Epshi trupor i territ

Territ ungjillor u shtri dhe preu hapësinat ajo dorë. Diptik zbrazëtie: bardh-e-zi. E bardhë, e bardhë, si një direk me vela frushullonte frushkët andrra e tij, nësa për bashi përplasej e thyhej grimë, si shishe shampanje, pulëbardha torollake e Soreskut.

E hapësina?

E pamë qysh tallazitej, hapësina, qysh stërfryhej, shkumëzueshëm, hapësina, mu si një demon konkav, qysh shkurajohej saora, hapësira, pa aks e ashtnor.

Përanash e përskej e pamë qysh përvidhej epshi trupor i territ, e pamë qysh mbartej n’ato ethe ngutie, qysh avullonte e pamë mbi ujëra e sterre epshin trupor të territ dhe e pamë, e pamë, e pamë qysh zbriti e mbet vjerrë - mjegullishtë, e pamë qysh varej i ngimë mbi lumë si plënc kau, epshin trupor të territ e pamë të mbartej nxitimthi, si mish kau vagonash të rëndë t’atij treni-fantazmë me binarë të lamë në djersë e dritë, dhe pamë, pamë, pamë, epshin, sidomos, mishin, vagonat dhe djersët në dritë etj, etj...

E drita, drita qysh?

Tembrâma, pasagjerë të ardhur ç’prej akseve të diptikut, e thënë qe t’përballeshim me këso bote ku çdocili e njohu sozinë e vet me angrra, përbrenca engjëjsh përqafe.

Aherë nga perroni në sfond u ndie qysh kthehej nata tjetër me copat e gjarpnit të premë tek gjakonin me kapë njena-tjetrën - vagonat e trenit përplot me epshin trupor të territ; aherë u ndie qysh shpoi qiellin, si një i pa pikë kah yjzit një këngë n’arrati:

“Nënshkruaj, shpirti im, nënshkruaj,

edhe kallxona qysh s’t’u përgjigj njeri...”

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama