atëkohë, drejtuesi i grupit Vaso Tole argumentoi se kjo do të ishte një mënyrë për të reaguar për rigjenerimin dhe rivlerësimin e kësaj tradite. Tashmë aplikimi për në UNESCO është djegur.
Afati i fundit ishte marsi i këtij viti. Do të duhen tri vite të tjera për të pasur mundësinë e dorëzimit të dosjes. “Ne përgatitëm një platformë, ku parashikohej përmbajtja e dosjes dhe aktivitetet e menduara për gjallërimin e kësaj tradite. Ministria e Kulturës vendosi që për momentin puna të pezullohet, pasi kërkohet një përfshirje më e madhe e Kosovës në këtë nismë”, thekson studiuesi Vaso Tole.
Në fakt, hartimi i dosjes së Eposit të Kreshnikëve ka kaluar në një sërë peripecish. Grupi i parë i punës është ngritur rreth vitit 2008 në Kosovë, por pengesa të shumta bënë që puna të ngecë. Në vitin 2010 rinisi edhe njëherë, ndërkohë që në Shqipëri po funksiononte paralelisht një nismë tjetër. Kjo situatë çoi në krijimin e një grupi që tashmë kishte përkujdesjen e Ministrisë së Kulturës, pjesë e së cilit u bë edhe studiuesi nga Kosova Zymer Neziri, i cili ka qenë nismëtari i hartimit të kësaj dosjeje. Në intervistat e vazhdueshme në shtypin kosovar, Neziri ka folur gjithnjë për mungesë të mbështetjes institucionale. Pse ndodhi ngërçi i radhës? Kosova nuk mund të aplikojë më vete në UNESCO, duke mos qenë pjesë e OKB-së. Por me sa duket, bashkëpunimi në rangun e studiuesve nuk shkoi ashtu siç ishte parashikuar. Aktualisht në Kosovë është ngritur një grup pune, i cili po punon në mënyrë të mëvetësishme për këtë projekt për një kohë thuajse 2 vjeçare.
Nga Ministria e Kulturës thonë se është një pezullim i përkohshëm. “Pavarësisht grupeve që mund të ngrihen dhe punës së mëvetësishme që mund të bëjnë studiues apo individë, në fund dosja do të jetë një bashkëveprim mes Kosovës dhe Shqipërisë. Studiuesit do të konsultohen për të paraqitur vetëm një dosje në UNESCO”, është reagimi që vjen nga Ministria e Kulturës. Studiuesit pranojnë se në Kosovë eposi shtrihet në një territor më të gjerë, por më parë Vaso Tole pati thënë se në Shqipëri kjo traditë është më e rrezikuar. I referohen kryesisht lahutës, si instrumenti thelbësor i muzikës së eposit, i cili gjithnjë e më shumë po del nga qarkullimi. “Qendra Kombëtare e Veprimtarive Folklorike do të vazhdojë programin e saj për realizimin e një festivali me interpretime të lahutës, por kjo nuk vjen si pjesë e punës së nisur nga grupi i hartimit të dosjes”, shprehet Esat Ruka. Pas këtij ngërçi, një gjë është e sigurt, duhet të kalojnë gati tre vjet të tjera për të aplikuar në UNESCO. Kjo do të ndodhë vetëm më rast se deri atëherë do të kemi një dosje gati.
10 lahutarë - Globalizimi dhe faktorët ekonomikë rrezikojnë zhdukjen e Eposit të Kreshnikëve, veçanërisht në trevat shqiptare, ku lahutarët nuk numërohen më shumë se dhjetë të tillë
Afati – Tashmë aplikimi për në UNESCO është djegur. Afati i fundit ishte marsi i këtij viti. Do të duhen tre vite të tjera për të pasur mundësinë e dorëzimit të dosjes